Nga Çun Lajçi
Shtatë vite pa ty.
Shtatë nëntor të heshtur.
Ti, hije e mureve, gurëve dhe varreve.
Unë, shtegëtar i gjurmëve, kujtimeve që s’më lënë të vdes.
Ti kujton se t’harruam! Kujton se nuk erdhi plaku yt me puthë gurin mbi kokën tënde. Kujton, – se t’morën vitet e toka t’i treti eshtnat e nënë e babë t’harruan! T’harroi vëllau, s’u bë Kostandin me t’çua te lokja natën me kalin e zi!
Ndoshta t’mashtroi gjumi kur t’erdhëm me ofshama e s’i ndjeve puthjet n’ball. Provuam të të zgjojmë por nëntori qëlloi i ftoftë dhe ti po ngroheshe e mbuluar me jorganin e trashë të katundit tim!
Sigurisht se të thirra unë, të thirri nëna. Vllau e vuri shpatullën mbi gur e foli e foli e ti s’u zgjove. Një duhan e dogji Gala, një duhan e dogji Learti kurse unë mblodha kaça të zbutura dhe t’i vura te guri.
Ti kujton se t’harruam, kujton se nuk t’erdhën nëna e baba e vëllau, por ja që ne jemi çdo ditë të guri dhe puthim emrin tënd e fotografinë e ngrime t’nëntorit!
Ti mbete 33 vjeçe dhe nuk u plake kurrë. U ngrive në rininë tënde dhe u bëre pritje! Unë u plaka, duke hequr mall e duke shtuar dhimbje mbi gurin e ballit tënd.
Ne kurrë s’u pajtuam me ikjen, ti kurrë s’u pajtove me ndarjen, por ja që dheu të përpiu ty dhe ja që kujtimet na përpijnë neve. Edhe sot, si atëherë, unë endem rrugëve, ti pret kthimin tim. Ardhjen nuk e kam të largët, dhe as ti pritjen s’e ke të gjatë.
Po afrohen stinët kur ne do të bëhemi hije e bashkuar që s’do të ndahet kurrë më. Pusho e qetë, bija ime, në katundin tim të lindjes!
Prishtinë, 17.11.2024
ObserverKult
Lexo edhe:
ÇUN LAJÇI: ERDHA AGIM DOÇI POR NUK TË GJETA NË MUZEUN KOMBËTAR SI MIRUSHIN…