Çun Lajçi, aktori i shquar shqiptar nga Kosova, pas Tiranës kishte zënë vend në shetitoren (Pjacen, Pedonalen) e Shkodres në një stol të trotuarit të së cilës kishte vendosë do librat e tij. I promovonte, fliste për to dhe mandej i shiste ato që bleheshin.
Nga FRANO KULLI*
“Bastardët” ishte libri që printe në udhëtimin – revoltë të artistit të spikatur ndaj udhëheqësisë në Kosovë e në Shqipëri. Revoltë për ata që e kanë bastardhuar amanetin e shqiptarëve andej e këndej, të atyre shqiptarëve që me qëndresën e tyre sublime, ravijëzuar kështu si heronj, u shkrinë për përparimin e kombit. Por edhe të të tjerëve që me dije e me libra ruajtën e mbajtën gjallë atdhetarinë, idenditetin, konstruktin shpirtëror të shqiptarëve.
Kurse nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit dhe Ministria e Kulturës vinte Lajmi:
Dje, Juria e përzgjedhur nga QKLL-ja,(Qendra Kombëtare e librit dhe e leximit) në kuadër të realizimit të projektit në fushën e librit, “Fondi i përkthimit nga shqipja në gjuhë të tjera” dhe “Fondi i përkthimit nga gjuha e huaj në gjuhën shqipe”, më dt. 04.09.2020, mori në shqyrtim veprat letrare, autorët dhe përkthyesit e tyre të paraqitura nga shtëpitë botuese përkatëse… vendosi të jenë fitues për “Fondin e përkthimit letrar nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj” (dhe shënohen 6 fituesit)
Kam vetëm këtë koment:
Fitues u vlerësua dje edhe romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Domethënë, nga buxheti i shtetit iu dhanë para për t’u përkthyer edhe në një tjetër gjuhë të huaj…(lituanisht). Pa dyshim më i padiskutueshmi ndër fituesit jo vetëm nga kjo lista e fundit po nga të gjitha listat e viteve të marra së bashku. E kush mund ta ketë kurajon të thotë ndryshe !
Po për librin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të gjeneralit (ndër të gjallët) të letërsisë shqipe ka rreth 60 vjet (që nga viti 1962) që jepen para për t’u përkthyer e botuar e ribotuar. Padyshim meritueshëm dhe kjo e konfirmuar heret edhe prej statistikave të leximi në shqip dhe përkthimit në shumë gjuhë të huaja, por dhe prej studimeve letrare, të cilat kanë konverguar në pikën e vlerësimit të lartë të kualitetit të veprës. Dhe s’është rendi për ta diskutuar sot e asnjëherë. Por a ishte veçanërisht e arsyeshme, që nga ai buxhet mizerabël i ndarë nga portofoli i financave të shtetit për librat e për leximin të ndahej një pjesë edhe për përkthimin e veprës në një gjuhë të skajshme ? Dhe masandej të interpretohej si gjasme kontributi i shtetit për librin shqip ? E të justifikohej me këtë mbështetja e gjithfarë “krundeve” letrare që qarkullojnë në mexhlisin e këtushëm ?
Ndërsa për asnjërën prej veprave të Gjergj Fishtës – poet kombëtar i shqiptarëve, cilësuar si i tillë që në gjallje të vet, nuk është dhënë asnjë para nga shteti i shqiptarëve. Edhe pse si sipërmarrje dashamirëse është përkthyer, së paku në 4 gjuhët kryesore . U përkthye disa herë italisht, duke nisur nga imzot Jul Bonati. E pastaj nga Ernest Koliqi, që deshi ta realizonte plotësisht, por u ndal vetëm tek disa kangë: Kanga XXVI “Koha e re”(1962); Kangët XII-XIII- XIV-XV, të shoqëruara me hyrje (1971) dhe Kangët II-III-IV (1973). Përpjekje për ta përkthyer në italisht bëri edhe Atë Fulvio Cordignano, (1887 – 1952) jezuit, misionar për rreth 30 vjet në Shqipëri që e vlerësonte shumë kryeveprën e Fishtës, të cilën e bëri të njohur në bashkësinë e jezuitëve aq, sa të nxiste sivëllain, Atë Giovanni Giorgiani S.J., kryeredaktor i programit “Orizzonte Cristiana” pranë Radio Vatikanit, të mbronte diplomën me “Lahutën”, duke ia përkthyer në italisht të gjitha pjesët, që i duheshin. Kjo punë diplome ruhet në Bibliotekën Françeskane, në Shkoder .
