Debati mbi varësinë e Operës: E vërteta mbi deklaratën e ministres, artistët kërkojnë sqarime

 “Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit duhet të dalë jashtë skemës së varësisë nga shteti”. Ishte kjo fraza e artikuluar nga ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, pak ditë më parë, që ka ngjallur një sërë reagimesh dhe pikëpyetjesh nga ana e artistëve që punojnë në këtë institucion, të cilët janë ende në pritje të përgjigjeve.

“Panorama” kontaktoi drejtoren e TKOB, Zana Çelën, duke e pyetur për qëndrimin e saj lidhur me deklaratën e Margaritit, ku shprehet se “Opera s’duhet të ketë varësi totale nga shteti”. Çela, pa u ndalur në sqarime të detajuara, tha se nuk është ky teksti i saktë që ka artikuluar ministrja. “Nëse dëgjoni me vëmendje se çfarë ka thënë ministrja e Kulturës, nuk është ky teksti për të cilin supozoni ju”, thotë Çela, duke sugjeruar më tej që të dëgjojmë me zë e figurë takimin për të kuptuar tekstin e saktë.

Po çfarë tha Margariti pak ditë më parë?

Takimi i mbajtur në godinën e Operës së restauruar me 1.2 miliardë lekë nga xhepi i taksapaguesve shqiptarë pati si qëllim analizën e performancës 4-vjeçare të këtij institucioni, e megjithatë lajmi i një shkëputjeje të pjesshme apo totale të këtij institucioni nga Ministria e Kulturës është një tregues i qartë që diçka ka çeduar. Sipas ministres së Kulturës, problemi qëndron te formula e ndjekur deri më tani, sipas saj e pangjashme me të tjerat jashtë kufijve.

“Në asnjë vend tjetër, jo vetëm në Europë, por edhe në kontinente të tjera, nuk gjejmë formula të tilla. Besoj se është momenti që me një investim të tillë që ka bërë qeveria shqiptare, me një rrugë tashmë të hapur dhe infrastrukturë të shtuar, të fillojë dhe të ndryshojë totalisht mendësia e konkurrencës në të gjithë territorin kombëtar dhe kjo, pse jo, le të jetë shtëpia e parë ku kjo konkurrencë të nisë dhe të marrë jetë”, tha gjatë takimit Margariti. Janë këto disa nga fjalët e ministres së Kulturës, të cilat nuk hedhin dritë mbi atë që pritet të ndodhë. Në një situatë të tillë, artistët e kanë ende të paqartë se kujt do t’i kalojë ky institucion nëse ndodh shkëputja e supozuar, pas 65 vitesh në varësi të shtetit. Po ashtu, ata dhe opinioni publik presin të sqarohet ajo që do të ndodhë me kontratat e artistëve të punësuar (250 të punësuar) apo menaxhimin e ambienteve.

Baritoni Ylber Gjini: Ministrja duhet të na sqarojë

Baritoni Ylber Gjini, i shqetësuar për fatin e institucionit të cilit i dedikoi jetën, ka reaguar për mediat lidhur me fjalët e ministres së Kulturës për shkëputjen e TKOB-së nga shteti dhe “ndryshimin e mendësisë së konkurrencës në territorin shqiptar”, Po ashtu, në fjalën e tij baritoni shprehet se një hap si ky që supozohet mund të bëjë që artistët të përballen me të njëjtin fat si punëtorët e Uzinës së Ballshit. “Ministrja e Kulturës duhet të na sqarojë se çfarë nënkupton me ‘pavarësinë totale nga varësia nga shteti?’ Mos kjo do të thotë se shteti duhet të paguajë më pak? Apo që Opera duhet t’i kalojë privatit si Uzina e Ballshit? Realiteti është se ne nuk kemi qenë të varur totalisht nga shteti. Nga 90 për qind varësi që ka qenë më herët (me buxhet vjetor rreth 295 milionë lekë), drejtorja e ka çuar në 78 për qind. Pra, e ka lehtësuar shtetin. Nëse vendet e tjera e kanë varësinë financiare më të ulët, atëherë këtë duhet ta bëjë Teatri. Pra, drejtoresha me menaxhimin e saj. Teatri me cilin do të konkurrojë, me Rrushbullin? A e di ministrja që vetëm një teatër është?”, u shpreh Gjini.

