Cvajg: Nuk do t’ua kisha vënë veshin fjalëve të botës… do ikja me të…

Stefan Cvajg

Nga Stefan Cvajg

“…atë çast kur ai doli nga dhoma dhe unë mbeta vetëm, mua sikur më goditi njeri me një grusht vdekjeprurës në zemër sa që sytë m’u errën; diçka po më shkaktonte një dhimbje të egër në shpirt, por unë nuk e dija ose nuk doja ta dija përse respekti kaq prekës i atij djaloshi më kishte vrarë kaq shumë në zemër.

Tani që po orvatem ta fshij nga mendja të gjithë të kaluarën, duke e parë si diçka që nuk më përket mua, tani që ju kam marrë edhe juve si dëshmitar, nuk kam më të drejtë të fsheh asgjë, të fsheh nga frika ndjenja për të cilat mund të më vijë dhe turp, tani nuk kam më asnjë pikë dyshimi: ajo që atëhere më vrau kaq shumë qe zhgënjimi… ai djalosh kaq i nënshtruar kishte dalë… pa bërë as përpjekjen më të vogël për t’u ndalur, për të ndenjur me mua… ai qe treguar i gatshëm e plot respekt të zbatonte dëshirën time që të largohej, në vend që të më përqafonte dhe të më shtrëngonte në krahë.. ai më kishte quajtur si një shenjtore që i qe shfaqur në rrugën e tij dhe… nuk më shikonte si grua.

Ky ishte një zhgënjim… një zhgënjim që unë nuk e pranova as atëherë e as më vonë, po zemra e një femre arrin t’i kuptojë të gjitha, në heshtje, pa fjalë.

Sepse… tani unë nuk e gënjej më veten- nëqoftëse ai djalosh do më kishte përqafuar atëherë dhe do të më kërkonte të arratiseshim bashkë, unë do të isha gati të ikja me të gjer në fund të botës… nuk do t’i kisha vënë veshin as fjalëve të botës e as zërit të arsyes….

Në shqip: Gjergj Zheji

ObserverKult  


Lexo edhe:

LETRA E LAMTUMIRËS QË STEFAN CVAJG LA PARA SE TË NISEJ NË UDHËN PA KTHIM MË 22 SHKURT 1942

Nga Stefan Cvajg

“Përpara se të ndahem nga jeta me vullnet të lirë dhe me mendje të kthjellët, shtyhem të përmbush një detyrë të fundit: të falënderoj nga zemra këtë vend të mrekullueshëm, Brazilin, që më dha mua dhe punës sime një pushim shumë të mirë e mikpritës.

Nga dita në ditë kam mësuar ta dashuroj më shumë këtë vend dhe askund nuk do ta kisha rindërtuar më me dëshirë jetën nga e para. Pasi për mua bota e gjuhës sime ka perënduar dhe atdheu im shpirtëror, Evropa, po shkatërron vetveten.

Por pas gjashtëdhjetë vjetësh nevojiten forca të veçanta për të filluar edhe njëherë nga e para. Kurse forcat e mia janë dërrmuar nga vitet e gjata të shtegtimit nëpër botë.

Kështu që më duket e drejtë ta mbyll në kohën e duhur dhe me një qëndrim të drejtë një jetë, për të cilën puna shpirtërore ka qenë gjithmonë gëzimi më i kulluar dhe liria personale, mirësia më e madhe e kësaj toke.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult