Debatet në mbledhjen me Ramiz Alinë/Dritëro Agolli: Veprat më të mira të Kadaresë janë trajtuar keq nga…

gabimi nusja nga kosova dritëro agolli poezi observerkult
Dritëro Agolli

Nga Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që i përkasin vitit 1990, ku ndodhet një procesverbal i mbledhjes së sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së.

E cila si pikë kryesore të rendit të ditës, kishte “mbi disa çështje të krijimtarisë së sotme kinematografike” dhe në atë mbledhje e cila drejtohej nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ramiz Alia, përveç sekretarëve të Komitetit Qendror si: Foto Çami, Hekuran Isai dhe Lenka Çuko, merrnin pjesë edhe disa prej funksionarëve më të lartë të udhëheqjes partiake e shtetërore të asaj kohe, si:

Spiro Dede, Abdyl Backa, Ali Vukatana, Sotir Koçollari, Alfred Uçi, Dritëro Agolli, Lisen Bashkurti, Skënder Gjinushi, Neritan Babamusta, Dhimitër Shandro, Marash Hajati etj. Proces-verbali i plotë i zhvillimit të mbledhjes me bisedat e diskutimet në mes Ramiz Alisë e udhëheqjes së lartë partiake e shtetërore të asaj kohe, me drejtuesit kryesorë nga sektori i krijimtarisë të Kinostudios “Shqipëria e Re”, si: Teodor Laço, Dhimitër Anagnosti e Nexhati Tafa, të cilët u ndalën gjatë në problemet e kinematografisë shqiptare.

“Të dy rrugët duket se janë racionale dhe me dobi. Janë të domosdoshme dhe studimet e plota, p.sh. studentët e degës së regjisë në Institutin e Lartë të Arteve, mund të studiojnë për regjisorë pasi të kenë mbaruar 3-4 vjet shkollë. Në përgjithësi dhe në vendet e tjera të botës, regjisorët përgatiten pasi të kenë mbaruar shkollën e lartë. Studimet për regjizurë janë për ta një shkollë e dytë. Madje në mjaft raste ata që përgatiten për regjizurë, nuk shkojnë nga fakultetet e dramës apo të regjisë, por nga fakultetet e tjera, sidomos nga ai i letërsisë.

Këtë deri më sot nuk e kemi praktikuar, por me ato të regjisorit, sepse në kohën e tanishme zakonisht regjisori i filmit është dhe autor ose bashkautor i skenarit. Kjo do të ishte njëra rrugë e përgatitjes së plotë profesionale. Rruga e dytë është që kuadrot që kemi, t’i përgatisim me kurse pasuniversitare me periudhë të shkurtër 1 vjeçare për regjizurë.

Përshembull, ne këtë vit mbyllëm me sukses një kurs pasuniversitar me 4 studentë të regjizurës, të cilët realizuan dy filma të mirë. Për t’u përgatitur në rrugën e parë kemi dërguar një student në Francë që do të studiojë 4 vjet regji. Megjithatë ai është një i vetëm dhe për mendimin tim, duke parë kërkesat që ka sot Kinostudioja, është shumë pak…!”

Kështu u shpreh mes të tjerash në fjalën e tij në një nga mbledhjet e sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së të vitit 1990, Teodor Laço, asokohe shef i redaksisë së skenarëve në Kinostudion “Shqipëria e Re”, mbledhje me temë “Mbi disa çështje të krijimtarisë së sotme kinematografike”, e cila drejtohej nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ramiz Alia, ku përveç sekretarëve të tjerë të Komitetit Qendror, si Foto Çami, Lenka Çuko dhe Hekuran Isai, ishin të pranishëm edhe pjesa më e madhe e udhëheqjes së lartë partiake e shtetërore e asaj kohe që kishin lidhje direkte apo indirekt me artin e kulturën.

Për më shumë se çfarë është diskutuar në atë mbledhje ku përveç Teodor Laços, nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, merrnin pjesë dhe regjisori Dhimitër Anagnosti e skenaristi, Nexhati Tafa, na njeh dokumenti në fjalë me proces-verbalin e asaj mbledhje, që Memorie.al e publikon të plotë dhe për herë të parë në disa numra të rubrikës dossier.

Proces-verbali i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, me kuadrot e sektorit të krijimtarisë së Kinostudios “Shqipëria e Re”

SHOKU RAMIZ ALIA: Këtë parim e mbështes dhe unë, veç lidhja e këtyre dy hallkave duhet të jetë e tillë, që me të ardhurat e filmave Kinostudioja të jetë në gjendje të ndërtojë dhe salla kinemaje.

SHOKU ALFRED UÇI: Të ardhurat nga kinematë do të vijnë duke u përmirësuar. Ka dhe një problem tjetër. Filmat e Kinostudios jepen jo vetëm në sistemin tonë, por edhe në atë të MPB-së, MMP-së, Televizionit. P.sh., Televizioni merr rreth 100 filma në vit nga Kinostudioja dhe jep për ta një shpërblim fare minimal. Kështu ndodh dhe në institucionet e tjera, prandaj të ardhurat që sigurohen nga këto filma nuk janë realë. Në fakt të ardhurat nga filmat janë të mëdha, por ato nuk grumbullohen nga Kinostudio, por ngelen nëpër xhepa të tjerë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ju duhet të studioni tërë impaktin ekonomik të kësaj çështjeje.

SHOKU ALFRED UÇI: Kemi propozuar të studiohet tani.

SHOKU RAMIZ ALIA: Mos u mjaftoni vetëm me propozimin por filloni studimin. Puna mbi çdo sektor duhet të ndërtohet mbi baza ekonomike. Në qoftë se Radio-Televizioni merr filma nga kinostudioja ai duhet të paguajë para për ta.

SHOKU ALFRED UÇI: Televizioni paguan vetëm një shumë simbolike.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ai duhet të paguajë aq para sa e gjykoni ju të arsyeshme. Po kështu dhe Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, etj. Kemi thënë që edhe kur t’u duhet për mbledhje Pallati i Kongreseve, Lidhja e Shkrimtarëve, apo ndonjë organizatë tjetër, do të paguajë shpenzimet që bëhen për ngrohjen dhe pastrimin.

SHOKU ALFRED UÇI: Një problem tjetër që u ngrit këtu dhe që duhet parë mirë është prodhimi i 14 filmave. Nuk është nevoja që për hir të numrit, të prodhohet edhe ndonjë film i nivelit jo të lartë. Por ekziston dhe rreziku tjetër që, nëse sot biem dakord që të pakësohet sasia vjetore e filmave, mund të realizohen shumë pak filma. Prandaj në këtë çështje duhet ecur në mënyrë të matur.

Dhe kur të kemi bindjen se nuk kemi skenarë të mirë, atëherë mund të lejonim të mos bëhet ndonjë film që do rriste kot shpenzimet. Megjithatë nga ana e Kinostudios duhet luftuar që të sigurohet një minimum skenarësh rezervë. Vëmendja duhet përqëndruar në kualifikimin e skenaristëve dhe në heqjen e atyre që nuk kanë aftësitë e nevojshme. Ne kemi në kinostudio 3-4 skenaristë të tillë.

Mendojmë që për skenaristët të organizohet një kurs i pandërprerë për një periudhë 5 vjeçare nga i cili mund të dalë çdo vit nga një i tillë. Kështu brenda kësaj periudhe mund të siguronim një grup skenaristësh që do të përballonin më mirë punën.

SHOKU RAMIZ ALIA: Sa filma shqiptarë kemi në qarkullim në një vit?!

SHOKU ALFRED UÇI: Numri është rritur shumë dhe qarkullojnë për një vit 200 filma.

SHOKU RAMIZ ALIA: Për shembull në vitin 1990, sa filma shqiptarë janë vënë në qarkullim nga të vjetrit dhe nga të rinjtë?!

SHOKU TEODOR LAÇO: Për këtë vit, po vihen në qarkullim 14 filma të rinj që po prodhohen dhe 50-60 filma të fondit të vjetër. Disa nga këta filma, janë konsumuar.

SHOKU ALFRED UÇI: Shoku Alfred Uçi: Ndryshe nga disa vite më parë, tani kemi një rezervë filmash dhe mund të bëhet më mirë qarkullimi i tyre.

SHOKU RAMIZ ALIA: Çështja e prodhimit të filmave, varet nga nevoja që ka tregu. Në qoftë se këto nevoja i plotësojmë me filmin ekzistues, duke shtuar dhe filmin e ri që prodhohet, atëherë çështja e prodhimit të 14 filmave në vit, nuk do të jetë më një kufi. Pse është caktuar sasia vjetore prej 14 filmash?! Ajo u caktua atëherë kur ne kishim fare pak filma dhe ishim të detyruar që të përballonim nevojat.

Kjo porosi është dhënë pas Pleniumit të 4 të K.Q. të Partisë në 1974, kur kishim vështirësi dhe nevoja të mëdha për filmat tanë. Po tani që kemi mbi 150 filma shqiptarë, kemi mundësi t’i qarkullojmë.

