ObserverKult vazhdon botimin e ciklit të intervistave të realizuara nga Xhemazije Rizvani, “Flasim përhanshëm me…”, botuar nga Shtëpia Botuese “Syth”.
_____________________
Flasim përhanshëm me poeten Donika Dabishevci
Nga: Xhemazije Rizvani
Donika Dabishevci (1980) u lind në Prishtinë. Ka studiuar letërsinë shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku ka përfunduar masterin, duke vazhduar në Universitetin e Tiranës, ku në vitin 2013 doktoron me temën “Proza poetike në letërsinë shqipe”. Ka botuar librat: ‘Krizantema të plasura’ (1996), “Imazhe të brishta” (2004), “Proza e poetizuar – F.Konica, M. Frashëri, E. Koliqi, M. Camaj, M. Hanxhari” (2015), “Kam me ardhë si deka” (2015), dhe “La tua robinja” Romë, (2017.) Me poezitë e saj është prezantuar në festivale vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa me punimet e saj shkencore në një numër të madh konferencash e seminaresh që kanë të bëjnë me fushën e Albanologjisë dhe Medias. Poezitë e saj janë përkthyer në gjuhën angleze, gjermane, frënge, turke, suedeze, rumune, bullgare, maqedone, serbe, etj.
Ka themeluar dhe menaxhon Portalin për Kulturë, letërsi dhe art ObserverKult.
Përse është e veçantë një femër poete?
Letërsinë nuk e shoh përmes spektrit gjinor, nuk e lexoj si të ndarë në sekse, në letërsi femërore apo mashkullore, dhe nuk i honepsi veprat që i kanë vënë vetes mision të shtyejnë e propagandojnë fushata, kauza e ideologji. Nga ky pozicion, i bie që absolutisht nuk kam pse ndihem ‘tjetër’ nga një burrë që shkruan.
Por, a ndihem e veçantë meqenëse shkruaj? Jo. Kam mbase aftësinë e artikulimit të ideve, ndjesive, emocioneve, përplasjeve e ngulfatjeve shpirtërore, të cilat thellë në vete i përjeton çdonjëri. Thjesht, unë i hedh në letër të bardhë, apo në një dokument Wordi në kompjuter. Por, pse e bëj këtë? Orwell në esenë e tij të famshme “Pse shkruaj” jep katër arsye të mundshme që motivojnë të shkruarit, egoizmin e pastër, entuziazmin estetik, impulsin historik dhe qëllimin politik. Unë do ta kisha pozicionuar veten tek e dyta, pra kryekëput shkruaj sepse poetikisht e jetoj dhe ndjej poezinë.
Ndjehem ngrohtë në strehë të saj dhe e ndjejë strehë timen e jo të marrë me qira. Ashtu sikurse një matematikan hidhet në botën e numrave, të cilët i ka përbrendësuar dhe janë pjesë shpirti për të, apo një mjek që arrin katarzë tek e sheh suksesin e një operacioni të vështirë. Pra, a ndjehem e veçantë si grua që shkruan? Jo. Ndjehem mirë, ndjehem vetja dhe kjo më mjafton!
Po fatkeqe?
Jo absolutisht. Më bjen tamam lëkura ime dhe s’do ta kisha ndërruar me tjetër.
Kush ka ndikuar në artin tuaj?
Kam pasur fatin që të lind në një shtëpi me bibliotekë të pasur, jam rritur mes librash dhe natyrshëm kam krijuar raport shumë personal me to. Me rritjen e volumit të librave të lexuar më është mbushur mendja që edhe unë mund e di të shkruaj dhe kam marrë guximin të kaloj anës tjetër.
Nëse s’do ishit poete, çfarë do të ishit?
Hmmm, nuk e di. Shumëçka. Edhe tash provokohem pas profesioneve të ndryshme kur ndeshem në ndonjë segment të tyre që më fascinon, prej arkitektes, mjekes, kimistes, piktores e deri te ndonjë udhëtare boeme që pikë dëshire me lënë asnjë shenjë mbi këtë botë s’ka.
Nga buron frymëzimi për poezinë?
Nuk shkruaj pse duhet të shkruaj. Nuk e shoh si domosdoshmëri jete të shkruarit. As të botuarit. Pra, as nuk jam sistematike e as atëherë kur kridhem brenda poezisë nuk e kam me patjetër t’ia vë pikën. E gjithë kjo, sepse kjo botë ruan ekuilibrin e vet edhe pa vargjet e mia dhe nuk mendoj se do ta bëj pikërisht unë më të mirë e më të përsosur. As që kam denjuar ndonjëherë. Shkruaj kur grishem t’i flas vetes, e nëse më mbushet mendja pastaj që ai zëri im qenka artikuluar artistikisht në njëfar niveli që do t’mund t’u duket interesant edhe të tjerëve, merrem tutje me vargjet.
Cila është frika juaj më e madhe?
Gjithçka që lidhet me fëmijët e mi dhe të ardhmen e tyre. Edhe përpëlitjet e tyre më të vogla më trazojnë dhe ndonjëhere shkoj deri te budallepsja sa që mendoj se veç shkopi magjik do t’më kishte shpëtuar nga ankthet që i përjetoj tek mendoj se në çfarë ambienti, shoqërie e bote janë duke u rritur.
Cila është ndjenja që ju lartëson më shumë?
Eh, këtu s’mund të mos kthehem te biologjikja. Pa dyshim të qenit nënë, prapë përtej kauzave, qoftë edhe feministe, që projektojnë rolin e saj.
Ç’ju ngjall vjeshta?
Jam fëmijë pranvere dhe jam rritur si e tillë. Plot gjallëri e jetë. Stinët tjera i shoh veç një hap – jo larg, po drejt pranverës.
Kur ju pengon qetësia?
Kur medeomos duhet të thuhet një e shkretë fjalë që s’vjen e s’vjen.
Cilat vargje dëshironi t’i recitoni me zë të lartë?
Shumë, jashtëzakonisht shumë. Poezinë e bukur e lexoj me zë, sepse nuk e ndjej si të plotë po s’m’u kënaq edhe veshi me muzikalitetin, ritmin, rimat e saj. Dhe jashtëzakonisht shumë poezi di përmendësh e nuk hezitoj me raste, në familje apo mes miqësh, që edhe të deklamoj.
Ç’dëshironi të jetë si më parë?
Secili brez mitizon periudhën e vet të fëmijërisë apo rinisë si idealja në raport me pasuesit. I gjenë dhe rimodelon nga koha e tashme çastet e mbetuna si vrragë, çuditërisht të bukura në kujtesë. S’do t’kisha rijetu ndryshe asgjë nga e kaluara ime, prandaj me kënaqësi e pa asnjë peng shoh para.
Personazh i cilit libër ju duket vetja?
Ende nuk kam mbërritur tek ndonjë vetidentifikim. Mirë apo keq kjo, nuk e di…
Cilët janë shkrimtarët tu të preferuar ?
Ka shumë. Problem t’i ndaj, por megjithatë po i përmend disa: Homeri, Shekspiri, Tolstoi, Dostojevski, Xhojsi, Hese, Sabato, Borhes, Eco, Saramago, Bucati, Markezi, Vonegut, Oz, Lorka, Neruda etj.
Libri më i rilexuar i yti cili është ?
Iliada. Shumë herë nga fillimi e shpesh veç pjesë të caktuara. Është libri i librave për mua.
Çfarë ta plotëson ditët, jetën?
Familja, miqtë, puna. Dashuria për ta, apo më saktësisht vetë dashuria.
Si duket Prishtina nga syri i Donikës?
Prishtina është vendi ku i kam hapur sytë për herë të parë. Është vendlindja ime, dhe s’kam ‘vendlindje’ tjetër, kurrë s’kam pasur. E ndiej si merr frymë, ia njoh dhimtën dhe e dua. Identifikohem me të dhe e ndiej brenda vetes.
Kur ju bie morali, si e motivoni veten që të vazhdoni?
Janë çaste të shkurta ato, por natyrisht që ndodhin. Përpiqem ta fiku trurin, të fle dhe të nesërmen e shoh si një ditë tjetër.
Si duket mallëngjimi i një poeteje?
Si elegji, himn e marsh bashkë. Fort i pshtjelltë!
A ndiheni e huaj në Prishtinë?
Asnjëherë!
Kush është Donika Dabishevci?
Një prej atyre 7.6 miliardë banorëve, por që mundohet të jetojë ndershmërisht mbi këtë tokë.
ObserverKult