Me të marrë pushtetin, krerët komunistë shqiptarë nisën të banonin në afërsi të njëri-tjetrit, në zemër të Tiranës, në lagjen që u quajt dhe vijon të quhet Blloku.
I rrethuar dhe ruajtur nga ushtarët e Gardës së Republikës në këto kohëra Blloku ishte një oaz i mbyllur për qytetarët e thjeshtë. Krahasuar me pjesën tjetër të popullit, që zinte radhën qysh në mesnatë për një shishe qumësht apo kos, njerëzit që banonin në brendësi të tij, jetonin mes luksit.
Atyre nuk u dhembte koka për përballimin e jetesës, nuk u mungonte asgjë nga ato që politika komuniste e vetëizolimit mohonte për pjesën tjetër, për ata, Europa Perëndimore, ku shkonin, qoftë për një vizitë rutinë mjekësore, ishte fare afër.
Për këto arsye, luksi që pushteti rezervonte për banorët e Bllokut, ishte kryeëndrra e pjesës më të madhe të banorëve jashtë tij.
Në fillimet e pushtetit, në funksion të betonimit të tij dhe kur ishin ende të rinj në moshë, pjesa më e madhe e krerëve komunistë, ishin lidhur edhe më tepër me njëri-tjetrin, me anë të krushqive të ndryshme.
Brenda Byrosë Politike dhe mes krerëve më të lartë të shtetit kishte të paktën 4-5 grupe të lidhur mes tyre me anë të krushqive, do me thënë përmes gjakut.
Lidhjet përmes krushqive që historia i njihte qysh nga Mesjeta, apo edhe më herët, kishin dëshmuar për stabilitet politik dhe pushtet më të siguruar – përftime që së bashku ndërtonin me baza të shëndosha jetëgjatësinë në pushtet.
Dhe sa duket, krerët komunistë shqiptarë në këtë pjesë të jetës ja panë hajrin këtyre lidhjeve.
Porse në vitet 1970-1980, kur radha u erdhi fëmijëve, formula e krushqive në Bllok befas ndryshoi.
Gjithçka do të mësohej në vitin 1972, kur Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, thirri në një takim Kadri Hazbiun, Ministrin e Brendshëm të kohës.
Njëri nga djemtë e tij, prej rreth një viti shoqërohej me Pranverën, të bijën e drejtuesit më të lartë të vendit, por sa duket, trashja e lidhjes dhe krushqia eventuale, nuk ishin pëlqyer.
Nexhmije Hoxha e kishte refuzuar lidhjen, apo në rastin më të keq kishte maskuar refuzimin duke u fshehur pas një udhëzimi të Enverit. Sipas tij, lidhje të drejtpërdrejta krushqie, mes fëmijëve të anëtarëve të Byrosë Politike apo të zyrtarëve të lartë të shtetit, nuk duhet të kishte.
Por jo të gjithë e zbatuan këtë rregull të ri. Bija e Adil Çarçanit dhe i biri i Manush Myftiut u lidhën mes tyre dhe në të njëjtën kohë u fejua edhe i biri i Enver Hoxhës me të bijën e të vëllait të Ramiz Alisë.
Një ndër familjet që nisi ti qëndronte besnike udhëzimit të Enver Hoxhës, ishte ajo e kryeministrit Mehmet Shehu. Por, sipas Bashkim Shehut, dikur, edhe i ati, duke parë situatën, tenton të krijojë një lidhje krushqie me Ramiz Alinë dhe më tej edhe me Enverin.
Gjithsesi fillimisht gjithçka u duk se po shkonte mbarë. Sipas porosisë së Enver Hoxhës, qysh në vitin 1973, Vladimiri, djali i madh i Mehmet Shehut, u martua me një vajzë jashtë Bllokut dhe të njëjtën gjë bëri edhe djali i vogël i Enverit – Sokoli, që u fejua qysh në shkollë të mesme me Liljanën – një vajzë që nuk kishte lidhje me Bllokun.
Por pavarësisht formulës së re, lidhjet dashurore të fëmijëve të banorëve të Bllokut, do të rezultonin problematike krahasuar me ato të prindërve të tyre.
Edhe pse pa ndonjë lidhje me tradhtinë të kanalizuar në formulimin “ndaj Partisë dhe Atdheut”, shpesh e më shpesh, për shkak të tyre do të konsumoheshin drama njerëzore që në ndonjë rast do të implikonin dhe shkatërronin edhe jetën e protagonistëve, prindërve dhe familjeve të tyre.
Në familjen e Enver Hoxhës telashet do të mblidheshin rreth vajzës së vetme – Pranverës. Një dashuriçkë e saj me djalin e një piktori të vlerësuar të realizmit socialist do të ndërpritej me përdhunë nga vetë Enver Hoxha. Por zërat se ajo preferohej apo dashurohej dhe ndalej në rrugë për të biseduar nga një volejbollist i njohur i ekipit të Dinamos, do të sillnin pasoja fatale…
Pikërisht historitë e krushqive fatale të Bllokut solli në tv ABC dokumentari më i ri i emisionit Abc/Story i gazetarit Ferdinand Dervishi./ Abcnews.al