Dashuria në diktaturë e tabuja mbi erotikën në letërsinë shqipe

Promovohet “Anjeza nuk u zgjua”, djali i një ministri përdhunon një vajzë  – Është një roman në të cilin kam dashur të tregojë dramën e shansit të vetëm. Të shansit unik. Jam përpjekur të thyej disa tabu që ekzistojnë edhe në letërsinë shqipe në lidhje me erotiken dhe marrëdhëniet e dashurisë e në të njëjtën kohë për të treguar se në kornizën e një sistemi jeta ndjek ligjësitë e saj, nuk është sistemi që përcakton gjithçka. Thirrja e erotikes, thirrja e dashurisë, thirrja e ambicies janë thirrje që ekzistojnë në çdo lloj sistemi, jo vetëm në një sistem”. Kështu e sqaroi romanin e tij më të fundit “Anjeza nuk u zgjua”, shkrimtari Preç Zogaj, gjatë promovimit të mërkurën në mbrëmje. Ai tha: “Është një ngjarje befasuese. Jam një autor që shkruaj shpesh dhe botoj libra edhe në ese e poezi. Promovoj shumë libra. Shpresoj se kam shkruar një libër, kënaqësia e të cilit uroj të kthejë borxhin që ju kam duke u marrë kohën”.

Ai foli për një takim përmes librit dhe shpresa e tij është që të kalojë këtë provë, provën e të kaluarit me dëshirë e me kënaqësi. “Më ka pëlqyer teoria se qëllimi i letërsisë është të japë kënaqësi, të jetë hedoniste, në kërkim të kënaqësisë. Konstatoj me keqardhje se skematizmi është një sëmundje që na kap kollaj. Kalohet nga konformizmi, në klishe mendore e artistike e duke rënë pre e këtyre klisheve. E bën letërsinë jo të vërtetë. Te libri i Vera Bekteshit më ka prekur historia e dashurisë së motrës së Verës me një fshatar në internim. Më ka prekur shumë se jeta ka ligjësitë e veta. Nuk mund ta vëmë çdo gjë në tablonë e sistemeve”, tha Zogaj. Ai vuri në dukje se i ka bërë përshtypje që e kanë pyetur në ka pasur në komunizëm, dashuri e erotizëm. “Si s’ka pas dashuri? Si s’ka pas erotizëm?”, – pyeti ai, duke theksuar se është krijuar një përshtypje e gabuar. “Diktatura përcakton tragjizmin e personazhit tim. Një vajzë e dëlirë, e pastër, e çlirët, që jeta e vendos në një pozitë të vështirë, me udhëtimin e saj, bie pre e disa mjediseve të tjera që e dhunon njeriun e kjo sjell thyerjen e madhe”, shënoi ai.

Duke e vënë veten në grupin e autorëve të traditës, Zogaj tha se njeriu provon të shkruajë prozë sepse janë disa mbushje që kërkojnë prozën për t’u fshehur. Ai tha se shkrimtari ka nevojë të komunikojë më me shumë njerëz. “Jam rikthyer pas shumë vitesh te proza. Unë dua t’u pëlqejë. Se ne vijmë te njëri-tjetrin edhe për miqësi, por e di që te dhoma juaj nuk do e lexoni për miqësi”, tha autori.

Në fjalën e tij para gazetarëve, Zogaj tha se, “përpjekja ime është që të thellohem në marrëdhëniet njerëzore, të thellohem në shtresëzimet shoqërore që ka jeta, se si ato japin e marrin me njëra-tjetrën. Në një kontekst të caktuar, si në romanin tim, prodhojnë edhe tragjedi”.

Vetë Zogaj rrëfeu se autori nuk është i shkëputur nga personazhet e veta, por tha se “personazhi i librit është gjithnjë personazh letrar”. Për Alda Bardhylin proza e ka humbur shkëlqimin e saj të shekullit XIX- XX, por Preç Zogaj e kthen realizmin me këtë vepër në prozën shqipe, duke konfiguruar elementë të rëndësishëm. Ai sjell një qytet letrar, siç ishte ai i Kadaresë në “Kronikë në gur” e tashmë, Zogaj e konfiguron këtë përmes Lezhës. “Më shumë se libër për dashurinë, është një libër për tragjizmin. Është një libër për gruan, e Anjeza është mishërim i përpjekjes së gruas shqiptare për të fituar të drejtat”./gsh