Nga: Çun Lajçi
R.I.P
Pse qenka e thanune kjo ditë e dhimbjes me m’nxanë rrugëve me libra n’kurrizin e thyem?
Pse sot n’Shkup me “Ofshamë malli” si katër vite ma parë me “Përgjerim e fjalë” në Njujork?
Pse u dashka me ta kujtua ditën e ikjes larg katundit ku ti zune vend përgjithmonë?
Pse unë përjetë rrugëve me vargje e pse ti përjetë e fjetun!
Sot n’Shkup e nesër n’Kërçovë e ti hijen time e pret të guri i ftoftë, si akulli n’shpellën e korbave!
A thua qenka e shkrueme me vdekë rrugëve me libra malli mbi kurriz, si thastë e qymyrit n’kalin e Malsores tek Migjeni?
Si sot, para katër vitesh, ti i mbylle sytë e unë i lashë jetimë do libra përtej Oqeanit tue derdhë lot për ty. U ktheva i shkyem e i thyem me ta hudhë nji grusht dhe e dhe me pritë mu ba edhe vet!
Ike tash e katër vjet e katër vjet si murg t’rri të guri tue folë me shpirtin tand!
Kush e shkroi që unë me qenë rrugëve n’ditën tande t’ikjes?
Pse me m’thanë nisu kur u dashka me i thye rrugët e mu kthye të dhoma, ku ti harrove me marrë frymë?!
Pse me zemër n’grusht e me lotin n’faqe me i këputë rrugëtimet e me ardhë të varri yt, në ket’ nandor me diell të akullt, moj e mira ime që s’flet kurrë!
Dhe pse u dashka me m’ardhë n’andërr Teki Dervishi e Adem Mikullovci, e jo ti, për me ma kujtua ditën e vdekjes sate!
Pse Selman Isufi me ndejt me ta, kur ai s’asht botë e tyne?
Ata erdhën mbramë e m’treguen se ti paske ndërtua shtëpi dikund ndër Lugjet e Verdha, e Tekiu i tha Ademit, tash atje mund ta vemë n’skenë “Bregun e pikëllimit” se aktor kemi bollë!
Ik i thash, shko n’Teqen e Madhe se t’paska zanë rakia! Ne shfaqje bajmë këndej Drinit, jo andej ku t’marrin mjegullat, dervish i marr!
Dhe qeshi Ademi me zanin e ngjizun e Tekiu e ndezi cigaren e s’foli ma. S’di a shkoi n’Teqe a erdhi të ti n’Lugjet e Verdha, por unë u zgjova n’Iliridë me çantën plot libra.
Të Skenderbeu, n’fund t’çarshisë së vjetër u ula mes librash, tue folë me ty, n’përvjetorin e katërt t’ikjes!
Flijë bija ime, thashë, si atë mëngjes kur mora rrugë për New York, flijë, veç mos harro me ardhë n’andrra se kam nisë mu plakë!
19 nandor 2017 – 19 nandor 2021
Shkup!
———————–
Lexo edhe:
ÇUN LAJÇI: SI KORB’ MU DUK VETJA NDËR VARRE
ObserverKult