SHOKU ALFRED UÇI: Vitet e fundit është rritur shumë interesimi për filmin tonë. Nga 50 mijë shikues që frekuentonin më parë filmin tonë, tani numri i tyre ka arritur në mbi 150 mijë. Kurse për filmin e huaj nga 22 mijë shikues tani, ka arritur në afro 200 mijë pra është pesëfishuar.

SHOKU RAMIZ ALIA: Është rritur numri i shikuesve edhe për filmin e huaj, se kanë filluar që të marrin disa filma të rinj.

SHOKU ALFRED UÇI: Ndoshta do të duhet të shtohet importi i filmave të huaj. P.sh., nëse Televizioni ka një film tonin dhe pesë të huaj, nëpër kinema raporti i këtyre filmave është një me një.

SHOKU RAMIZ ALIA: Televizioni i merr disa filma drejtë për drejt nëpërmjet stacioneve të huaja televizive, kurse kinostudio nuk e bën dot këtë gjë.

SHOKU PIRRO KONDI: Sa kushton një film i huaj?!

SHOKU TEODOR LAÇO: Nuk kushton më shumë se 3 mijë dollarë.

SHOKU ALFRED UÇI: Mund të kushtojë edhe 4500 deri në 600 mijë dollarë bashkë me lëndën për riprodhim. Një problem tjetër, është ai i një drejtimi më të mirë nga ana e drejtorisë që është në Kinostudio. Ka nevojë të përsoset drejtimi dhe organizimi i punës në kinostudio, që nga Organizata e Partisë, Bashkimet Profesionale, etj.

Kinostudio ka forca të shumta pune por mungesa e organizimit, ka ndikuar në aritminë e punës. Me gjithë përpjekjet dhe kritikat që janë bërë nga viti në vit, aritmia ka sjellë një ambjentim me situatën jo shumë të shëndoshë në organizim dhe drejtim.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kam edhe unë nja dy mendime. Është objektive që filmi ka një ecuri shumë të mirë. Perspektiva është e mirë por, shqetësimet që dalin përpara janë për tematikën dhe problematikën e filmit sepse, me gjithë përpjekjet që janë bërë ajo është e ngushtë dhe krijon monotoni.

Disa filma, duken si seriale, veçanërisht ato që kanë në qendër drejtorin apo shefin. Kjo ndodh ngaqë në to del një tip drejtori që shfrytëzon postin, një tip shefi që vjedh apo shpërdoron. Ata në çdo film janë pothuajse njëlloj siç ndodh dhe në filmat me kauboj. Kjo e largon spektatorin. P.sh., pas filmit “Hije që mbeten pas”, i cili qe një sukses për kinematografinë tonë, u bënë disa modele të këtij filmi.

Në Kinostudio ka një redaksi për skenarët e cila, ka një përgjegjës, shokun Teodor. Mendoj që kjo redaksi duhet ta ketë parasysh këtë çështje. Të mos lejohen përsëritje të ideve, problematikës, dhe skemave. Ajo i kalon nëpër duar gjithë skenarët. Prandaj duhet të mbajmë lidhje më të ngushta me krijuesit dhe të mos i lejojmë përsëritjet. Skenarët kalojnë për t’u parë dhe në Komitetin e Kulturës, i cili nuk duhet të lejojë një përsëritje të tyre.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ti mendon se Komiteti i Kulturës, duhet të vazhdojë ti shikojë skenarët?!

SHOKU DRITERO AGOLLI: Deri tani ka qenë kjo praktikë. Megjithatë atje nuk mund të lexohen skenarët e plotë. Atje duhet të shkojë vetëm tematika, dhe një rezyme e çdo skenari. Në material është shprehur mendimi se kjo është gjëndja e letërsisë të cilën filmi e reflekton. Nuk pajtohem me këtë mendim sepse filmi, sidoqoftë e ka tematikën shumë të ngushtë. Letërsia ka një tematikë shumë të gjërë dhe është me autoritet të madh.

Ajo nuk matet me krijimtarinë e një viti apo gjashtë muajve. Ka pasur raste që veprat më të mira të letërsisë, janë trajtuar shumë keq nga filmi. Kjo ka ndodhur me romanet e Shefqet Musarajt, me pjesën më të madhe të romaneve të Kadaresë, përveç “Gjenerali të ushtrisë së vdekur”. Veprat e Jakov Xoxes, Petro Markos, Migjenit, Foqion Postolit, Haki Stërmillit, etj., nuk janë bërë fare filma.

Po të shprehesha në mënyrë figurative, ndërsa shtresa e letërsisë është 5 metra, shtresa e filmit është 1 centimetër. Me gjithë respektin që kam për filmin, ai nuk e pasqyron letërsinë, sepse tjetër gjë është letërsia, dhe tjetër gjë filmi.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ti je i mendimit që letërsia jonë, duhet të përdoret më shumë për të bërë filma?!

