Jeronim De Rada: Koha e dashurisë, sado që zgjatë, është koha më e bukur e jetës së njeriut

Nga Jeronim De Rada

Koha e dashurisë, sado që mund të zgjasë, qoftë pak, qoftë shumë, është koha më e bukur, e jetës së njeriut. Por, në jetën tonë, çdo gjë kalon, pra, edhe dashuria e lumtur; kudo që të shfaqet, nuk është e përhershme, për shkak se njeriu në thelbin e tij nuk është i përsosur. Veç devijimeve dhe zhgënjimeve, andrallat e ndryshme dhe vetë koha kanë peshë aq të madhe, saqë e venitin dashurinë.

Por, edhe me largimin e dashurisë, kjo vazhdon të jetë burim për një jetë shpirtërore më të lartë ose sepse te të dashurit mbetet dëshira për një botë më të mirë, ose sepse të dashurve u vjen keq që s’e patën forcën e nevojshme të brendshme për ta mbajtur gjallë dashurinë, e cila prej tyre vlerësohet si një parajsë, prej se cilës çifti i të dashurve dëbohet, sepse e humbi pafajësinë.

Kështu, dashuritë e larta, edhe kur shuhen, gjithmonë i bëjnë shpirtrat më të mëdhenj. Pra, martesa, që krijohet për ta veçuar dashurinë dhe për ta mbrojtur nga bota e jashtme që aq fort e lufton, mbetet kështu i vetmi liman, ku ujrat janë më të qeta. Te ky liman dhe afekti që po venitej, kur shpirtërat janë bujarë, ringjallet nga kujtimet e dikurshme, të cilat, edhe po të mos jenë të bukura sa dikur, prapëseprapë janë të përshkuara prej respektit dhe të përgatitura për perëndimin që u afrohet nën hijen e tyre.

Për prindërit është një punë e nderuar që të kujdesen, krahas detyrave të tjera, veçanarisht edhe për kalitjen e trupit dhe të shpirtit të bijve dhe bijave të tyre, në mënyrë që të mos krijojnë pastaj zhgënjime në dashurinë e njeri-tjetrit, që e kishin martesën e tyre vend pushimi, si kur të qëndronin sipër fronit të botës, të mbrojtur në strehën më të natyrshme të tyre.

*Shkëputur nga libri i Jeronim De Radës: “Parime të estetikës” përgatitur nga Prof. Alfred Uçi

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

ÇKA THOSHTE JERONIM DE RADA PËR GJUHËN SHQIPE?

ObserverKult