Aleksandër Peçi: Nëse shkëputet nga shteti, TKOB do shkojë drejtshkatërrimit

Kompozitori Aleksandër Peçi i druhet kalimit të TKOB-së në varësi të privatit. Sipas tij, kjo do të çonte në shkatërrimin e këtij institucioni, pasi privati do ketë në fokus fitimin, më tepër sesa prodhimtarinë cilësore artistike. “Lidhur me Operën e pavarur nga shteti, unë po shtroj një pyetje: A kanë mundësi shqiptarët të blejnë 100 deri 150 euro biletë për në opera, që ky institucion të jetojë me buxhet të pavarur nga qeveria? A ka ndonjë ligj të posaçëm lidhur me sponsorizimet, në mënyrë të tillë që lekët që privati i jep TKOB, shteti t’ia zbresë nga tatimet?

TKOB nuk do jetë më kombëtar. Privati, që mund të jetë dhe një izraelit apo anglez etj., do hedhin ata në këto kushte lekë për art, që të flasë shqip përmes tingujve? Kjo është një nga arritjet më të mëdha të kompozitorëve, që do të shkatërrohet?!”, shprehet Peçi në rrjetet sociale. Kompozitori, sa u përket formulave që ndiqen në vendet e huaja, vë theksin tek investimi i shteteve fqinje për prodhimtari muzikore vendëse dhe promovimin e saj.

“Globalizmi është strategjia më fatale për zhdukjen e gjuhës së tingujve. Italia, financimet më të mëdha i ka për teatrot lirikë, ndërsa ne, ndonëse me organizim shtetëror, kemi 33 vjet pa balet shqip premierë sot. Kam 10 vjet që kam marr çmim të parë me ‘Dodona’ balet dhe mendoni se do ta bëjë privati? Menaxhimin e privatit e pamë te minierat, tek asetet e këtij vendi, por Opera s’është naftë. Po eksperienca e ish-Kinostudios, çfarë tregon? Absolutisht që të gjitha këto tregojnë shkatërrimin e TKOB-së e masandej ndërtimin e një versioni privat më të mirë. 6 milionë euro jep Franca, një “ensemble” me 22 veta. Imagjinoni sa japin për ‘Grand Opera’ a “Bastille”. E thoshte Meksi në ’90-ën, ‘se artistët janë asete kulturore, që i japin këtij vendi atë që nuk i japin dot politikanët’”

Pianistja Etrita Ibrahimi: Kujt do t’i jepet TKOB pas restaurimit?!

Lidhur me fatin e TKOB-së ka reaguar edhe pianistja Etrita Ibrahimi, e bija e kompozitorit të njohur Feim Ibrahimi. “Ide e zbatueshme apo jo. Si e bija e Feim Ibrahimit, njërit prej kolosëve që e themeluan këtë institucion, duke u mbetur mirënjohëse figurave të vërteta të këtij vendi, të cilat me mund dhe me shumë vështirësi e sollën artin muzikor deri këtu, mund të them se Teatri i Operës ka lindur shtetëror dhe nuk mund të kthehet në teatër privat, sidomos tani që sapo u rikonstruktua me paratë e të gjithë shqiptarëve. Shtetet europiane kanë teatro private, por kanë edhe teatro shtetërorë. Për më tepër që, ato private kanë lindur të tilla dhe kështu kanë mbet në shekuj. Po Shqipëria, pse kujtohet tani… kujt do t’i jepet në dorë pikërisht në këtë moment, që nuk duhet shpenzuar më asnjë qindarkë për ta restauruar? Teatri i Operës është vetëm një në këtë vend, është kombëtar dhe nuk duhet prekur nga askush”, shkruan Ibrahimi.