Lahuta u përkthye gjermanisht nga albanologu Maximilian Lambertz (Vjenë 1882- Lajpcig 1963). Që më 1913 Larmbertz e quajti Fishtën “Dichtergenius” (Poet gjenial), ndërsa Lahutën e Malcís, “kryevepër”.
Kurse përkthyesi i saj në anglisht, Robert Elsie, shkruan: “Lahuta e Malcis’ ” është një kryevepër, e cila zë vend në radhën e eposeve të mëdha botërore. S’ka lexues që të mos e pëlqejë. E kemi fjalën për lexues, që kanë durim të shfletojnë një libër me 15. 613 vargje… Natyrisht, po ta kesh parasysh historinë “politike” të Lahutës dhe të Fishtës, d.m.th., heshtjen më se 50 vjeçare dhe zhdukjen e eposit kombëtar për një periudhë gjysëm shekullore, për rininë e sotme, nuk është e lehtë të lexohet, aq më pak, të interpretohet. Por… “kush asht trim”, do ta lexojë me një frymë, do ta shijojë e do të mahnitet nga bukuria e Verbit të Poetit. Sot ky monument kulturor merr një rëndësi të veçantë jo vetëm për Veriun, por për tërë Shqipërinë. Bëhet shumë më tepër se një vepër letrare. Në botimin anglisht të Fishtës, e quajta “vepra e parë letrare shqiptare që i përket botës”.
Mjafton kjo ndalesë tek të mëdhenjtë e letrave shqipe…
Pa folë pastaj për rastet e tjera , ku edhe vëzhguesi më i paanshëm dallon preferencat dukshëm favorizuese për libra , të cilëve, sipas një kuti kritik e studimor letrar (sikur ai të ekzistonte) , për nga vlerat letrare do t’u vinte radha…s’di se kur.
E gjitha kjo, që ndodh si rutinë, vit pas viti, për drejtuesit e enteve shtetërore ëshë një shpërdorim kriminal i atij buxheti, gjithësesi të papërfillshëm, që nga taksat tona jepet për kulturën në përgjithësi e për librin në veçanti.
Kurse për jurinë e juritë, që zakonisht përbëhen ose nga persona brenda konfliktit të influencave që rrotullojnë qoka ose nga persona që lidhjet me librin i kanë të kufizuara edhe si lexues, më e pakta është turpi i radhës.
Të dyja së bashku e kanë dëmtuar e po e dëmtojnë sa munden hierarkinë e vlerave dhe procesin e leximit…Dhe vijojnë ta lënë Çun Lajçin në udhëtimin e tij-revoltë, me librin “Bastardët” qytet më qytet.
__________
Teksti është shkëputur nga libri publicistik i Frano Kullit “Djerrinave të kohës”, Botimet Fishta, 2024
ObserverKult
lexo edhe:
FRANO KULLI I DREJTOHET MINISTRISË SË ARSIMIT: GJERGJ FISHTA ËSHTË SHKRIMTAR SHQIPTAR
FRANO KULLI: TEFË PLAUSHI I… TEFË ÇAPALIKUT
FJALORI QË ZBËRTHEN VEPRËN E GJERGJ FISHTËS/ FRANO KULLI: “ÇELËS” PËR KUPTIMIN E VARGJEVE…