Çun Lajçi pas Kosovës në Tiranë, për të shitur librat pranë sheshit “Skënderbe”

Aktori i njohur Çun Lajçi përpos pandemisë ka zgjedh që të shkojë tek lexuesi, përmes librit “Bastardi”. Pas Prishtinës ka zgjedh Tiranën për të shitur librat pranë sheshit “Skënderbe”. Në një rrëfim për letërsinë, teatrin, aktori ka edhe një apel të fortë për Edi Ramën dhe politikanët e tjerë shqiptarë të Tiranës dhe Kosovës.

Në qendër të Tiranës, në sheshin “Skënderbe”, në krah të Muzeut Historik Kombëtar takojmë artistin Çun Lajçi teksa luan e këndon me sharki dhe i prezanton lexuesit romanin e tij retrospektivë “Bastardi”. Një libër ky për socio-politikën shqiptare. Ai na rrëfen se si i ka lind kjo ide për të shitur librat, gjatë pandemisë Covid 19, ku pas Kosovës t’i jap jetë edhe në Tiranë.

“Gjatë pandemisë COVID 19 jam rikthyer pas. Kam kujtuar se si gjatë fëmijërisë në çarshinë e Pejës kam qenë një djalë shisja djathë, vezë edhe gjalpë. Prandaj, i thashë vetes, “kurrë më ty nuk do të thërrasin për role”. Tek shqiptarët nuk ka rëndësi kualiteti, por ka rëndësi që të realizosh diçka me buxhetin që të jep shteti, sa për ta justifikuar. Duke parë këtë situatë, pyeta veten: A ka lindur teatri në rrugë? Ka lind. Ktheju rrugës. Kam shkuar në Rugovë edhe me lahutën time kam regjistruar poezi, si një thirrje për dy ministritë e Kulturës (në Shqipëri dhe Kosovë), se përse lahutën duhet ta merrnin serbët edhe të hynin me të në UNESO”, rrëfen artisti Çun Lajçi.  

Plagë e madhe për Lajçin, aktorin që numëron mbi 200 role në kinema dhe teatër është arti shqiptar, ku artistët zgjedhin të marrin rrogën edhe mos të punojnë, qoftë në Kosovë edhe Tiranë

“Edhe përse kemi qenë shumë para jush, kemi ngecë. Ndoshta ne patëm fatin që të jemi me gjashtë shtete që ka qenë ish- Jugosllavia, më të hapur. Kemi ditë më shumë, por kemi nis që të humbasim gjithçka. Për arsye buxhetore, ose ndoshta për arsye të vetëkënaqësisë sonë. Dikur thoshim që jemi punëtorë skene. Tani, të gjithë thonë jemi artistë. Edhe pse asnjë nuk punon dhe zhargoni  i rrugës gjendet brenda në teatër ”, shprehet Lajçi.

Për Lajçin detyrë e çdo artisti është që me artin që bën të jetë në opozitë me pushtetin.

“S’ka artistë në këtë botë, flas për artistë me A të madhe, që e quan veten artist, që ka lënë gjurmë dhe që nuk e bren situata politike në vend. S’ka artistë që nuk flet me pushtetarët kur sheh se nuk është çdo gjë e bardhë. Prandaj, kur sheh se si mundohen politikanët me çdo kusht që të zbresin hënën në tokë, ballafaqohesh me një rrenë që s’mund të rrish pa reaguar për të”.

Lajçi na tregon më shumë për atë çka mendon për Edi Ramën artist dhe politikan, ndërsa ka edhe një mesazh për Ramën dhe Bashën.

“Edi Ramën e dua shumë si artist. Jam kundër tij për shkak të teatrit, e kam quajtur edhe unë të çmendur, pasi hala e njoh si artist të çmendur (në kuptimin emirë të fjalës), por tekat tona nuk na çojnë as deri në mal të Dajtit. Prandaj, ky edhe ky i shkreti Lul pavarësisht idelogjizmave edhe degëve partiake duhet të afrohen për hir të dheut, s’kemi ne faj që ata se duan njëri-tjetrin…

Njoh shumë artistë që kanë punuar kudo, ndërsa në teatër s’kanë dashur të luajnë. Shfaqjen e fundit që kam luajt ka qenë një vepër e Kadaresë, por kam mallkuar se mërdhija kur dilja në skenë dhe ulja kokën poshtë, që mos të vritesha në trarët e tij. Ka qenë gjithçka, teatër jo. Prandaj, ose duhet që të punonim, ose duhet që të rrëndohej. Ne nuk punonin, por bënim protesta. Rama e shfrytëzoi këtë. Ndoshta ka me na çmend në të ardhmen me një teatër të jashtëzakonshëm. Të presim. Unë i kam shkruar në një koment “I çmendur je, por kënaqna ne me një çmendinë, kënaqi këta shpirtra”, përfundon Çun Lajçi.

Artisti Çun Lajçi është autorë i 10 librave me poezi edhe në prozë./ Nga Valeria Dedaj/ shqiptarja.com