Armaldo Kllogjeri: Vazhdon dëshira për të shkatërruar institucionet kulturore

Tenori Armaldo Kllogjeri, ashtu si dhe artistët e tjerë, shprehet se një lajm i tillë e ka kapur në befasi. Ai shkruan se një lajm i tillë është tregues i dështimit të reformave të premtuara në sektorin e kulturës, duke sjellë ndërmend “ngërçin” e krijuar nga ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, me kontratat afatshkurtra. “Vazhdon dëshira e etur për të shkatërruar me çdo kusht artin dhe institucionet kulturore në Shqipëri! Nuk dua ta besoj vërtet këtë lajm. Atëherë për të arritur në këtë lajm shërbeu edhe reforma e ‘meritokracisë’ nga ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, në vitin 2014. Reformë kjo e nisur për të filtruar të aftin nga i paafti, reformë që premtoi statusin e artistit dhe në të vërtetë artistin e ka lënë rrugëve. Reformë kjo që i ofroi artistit kontrata 2, 3 dhe 5-vjeçare, duke e mbajtur në provë pune. Zonja Kumbaro premtoi se kur të mbaronte afati i provës së artisteve do të rikthehej kontrata definitive. Koha tregoi se kjo ish një gënjeshtër, ashtu si dhe statusi i artistit dhe reforma e pensioneve. Le ta themi troç. Ne si artistë duhet të punojmë 30 vjet në këtë institucion shtetëror, institucion kombëtar i vetmi në llojin e tij, për të merituar më në fund një kontratë definitive. Uroj që ky lajm të jetë një zhvendosje e vëmendjes nga një sërë problemesh që po kalon vendi ynë”, thotë tenori.

Violinisti Arben Skënderi: Pas Teatrit Kombëtar, radha e privatizimit të Operës

Violinisti Arben Skënderi e konsideron TKOB-në si një institucion me vlera perëndimore dhe që mundëson një përfaqësim dinjitoz të vendit tonë dhe nuk duhet lënë të përdoret nga privati. Sipas tij, pas Operës, një fat i ngjashëm i pret edhe institucionet e tjera të kulturës. “Opera, i vetmi identitet europian perëndimor që ka arti ynë. Ja ku erdhi dita dhe plani i dy dekadave më parë vazhdon. Pasi mbaruan punë me Teatrin Kombëtar, tani vjen privatizimi i Teatrit të Operës. Më pas do të merren me Universitetin e Arteve e për ta përmbyllur me orkestrën e RTSH-së. O e kthejnë në kulturë mejhanesh këtë vend, o plasin”, shkruan Skënderi.

Ibrahimi: Artistët mund të përfundojnë në rrugë

Edhe kreu i Sindikatës së Artistëve të Pavarur, Reshat Ibrahimi, ka reaguar për mediat pas deklaratës së ministres së Kulturës lidhur me fatin e TKOB-së. Ibrahimi shprehet se qëndrimi i ashpër i artistëve është mëse i kuptueshëm, pasi ata, me shkëputjen e TKOB-së nga Ministria e Kulturës, “mund të përfundojnë në rrugë”.

“Kjo deklaratë ka stresuar artistët e Operës. Është e papranueshme nga artistët dhe Sindikata, pasi ka të bëjë me varësinë shtetërore të kësaj godine, TKOB ndaj MK. Me ligjin e Parlamentit 10/352, 11 tetor 2010, në nenin 5 thuhet se: Institucionet publike të varësisë kombëtare, siç është edhe TKOB, edhe të tjera janë në varësi të qeverisë dhe MK. Patjetër që deklarata e MK ka hedhë një bombë tymuese, që do të thotë të prishet varësia.

Të kthehemi në vitet 2000, kur u bë një luftë e ashpër që Opera dhe Baleti të kthehet në kompani teatrore, që do të thotë: Artistët të dalin në rrugë. Mënyra sesi po trajtohet problemi, kjo shashkë nga ministrja i ka frikësuar artistët, sepse i lë pa bukën e gojës. Aq më tepër që kemi të bëjmë me një situatë kritike, në kohë pandemie në tërë vendin. Kjo shton stresin e tyre. Ministrja të dalë dhe të sqarojë artistët dhe të marrë mendimin e sindikatës. I kërkoj të mendohet mirë. Kam lënë detyrë që grupet permanente të Operës të firmosin kundër këtij propozimi të ministres”, shprehet Ibrahimi, duke shtuar më tej se çdo shtet ka opera ndërkombëtare, rajonale dhe private, prandaj ky propozim është skandaloz dhe i papranueshëm./A. Dedaj/Panorama.com.al