Dashnor Kokonozi: Atë që më kë bërë ti, nuk ma ka bërë kush!

dashnor kokonozi:

Nderi shpërblehet me nder, nga Dashnor Kokonozi

E pashë së largu duke u afruar si një qerre lufte. Zhurma e rrotave ishte qeshja e saj, shtiza: krahu i frikshëm i shtrirë përpara. Ktheva kokën të gjej e të mëshiroj viktimën. Pa më shkuar ndër mend se isha unë vetë. Më shtrëngoi fort dhe, aty ku kisha humbur, midis gjinjve të saj të hatashëm, më puthi në faqe.
– Çfarë dreqin do t’i kem bërë? pyesja veten.

Përgjigjen e mora menjëherë.
– Atë që më kë bërë ti, nuk ma ka bërë kush!
Para vështrimit tim prej idioti më kujtoi se dikur i kisha siguruar vend në një konvikt shtetëror vajzës së saj që kishte ardhur disi me vonesë, për një master në Francë. Nuk kisha bërë gjë tjetër veçse kisha transferuar dosjen e saj në adresën e duhur.
– Një kafe?- e pyeta, i demoralizuar se e dija që nuk i shpëtoja dot.
– Një kafe? Atë që më ke bërë ti, nuk ma ka bërë kush!
Mendova se mos tani zakoni e do që t’i kërkoj ndjesë. I shqiptonte me aq aht ato fjalë sa nuk e kuptoja nga anonin.

– E sheh atë? – më pyeti duke më treguar një restorant, në trotuarin tjetër, do të hamë drekë bashkë.
Me sa po kuptoja, isha ndodhur në vendin e gabuar në kohën e gabuar.
Më tërhoqi deri në anën tjetër të trotuarit dhe e shtyu me këmbë derën e restorantit. Ndihesha si i arrestuar. Kisha përshtypjen se me të arritur në mes të sallës së vogël, do të ngrinte zërin e do të thoshte: Kontrolloni xhepat! Nëse ju mungon gjë, je tek e keni fajtorin. Po jua lë gjysmë ore në dorë. Pastaj do ta marr prapë.
Nuk tha asgjë.

Për lumturinë time, salla ishte plot. M’u ringjall shpresa se do t’ia hidhja vetëm me një kafe. Herë tjetër duhej të hapja sytë mirë nëse nuk doja të gëlltisja një legen me qofte.
– Shkojmë te lulishtja përballë për kafenë, – i thashë, – këtu nuk ka vende.
– Jo, turfulloi. Do të hamë këtu. Nuk kam ku të gjej herë tjetër. Atë që më ke bërë, ti nuk ma ka bërë kush!
– Nuk mund të pres gjatë, se isha nisur…
– Nuk do të presësh hiç!

Lëshoi krahun tim dhe nisi të kërkojë në fundin e çantës së saj, nga ku nxorri një hekur hekurosjeje, dy priza elektike, nje bostan dhe së fundi një telefon. Pa formuar asnjë numër, e vuri menjëherë në vesh dhe nisi të bërtasë, mu aty te dera e sallës s restorantit.

– Nuk të kam thënë se nuk më pëlqen hiç ai tipi yt? – bërtiti, – a nuk të kam thënë se ai tallet dhe ti e beson si e verbër se je njeriu i tij më i rëndësishëm? Eja këtu ta shohësh sa e rëndësishme je!
Nuk kam dëshirë të bëhem dëshmitar skenash të tilla, po as nuk e kisha të qartë se çfarë po ndodhte. Vetëm shpresoja të mos qe diçka që lidhej me jetën e vajzës së saj.

Ndërkohë mrekullia po ndodhte para syve të mi. Tutje derës gjysmë e hapur e restoranti, dy çifte u ngritën menjëherë dhe u drejtuan nga kamerieri të paguanin.
Ashtu siç po më mbante nga krahu, ajo më tërhoqi përmes sallës dhe si më vuri duart në shpatulla dhe më uli në një karrige, shkoi dhe zuri vend përballë meje. Qe një tavolinë ku kamerieri nuk kishte patur ende kohë të hiqte pjatat e sapo filluara. Si edhe dy gota vere të lëna përgjysmë…
– Ti nuk e njeh të këtë marifet? – më pyeti ajo
– Jo, ç’është e vërteta…
– Po çfarë ke mësuar t’i atje?
– Nuk e di… Me sa duket asgjë!
– Mos u mërzit. Nuk do të lë të ikësh kështu siç ke ardhur, – më tha duke më parë me keqardhje. – Atë që më ke bërë ti!

Dashnor Kokonozi

ObserverKult

Lexo edhe:

24 FOTOGRAFITË QË TË RRËQETHIN… JA HISTORITË TRONDITËSE QË FSHIHEN PAS TYRE