SHOKU DRITËRO AGOLLI: Jam i mendimit se letërsia duhet të përdoret më shumë dhe më thellë, të mos trajtohet përciptazi. Filmat që bëhen, me përjashtime të rralla, qëndrojnë më poshtë se materiali letrar mbi të cilin bazohen. Duhet të ketë normë për të bërë skenarë. Shkruaj për qejf ndonjë skenar, kur më kërkojnë bashkëpunim regjisorët. Prandaj kam mendimin se, po të mos ketë skenarë të mirëfilltë Kinostudioja, siç kemi, p.sh., Nexhatiun, nuk mund të realizohen skenarët e nevojshëm në sasi dhe cilësi.

Edhe Nexhatiu mund të ishte bërë shkrimtar, novelist, tregimtar, unë e njoh krijimtarinë e tij, por ai i’u përkushtua filmit, ku ka krijuar personalitetin dhe individualitetin e tij të veçantë. Pra skenaristët duhet të krijojnë skenarë, pa hequr dorë nga bashkëpunimi me shkrimtarët. Në të njëjtën kohë duhet shfrytëzuar dhe vjelë veprat letrare më të mira.

Në qoftë se skenarë do të bëjnë vetëm skenaristët, atëhere krijimi i skenarëve do të kthehet në industri. Duhet të bëjnë skenarë të gjithë shkrimtarët.

Nuk jam dakord edhe me mendimin që të mos prodhohen 14 filma në vit. Për prodhimin e filmave duhet të ketë një marzh prej 13-14 filmash në vit. Kjo traditë tashmë është formuar, sikurse ndodh edhe me daljen e gazetës. P.sh., gazeta “Drita” del një herë në javë. Meqënse në këtë gazetë nuk dalin gjithmonë materiale të mira, duhet të themi se ajo duhet të dalë një herë në dy javë?! Për daljen e gazetës janë vënë disa rregulla që duhen zbatuar dhe kjo çështje nuk duhet lënë në dëshirën tonë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Të meta ka edhe në “Zërin e Popullit”. A rregullohen ato duke pakësuar një numër gazete?

SHOKU DRITËRO AGOLLI: Edhe në qoftë se do ta heqim një numër të “Zëri i Popullit”, nuk besoj se rregullohet cilësia e shkrimeve. Edhe për sasinë e filmave, po ta kemi planin shtatë filma në vit, do të pretendohet më vonë që të mbeten pesë.

Ndërsa vetë shkrimtarët dhe artistët do të kërkojnë që të bëjnë më shumë skenarë dhe do të na duhet që të marrim një vendim më vonë që ta ngremë numrin vjetor të filmave në 16. Prirja e sektorit të kinematografisë shkon drejt rritjes.

Lidhur me përgatitjen e kuadrit regjisor, do të thosha se përveç studios së vjetër që është forcuar dhe ka përgatitur gjithë ata kuadro, është edhe Instituti i Lartë i Arteve. Kam përshtypjen se këtij të fundit ne e nën vleftësojmë. Atje duhet të ketë specialist edhe për regjisorë të filmit, por edhe për regjisorë të teatrit mezi i përgatitin.

Ka më shumë një prirje që edhe regjisorin ta kthejnë në aktor, sepse në këtë institucion ekziston një mendim që po nuk ishte aktor i mirë, nuk bëhesh regjisor i mirë. Nuk është plotësisht kështu. Habitem që studenti i vitit të katërt në Institutin e Lartë të Arteve, nuk ka të drejtë të vërë në skenë një pjesë teatrale ose një skenar të vogël të tij. Edhe këto pjesë vënë në skenë profesorët dhe regjisori student, kthehet në aktor.

Pra ai e merr diplomën si aktor, jo si regjisor. Diploma e regjisorit nuk duhet të jetë vënia në skenë e një vepre. Megjithëse kam mendimin se shifra e 14 filmave në vit, mos të jetë e prerë, e palëvizur, ajo mund të jetë si orientim, pastaj a realizohen 12 apo 13 filma, kjo çështje mund të shikohet, ashtu siç mund të manovrohet duke prodhuar ndoshta ndonjë film me metrazh të shkurtër, për të plotësuar numrin./Memorie.al

—————-

Lexo edhe:

Debati i Ramiz Alisë me drejtuesit e Kinostudios: Pse deri tani nuk keni mundur të shisni në Perëndim asnjë nga filmat tanë?

ObserverKult