Piktorja Shkurte Ramushi teknikë të preferuar i ka ngjyrat e vajit në pëlhurë e letër. Për pikturat e saj frymëzohet nga natyra, shoqëria, por edhe ndjenjat e saj.
Në tri pikturat të cilat i janë bërë pjesë e platformës që promovon artistët e që është me bazë në Londër, në fokus ka pasur dashurinë dhe gruan. Pikturat, ani pse të realizuara në periudha të ndryshme, gërshetohen mjaft mirë me njëra-tjetrën. Shfaqin faza të ndryshme nëpër të cilat ka kaluar artistja dhe emocionet e saj nëpër periudha që kanë lënë gjurmë. “Love” (2013), “Eternal love” (2017) dhe “SelfLove” (2019) do të qëndrojnë të ekspozuara për një muaj në platformën online “Dark Yellow Dot”. Artistja, 28-veçare, është zgjedhur në mesin e tetë artistëve që kjo platformë online do t’i promovojë gjatë këtij muaji.
“Dark Yellow Dot” është një hapësirë për të mbështetur artistët e rinj dhe për të krijuar mundësi bashkëpunimi.
“’Dark Yellow Dot’ shfaq mundësi për artistët e rinj për të lidhur partneritet me organizata të cilat kujdesen që të vënë në pah artistët e vërtetë, për të bërë artin të qasshëm për njerëzit real”, është përshkrimi i kësaj platforme, e cila po ashtu shërben si hapësirë ekspozuese dhe që organizon ngjarje dhe punëtori. E punën e kësaj platforme, artistja shqiptare ka dy vjet që e kishte përcjellë. Shpeshherë i kishte shpërndarë punime e saj edhe me “hashtagat” që promovonte kjo platformë për të arritur të sa më shumë artistë. E kishte parë të nevojshme që ta sfidonte veten për t’i hyrë edhe garës “Artisti i muajit”, transmeton ‘koha.net’.
“Kam dashur ta sfidoj veten, sepse gjatë periudhës së pandemisë Instagrami dhe rrjetet e tjera sociale kanë qenë platformat më të fuqishme për publikim dhe për marketing të artit. Për mua janë si tavolinë pune”, ka thënë Ramushi. Ka treguar se kohëve të fundit, sidomos për shkak të pandemisë, kishte shfrytëzuar mundësi të ndryshme për të ekspozuar online dhe kishte marrë pjesë nëpër seminare e. Së fundi punimi i saj ishte publikuar edhe në faqen e njohur dedikuar artit, “ARTSY”.
“Konkurrenca ka qenë e madhe duke pasur parasysh se platforma artistike ‘Dark Yellow Dot’ vepron edhe jashtë Londrës. Kur kam aplikuar kanë qenë disa kërkesa, ani pse aplikimi është pa pagesë. Edhe numri i veprave ka qenë i caktuar dhe sigurisht edhe rregullat e tjera. Selektimi bëhet në mënyrë kuratoriale dhe sigurisht kjo është një mundësi shumë e mirë për rrjedhjen e karrierës sime artistike”, ka thënë ajo.
Ramushi ka treguar se përzgjedhja e veprave të saj – “SelfLove” 60 me 80 centimetra, punuar në vaj në pëlhurë dhe “Love” e “Eternal Love” të dyja të punuara me vaj në letër, 50 me 70 centimetra – për këtë platformë ka qenë një vendim i bazuar në ndjenjat personale që ajo ka dashur që t’iu kushtojë rëndësi.