Nëse vendos të marrësh ikjen
Drejt fushave të vetmuara të dritës
Damarët e qafës shqyemi
Me copën më të mprehtë
Që pendueshëm ra nga qiejt e krisur
Ku fshihen lotët këndpërthyer
Të hënës së vrarë
Në natën e gjallë.
Më varros në dridhjen e shtatë të shpirtit
Në kanionin ku puthjet gjallërojnë shkëmbinjtë
E gdhendur nga butësia e prekjes së ndaluar
Vetëm për t’u adhuruar më pas
Nga sytë e përlotur
Të fajkoit të plagosur.
Më fshih në trokëllimën e zileve të largëta
Që lajmërojnë ardhjen e lumenjëve prej gjaku
Mbi të cilët pluskojnë rrëmbyeshëm
Kufoma të nevrikosura shenjtërish
Më fshih se kam frikë
Nga flakët e epshit
Mbi portën e ferrit.
Nëse vërtetë më ke dashur
Qoftë dhe për një moment të shkurtër
Kur deheshim në pasion shkatërrimtar
Dhe humbeshim në planetin e huaj
Të puthjeve hyjnore
Larg maktheve mizore
Atëherë më vrit
Dhe brenda trupit tënd
Ma fshih kufomën e shkretë
Të premtoj, më i dashuri im
se tërë qenia jote
veç aromë akaciesh do të ketë…
*Titulli i origjinalit: “Paralutje në prag të ndarjes”
ObserverKult
Lexo edhe:
DEA BASHA: MË FAL I DASHUR QË NUK TË DASHUROJ DOT… ASHTU SIÇ DASHUROJNË VDEKATARËT…