Më parë njeriu mëson fjalën “e dashur” se sa fjalën “dashuri”. Nisi nga fillorja kur shoku im Calja më caktoi Tatjanën si të dashurën time.
-Ti me dhjeta, ajo me dhjeta, -e vulosi ai.
Nga Agim Xhafka
Kur ma tha në fillim qesha, por më pëlqeu shumë. Se Tatjana qe çupkë e bukur, e gjatë, me sy bajame dhe me një të qeshur plot gëzim. Nga ajo ditë u ndjeva më i madh e gjeja sebep që të rrija sa më pranë saj.
Kështu ikën vitet. Nisa tetëvjeçaren dhe pashë që në klasë Tatjana s’qe. E kishte babain oficer dhe u transferua në Fier. Po klasa kishte plot vajza me dhjeta.
Nuk prita Calen që të më caktonte ndonjë. I rashë vetë në shenjë. Ishte Irena. E bukur yll, me sy blu. Si deti i ka, i thoja vetes. Ia fusja kot se unë deri në Pogradec kisha shkuar. Po lexoja libra dhe dija për detin aq shumë sa të lodhja kokën e kujtdo. Dija dhe për hënën madje.
E kjo Irenka më hyri në zemër. Nuk gjeja shpjegim pse e doja. Po ama sa herë vinte pranë meje më mbushej krahu me mornica, sikur afrohej rrymë korrenti atë çast. Zëri më trashej vetiu dhe pandehja se po t’i jepja pak shtysë vetes mund ta kapja për një sekondë tavanin e klasës. Dhe qeshja shumë. Shpesh herë kot, ama dhe Irena qeshte e kështu bënim një duet gazmor.
Unë afërmendsh se guxoja t’i thoja e doja. Edhe ajo nuk e priste kaq guxim se përherë më fliste veç për detyrat e shkollës. Po kaq më mjaftonte. Këtë quaja dashuri. Që rrija ca çaste me të. Ato vite prania e Irenës ishte korniza e pasionit tim. Sigurisht që unë nuk dija fare nga emërtimet. Dhe se si quhej dashuria as e kisha lexuar e as mësuar. Po brenda zemrës i kisha bërë fole. Si ato të dallëndysheve te ballkoni. Dhe kështu atje rrinim bashkë, si zogj, unë dhe Irena.
Më pas mësova plot gjëra për dashurinë. Qe si kalejdoskop që një pamje e tregonte me qindra ngjyra. Në atë kolorit të magjishëm unë zbulova kryesoren; dashuria të bën të fortë. E zbulova duke e provuar në kurrizin tim njomcak.
Në një orë kimie, kur mësuesi më shumë e kishte mendjen nga dritarja dhe pranvera, unë me ca shokë po luanim me llampat e alkoolit në laborator. Nuk e di se si ca shkëndija fluturuan në një pjatë me squfur a përbërje tjetër veç kur klasa u pérfshi nga një buçitje si topat që shtinin për çlirimin imagjinar të Korçës. U trondit shkolla dhe veshët nisën të lëshonin një tingull violinë, por nga ai teli më i hollë. As shihja, as dëgjoja, veç ndjeja duart e qullura që dikush m’i bashkoi e më pas mësova se rridhnin gjak e m’i mbështolli mësuesi të më pakësonte hemoragjinë.
Erdhën ambulancat dhe disa prej nxënësve përfunduam në spital. Unë isha më i lënduari. Me fytyrë të djegur, qepalla të çara dhe me duar shqyer nga mishi, me kocka të dala. Isha i vogël, kështu quhet sot një 14 vjeçar. Më futën te salla e operacionit dhe mes atij tingulli të violinës në vesh ndjeja që dikush më shponte te gishtat e duarve. Doja të klithja nga dhimbja, po në sy më erdhi Irena.
-Ti je heroi im ,-më dha kurajo.
Më pas shihja pa sy sytë e saj blu, buzët e saj flakë të kuqe dhe zemra u ngroh, i dha komanda trurit të rrinte urtë,të bëhesha trim se vajzat nuk i duan frikacakët. Më pas ose do më ketë rënë të fikët, ose më ka zënë narkoza. Mbaj mend që u zgjova në një dhomë mes disa krevatëve. Mbi kokë nëna, babi,gjyshja. Po unë rrija me sytë nga dera. Prisja Irenën, t’i tregoja se kisha qëndruar si trim.
Ai vit rri në memorje si leksion i çmuar dashurie. Nëpër mote pas Irenës caktova plot të dashura e sa herë ndjehesha në situata delikate, që duhej të provohesha ato më jepnin forcë. Dashuria ndaj ka lindur,ndaj e duan të gjithë. Se ua lehtëson dhimbjet, lëndimet, brengat.
Sot e di përkufizimin e dashurisë, me gjithë ngjyrat. E di anën romantike dhe erotike. Dhe në shqip edhe në gjuhë të huaj. Di dhe nënkuptimet më të holla. Ama s’kam gabuar që kryesorja ishte forca. Pa forcë dashuria është si një tokë pa farën e saj. Shterpë dhe e thatë.
U rrita mes halleve, përpjekjeve dhe dashurisë. Qe kjo e fundit pika e Arkimendit, pika ku mbështeta forcën time dhe kalova aq e aq male.
Dashuri më deshe, të desha, më gëzove, më hidhërove, por më mësove. Më mësove shumë…
Calja ma caktoi të dashurën… Sot qesh, por ama nuk i thashë jo zgjedhjes së tij. ..
ObserverKult
Lexo edhe:
AGIM XHAFKA: SONTE MË MUNGON NËNA! IKE E PAGJUMË, E MIRA IME…