Daut Dauti: Ne veriorët Tiranës ia ndjejmë erën e Mediteranit!

dyqani shqiptar

Nga: Daut Dauti

Aeroplani me të cilin udhëtova nga Londra për Tiranë ishte plot me të huaj. Për herë të parë më ka ndodhur që të udhëtoj për Shqipëri me aeroplan në të cilin udhëtarët shqiptarë janë minoritet i pavërejtur. Edhe pse muaji është tetor, turistët nuk kanë të ndalur.

Duke e pritur aeroplanin një grua afër meje fliste maqedonisht. Ishte pa dyshim maqedone se këtë gjuhë e fliste si amtare. Kur e ndali telefonin dhe duke e futur në çantë, i cingërroi dhe kur e hapi ia krisi shqip:’O shpirt, isha duke folur me babin… Mirë oj zemër”.

Çdo të dytën fjalë që e thoshte, ishte zemër apo shpirt. Fliste me vajzën apo djalin e saj. Por, shqipja që e fliste ishte po ashtu amtare, si maqedonishtja. Më krijoi konfuzion në mendje.

Ne veriorët Tiranës ia ndjejmë erën e Mediteranit. Ky qytet ka ndryshuar shumë nga ai i vitit 1992 që e mbaj në mend kur e kam vizituar për herë të parë. Atëherë mezi gjeje ndonjë vend ku mund të haje bukë. Tash restorantet janë të shumta, të lloj-llojshme dhe plot me të huaj. Për ta gjetur hotelin më lehtë, e pyeta një çift. Ata ma kthyen me një anglishte të çalë: ’Albanian is no our language’.

‘What is your language?’ – i pyeta unë.

‘Italian’ – u përgjegjën.

Pronarët e hotelit të llojit që tashti i thonë butik, ishin një çift i moshuar. Një mosmarrëveshje të rezervimit me ‘booking.com’, e zgjodhëm lehtë, por pronarja insistonte të kryhej pagesa menjëherë dhe atë me lekë ose euro. Unë kisha vetëm kartelë dhe pound britanike. Vija nga një vend që nuk e njeh lekun dhe euron. Pronari u tregua i arsyeshëm duke i thënë gruas për mua ‘aman se është i joni ky’ sa për ta mbyllë muhabetin e pagesës.

Këta dy ishin të sjellshëm pa dyshim. Tërë kohën e shikonin vetëm atë kanalin televiziv ku jepen filmat e vjetër të Kinostudios. Filma që trajtojnë vetëm dy tema: lavdërimin e punës kolektive socialiste dhe kultivimin e pushtetit komunist.

‘Ende po i shikoni këta filma?’ – i pyeta një ditë.

‘Ja, ne me këto gjëra mbahemi’ – u përgjigj pronarja.

Kjo nuk është vetëm punë nostalgjie. Për gjeneratat e vjetra vlenë thënia: Gjërat që piqen, vështirë hiqen. /ObserverKult


Lexo edhe:

SOKRAT HABILAJ: MOS SHKRUAJ VARGJE DASHURIE PËR MUA!

Të lutem mos shkruaj vargje dashurie për mua!

Se mund të mendosh që kur bien netët,
Më këndon si fllad, apo thjesht si hënë.
Pastaj, hutaq si të gjithë poetët,
Buzën time e lë krejt të pa ngrënë.

Se mund të mendosh që ti nëpër rreshta,
Krijon edhe jetë, nën strehë reje.
Dhe harron pa dashje, gjëra të thjeshta,
Që bota krijohet veç brenda meje.

Se mund të mendosh që çdo pëshpërimë,
Ti nis e ma kthen në vargje me ngutje.
Dhe harron, i dehur, se asnjë rimë,
As gjithë vargjet s’vlejnë sa një puthje.

Se mund të mendosh që fjalë mrekullish,
Shkruhen në libra, a letër së paku.
Dhe harron se dua gërvishtje në mish,
Sikur pas çdo germe, të shpërthejë gjaku.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult