Nga Çun Lajçi
K’to janë lulet e katundit tim. Grremçet e lulsa, që ngutën me ia nxanë vendin borës. N’rrezet e para e nxjerrin kokën shpatieve, gardhiqeve, orrnicave e tallën me borën që shkrihet n’pupa.
As nji parfum Stambolle s’u afrohet.
E po, janë lulegrremçet e katundit tim! Verdhëcuket rugovase, kunorat e bjeshkëve thepore. Aguliqet e shapueme, t’amlat, që s’durohesha pa i përtypë me dhambët e qumështit.
Ishin fjalët e para, që m’dolen, kur shkela mes varreve. Kur fola me time bijë, jo ma larg se dje, për lulet e trojeve t’mia!
T’kam çua fjalë i thashë, se nuk do t’bahen ma shumë se tri ditë, pa t’ardhë të guri. Unë nji herë flas, por tri herë e mas zemrën, për me m’besua ajo mua e unë asaj!
T’kam çua fjalë, se kur t’bulëzojnë shelqet e kur dalldyshet t’kenë nisë me thurë çerdhe n’zgavra ahash, unë do t’vi n’rrugicën time, n’shpatinë, mbi gardhin e kalbun, me mbledhë lule t’verdha. Edhe vjollcet e para, ato me tri fleta, dy kaltroshe e nji të verdhë e me ti vu sipër gurit!
Unë tri herë i mas fjalët e mandej e qes hapin n’rrugicën e vetmueme. Jo t’shkretnueme, se aty ende ecë nji Çun i plakun tue i rreh zemra e thyeme. Aty hala ecë nji kalë sharan e nji qen cubel, të malësorës Rushë, që i han të katër stinët, e katundin e mban gjallë me nji frymë t’vetme!
T’kam çua fjalë e fjala me muer si valë, m’çoi si pupël korbi mes varresh me nji tufë lule, grremça, t’lulësa, me erën që s’e kanë Versajet!
T’kam çua fjalë, se do të zhdirgjem oborrit t’Isufit e prej aty kam me t’thirrë:
Çohu se duel syni i pranverës. Bjeshkët po larcohen e livadhet po lulëzojnë. Edhe pemët po bahen gati për gjethe t’reja!
E sheh si e mbanë yt at fjalën?
T’kam ardhë me vllaun e nanën, i freskuem me ujin e përrojeve, me shua mallin e dimnit me kangën e dallandysheve!
Çohu t’ecim rrugicës e të mbledhim vjollce, se nana do të mbledhë hitha, për laknorin e parë pranverorë, e Learti do t’maroi pipilia me lëvoret e langëzueme të shelqeve!
Çohu t’bajmë fotografi, me kalin sharan e me cubelin, Bubë e mira e plakut, se vllau t’ka ardhë të varri me t’marrë ngrykë. Gala nji duhan ka me ta mbështjellë, që ta keshë kur ne s’do t’jemi pranë teje me ta marrë mërzinë!
T’kam çua fjalë, se do t’vimë të guri me ta puthë ballin, dhe erdhëm! S’ka mahi me fjalën që merr dhenë!
*Titulli i origjinalit: “T’kam çua fjalë dhe erdhëm”
ObserverKult
Lexo edhe: