Ju ftojmë të ndiqni në interpretim të aktorit të njohur Leka Sefla njërën nga poezitë më të njohura e njëkohësisht më të diskutueshme në botë “Ngadalë vdes…”. Kjo shkaku që autorësia e saj fillimisht iu mvesh të madhit Pablo Neruda.
—————–
“Ngadalë vdes” – poezia e njohur nuk është shkruar nga Pablo Neruda
Jetojmë në kohën e rrjeteve sociale. Gjithçka shpërndahet kaq shpejt dhe në përgjithësi njerëzit kanë një kohë të shkurtër përqendrimi, çka do të thotë se vendin e shkrimeve të gjata dhe librave po e zënë vargjet e shkurtra, si dhe shprehjet e frazat. Këto të fundit i kemi qejf shumë, sidomos kur iu atribuohen mendjeve të mëdha. Por interneti i shpërndan fjalët me shpejtësinë e dritës dhe nëse një lajm bëhet, si i thonë në gjuhën teknologjike, viral, shumë pak mund të bëhet për ta prapësuar nëse nuk është i vërtetë.
Para disa muajsh kishim një shkrim pikërisht për këtë temë, me shprehje të mbledhura nëpër portale dhe rrjete sociale që u atribuohen shkrimtarëve të njohur, por që në fakt nuk janë thënë prej tyre.
Një nga autorët që i atribuohen më shpesh fraza të tilla është Mark Tuein. Kjo ka një arsye. Tuein njihet gjerësisht për një sens të hollë humori dhe nëse njerëzit lexojnë një frazë që i atribuohet atij, menjëherë përgatiten të vënë buzën në gaz.
Më fatkeq është rasti i një autoreje braziliane.
Quhet Martha Medeiros, është autore e një sërë librash si dhe reportere për gazetën “Zero Hora”,të Porto Alegros. Në vitin 2000, Medeiros botoi një poezi me titull “A Morte Devagar”.
Për nëntë vitet në vijim, shumë pak vetë e kishin lexuar këtë poezi, derisa në vitin 2009, në rrjet nisi të shpërndahej fillimisht në anglisht me titullin “Dying Slowly”.
Dalëngadalë vdes ai që bëhet skllav i zakonit,
që përsërit të njëjtat gjëra çdo ditë,
që nuk ndryshon rrugë,
që nuk rrezikon,
që nuk ndryshon ngjyrën e veshjeve,
që nuk i flet atij që nuk e njeh.
Problemi i vetëm: poezia i atribuohej Pablo Nerudës. Në fillim, autorja nuk u shqetësua shumë, por me kalimin e viteve, “Vdes ngadalë” u kthye në një hit dhe të gjithë e njihnin me autorësinë e Nerudës. Mjafton një kërkim i thjeshtë në Google për ta kuptuar këtë.
Kështu, poetja braziliane iu drejtua fondacionit “Neruda”. Ajo pranon se e admiron Nerudën, por dëshiron që të njihet puna dhe krijimtaria e secilit.
Vetë fondacioni nxori menjëherë një deklaratë për shtyp, ku pranon se Neruda nuk është autori i poezisë së njohur. Megjithatë, të dyja palët tashmë e kanë kuptuar se lufta me internetin është e humbur./ Elona Qose
ObserverKult