Nga Leon Lekaj
Cilido lexues që do të ndeshej me një titull të tillë, sigurisht që kishte me i shkue mendja menjëherë tek dashunitë e mëdha, gëzimet, hidhnimet dhe dritëhijet e tyne. Do të kishte mendue për jetët e vshtira dhe të dhimbshme të shumë poetëve, të cilët reflektuen prej pasqyrave të tyre të dashunisë, artin e madh, i cili buron vetëm prej zemrave të mëdha.
Dhe nuk ka se si të mos kujtosh;
Charlotte von Stein, dashunia e madhe e Gëtes, Lidia Avillova, vajza që u dashunue pas Çehovit, Luizë Colet e dashtuna e Gustav Flober, Margarete Steffin, dashunia e Bertol Breht-it dhe dhjetra të tjera, të cilat me hapsinat e gjana të ndjenjave të tyne, lanë gjurmë të pashlyeshme tek poetët në mozaikun e letërsisë botnore.
Por për lexuesit e “Dashnija e pamujtun” të cilët, në titullin e saj presin me ankth të zbulojnë hiret e asaj dashunie, ramja e siparit asht një befasi e kandshme, një befasi, të cilën poeti e lmon me vargje, me thirrje të përvujtuna, me krahësime të ambla.
“…si ke njeh sot?”
I kndohet nji “zoje të randë”. Në romanin në vargje, siç e ka emërtue autori, Gjergj Jozef Kola, “Dashnija e pamujtun”, asht nji hymn i tij për qytetin e lindjes, Shkodrën.
Letërsia jonë, njeh mjaft raste, kur autori ka jetue larg atdheut, dhe i ka kndue atij me pathosin e të ikunit, me mallin e pashuem të të munguemit. Filip Shiroka, Vaso Pasha, Naim Frashëri, Arshi Pipa, e ma së fundi edhe Martin Camaj, janë disa emna të mdhej, të cilët kanë dhanë ndihmesën e tyne të shqueme, nga përtej kufinjve të vendit të tyne. Në vitrinat e librarive, sot ndeshemi edhe me autorë të rinj, të cilët, me mallin e tyne për vendlindjen, konfirmohen gjithnji e ma shpesh në letrat shqipe.
Por edhe ajo botnore, prej të cilës po veçojmë Bertolt Breht, Milan Kundera, Isabel Allende, janë autorë, të cilët kanë provue mbi shpinën e tyne, të shkruejnë larg atdheut.
Pse “Dashnija e pamujtun” e cila i kushtohet Shkodrës, asht nji prej veprave ma të ndieme, ma të arrituna, e ma të bukura që janë shkrue për të?
Ma s’pari më duhet të pranoj se dashunija e Gjergj Jozef Kolës për qytetin që e lindi dhe e rriti (deri n’çastin që ai qytet nuk mund t’ia nxinte ma andrrat dhe dëshirat e tij) asht tepër e gjanë. Ndoshta mosha, në t’cilën Gjergji i len lamtumirën atdheut, asht në nji stad ku gjurmët mbesin të pashlyeshme dhe ksisoj, autorin shpesh herë e gjejmë peng të kujtimeve të ambla të moshës së pakthyeshme.
“…Koha ka zbulue nji tatuazh vetmie” –thotë mes vargjesh.
Klithma ka mbërritë. Nji tatuazh i përkufizuem mbi mbi kohën dhe vetminë e pakufijshme të tij. Rrëqethja prej vargut asht e pavetëdijshme. Rrëshqet hijshëm dhe na hap siparin e një drame, e cila asht e përbame vetëm prej dy fjalëve.
Tatuazh vetmie.
Vetmia e të ikunit ka mure të tejdukshme. Ka mure të dhimshme. Edhe kur nji tatuazh, kërkon me i disiplinue ato, kufijtë e saj derdhen e derdhen. Dhe befasues vijnë vargjet e tjera:
“…Pritja e pafund prej drandofilleve të paçiluna”
Ç’pamje mund të lindë në fantazinë e nji lexuesi të mirfilltë, tue lexue këto vargje? Pritja, ashtu si edhe ikja, janë elementët kryesorë të një të ikuni, por kur themi pritja e pafund, prej “drandofilleve të paçiluna”, atëherë, nuanca e emrit që kemi përpara, shpërbahet në mijra ngjyra, si vetë lulja, e cila në ktë rast asht “fajtorja” për pritjen.
Vargjet hyjnë në shpirt, therin fort, mandej si valë që kanë mbërritë bregun shtrihen të binduna. E duket sikur prej ksaj paqeje shpirti lindin vargjet:
“…Era nuk mori kurrë guximin me ndërtue nji varkë me vela”.
Kësaj here, i malluemi duket sikur zhgrehet krejt në nji akuzë të bardhë, e cila ma shumë se e tillë, tingllon si dëshirë. Akuzon erën dhe guximin e saj.
Sigurisht që Gjergji, si nji autor i cili kërkon edhe modernen në krijimtarinë e tij, nuk mund të qëndronte në shtratin klasik të një poezie . Ai e çon ma andej atë, duke mishërue në trupin e saj elementë të rinj, si e-mailin që nuk mbërriti asnjëherë në Itakën e Penelopës apo metafora të gjetuna mrekullisht, të cilat ta bien afër vendin e adhunuem të autorit. Lexuesi në vargjet e këtij krijimi të mirëfilltë ndeshet me:
…rudhat e territ, …krismën e thyeme të tingujve, …ritmi i natës që flen, …kështjella e dashunisë së pamujtun, …pesha e randë e rrahjeve…grusht yjesh…përjetësija nxen duert e ngrime, e shumë metafora të tjera, të cilat ja hijeshojnë vargun.
Sidoqoftë Gjergj Jozef Kola nuk mbërrin me i shpëtue përsëritjeve të disa fjalëve si: thyeme, tingujve, ylli dhe në disa raste metaforat zgjaten ma shumë se sa duhen, duke e shndërrue shprehjen në nji masë të lodhshme, e tue ba kështu lexuesin, ose dëgjuesin të shpërqëndrohet.
Gjithësesi, romani në vargje i Gjergj J. Kolës, i cili asht interpretue mjeshtërisht prej aktorit Bruno Shllaku, asht nji prumje e bukur në teknikat e sotme të poezisë së recitueme. Gjatë gjithë interpretimit të tij, Bruno Shllaku di ta orientojë dëgjuesin, jo vetëm me tekstin, apo me gegnishten e përsosun, por edhe me interpretimin e tij dinjitoz.
Ndërsa Gjergji, me ndjenjën dhe dashuninë e tij të thellë për vendin e lindjes, Shkodrën, na ka dhurue krijim të mrekullueshëm, i cili do t’i jetojë gjatë kohnave.
Athinë, nandor 2023
ObserverKult
Lexo edhe: