Cvajg: Atë natë, pa të njohur akoma, të pashë në ëndërr…

Nga Stefan Cvajg

“….Gjithë natën mendova për ty, pa të njohur akoma. Unë vetë kisha vetëm një duzinë librash të lirë, të lidhur me karton të dobët, të cilët i doja më shumë se çdo gjë tjetër dhe i lexoja vazhdimisht.

Dhe tani po më mundonte pyetja se si duhej të ishte vallë ai njeri, të cilit i përkisnin dhe që i kish lexuar të gjithë këta libra të mrekullueshëm, që dinte gjithë këto gjuhë dhe që ishte aq i pasur e njëkohësisht aq i ditur.

Ndjeva njëfarë admirimi mbinjerëzor, që m’u shtua edhe më tepër nga ata libra të panumërt. Përpiqesha të të parafytyroja: të kujtoja një burrë të shkuar nga mosha, me syze e me një mjekër të gjatë e të thinjur, të ngjashëm me profesorin tonë të gjeografisë, vetëm se shumë më bujar, më të pashëm e më të butë – nuk e di pse qysh atëherë qeshë e sigurt se ti duhej të ishe i pashëm, megjithëse të parafytyroja plak.

Atë natë, pa të njohur akoma, të pashë në ëndërr për të parën herë. Të nesërmen ti erdhe, por megjithëse të përgjova, s’të pashë dot – kjo ma shtoi edhe më tepër kureshtjen. Më në fund, ditën e tretë, të pashë dhe u habita, u trondita shumë që ti m’u shfaqe krejt ndryshe, që ti nuk i ngjasoje fare asaj ikonës së perëndishme!

Kisha ëndërruar një plak babaxhan me syze, kurse erdhe ti – ti, ashtu i tëri, siç je edhe sot, o ti i pandryshueshëm, mbi të cilin vitet përplasen e rrëshqasin pa forcë!…”

Shkëputur nga libri: Novela të Stefan Cvajg
Shqipëroi: Robert Shvarc, Enver Fico
Shtëpia botuese: Dituria

ObserverKult

Lexo edhe:

LETRA E LAMTUMIRËS QË STEFAN CVAJG LA PARA SE TË NISEJ NË UDHËN PA…