Dalin nga fondi i Muzeut eshtrat e shenjtorit, rikthehen në Manastirin e Elbasanit

Në një ceremoni të përkorë, si do t’i shkonte për shtat një shenjtori, Ministria e Kulturës dhe Muzeu Historik Kombëtar, dorëzoi dje në manastirin e Shën Gjoni Vladimirit në Shijon të Elbasanit, lipsanet (eshtrat) e shenjtorit, që ruheshin në MHK.

Në mënyrë simbolike, dy arkëzat që mbanin copëza eshtrash, që rrugëtojnë nëpër altarë kishash e manastiresh, që prej shek. X. iu dorëzuan Mitropolitit të Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, Imzot Andonit, nga ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, e cila çoi përpara procesin për plotësimin e kërkesës së Kishës Ortodokse Autoqefale dhe komunitetit të besimtarëve të Elbasanit. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama.

“Gjatë gjithë historisë së saj, Shqipëria është karakterizuar nga bashkëjetesa fetare; kemi festuar festat e njëri-tjetrit dhe kemi gëzuar me njëri-tjetrin. Asnjëherë feja nuk ka qenë një faktor përçarës mes nesh dhe këtë shembull, që me krenari ia përçojmë botës, po e ndjekim edhe në raportin mes shtetit edhe fesë. Një raport që ka qenë fatal përgjatë diktaturës komuniste, kur me ligj shqiptarët e kishin të ndaluar të besonin në Zot. Por sot jemi në të tjera kushte dhe të gjithë jemi dëshmitarë për punët e mira që kemi bërë së bashku, për t’u ardhur në ndihmë të gjitha komuniteteve fetare, përmes restaurimit të objekteve të kultit-monumente kulture. Rasti i sotëm është një tjetër dëshmi e vullnetit të përbashkët për të bashkëpunuar”, tha ministrja Margariti.

Arkëzat që mbanin eshtrat e shenjtorit udhëtuan nga Tirana drejt Shijonit dhe pasi iu dorëzuan Mitropolitit përpara dyerve të kishës, u futën në ambientet e brendshme, ku u mbajt edhe një ceremoni e shkurtër fetare. Më pas, beLipsanet e Shën Gjon Vladimirit iu dhanë Mitropolisë në përdorim Dalin nga fondi i Muzeut eshtrat e shenjtorit, rikthehen në Manastirin e Elbasanit Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, dorëzoi në mënyrë simbolike arkëzat e shenjta në Manastirin e Shijonit simtarët e mbledhur me këtë rast, u lejuan që t’i vizitonin ato nga afër. Imzot Andoni, në emër të Kishës Autoqefale Ortodokse dhe besimtarëve të zonës, shprehu falënderimet për plotësimin e kërkesës së tyre, që eshtrat e shenjtorit të vendoseshin në vendin që u takon. “Le të shpresojmë që ky bashkëpunim do të vijojë më tej”, u shpreh Imzot Andoni.

MARRËVESHJA

Dorëzimi i lipsaneve u shoqërua me një marrëveshje të nënshkruar nga drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, dhe Imzot Andoni, për detyrimet dypalëshe për ruajtjen e tyre. Bëhet fjalë për një kontratë “për dhënien në përdorim” të lipsaneve, që do të vijojnë të jenë nën pronësinë e Muzeut Historik Kombëtar. Sipas kontratës, Mitropolia e Elbasanit është përgjegjëse në ruajtjen e tyre në kushte të përshtatshme.

Sjellja e lipsaneve të Shën Johan Vladimirit, të cilat prej vitesh ruheshin në fondin e Muzeut Historik Kombëtar, është rezultat i një pune të gjatë, jo pak të vështirë, për gjetjen e hapësirave ligjore që na e lejonin dorëzimin e tyre për një periudhë 5-vjeçare në këtë manastir që mban emrin e shenjtorit, këtu në Shijon të Elbasanit, e ku ato marrin vlerën e tyre të vërtetë. Ministria e Kulturës ka për mision të ruajë e të promovojë trashëgiminë tonë kulturore, por edhe të respektojë sensibilitetet e komuniteteve fetare. Ndaj edhe ky është një akt që u përgjigjet kërkesave të vazhdueshme të komunitetit të besimtarëve ortodoksë. Angazhimi nga ana jonë ka qenë maksimal dhe ka pasur vëmendjen e posaçme të Kryeministrit Edi Rama”, tha ministrja Margariti. Ajo shprehu besimin se lipsanet e shenjta do të ruhen me të njëjtin kujdes nga ana e Mitropolisë së Elbasanit, siç ishin ruajtur në institucionin e muzeut për vite me radhë. Për të shprehur vëmendjen dhe dëshirën e qeverisë shqiptare për të mbajtur një dialog të shëndoshë me komunitetet fetare, Margariti shtoi se “Në programin e Ministrisë së Kulturës ‘Rrugët e besimit’, që fokusohet vetëm tek objektet fetare, numërohen 235 objekte kulti, mes të cilave 198 kisha, ku ne kemi kryer ndërhyrje restauruese apo kemi gati projektet e ndërhyrjeve”.

SHENJTORI

Dorëzimi i eshtrave të shenjtorit u zhvillua shumë pranë Festës së Pashkëve Ortodokse, por edhe pranë festës së kremtimit të vetë shenjtorit (22 maj-4 qershor). Emri i Shën Gjon Vladimirit nuk është i njohur vetëm në zonën e Elbasanit, por në të gjithë Shqipërinë e në gjithë rajonin ballkanik. Gjon Vladimiri ka qenë një mbret shumë i përshpirtshëm i Ilirisë dhe sundonte mbi një hapësirë të gjerë të rajonit të Ballkanit. Ishte bamirës e ngriti shumë kisha e manastire. U vra në mënyrë të pabesë e që atëherë u adhurua si shenjtor dhe eshtrat e tij udhëtuan nëpër kisha e manastire e u nderua nga besimtarët. Për nder të tij, në fshatin Shijon të Elbasanit u ngrit manastiri i Shën Gjon Vladimirit. Ky monument kulture i kategorisë së parë i përket shek. XVIII. Një objekt i ruajtur mjaft mirë dhe funksional, ku besimtarët ortodoksë kryejnë shërbesat fetare./panorama.al