Mbesa e Qazim Mulletit, personazhi real në veprën “Prefekti” që u rilexua më 28 nëntor nga aktorët e Teatrit Kombëtar e quan të tepërt përtalljen që bëhet sipas saj, edhe në shekullin 21 me mbiemrin e saj.
Besforta Mulleti tregon vuajtjet e familjes së saj gjatë kohës së komunizmit, ndërkohë që edhe sot vuan akoma pasojat. Ajo thotë se artistët që kanë për detyrë morale si në çdo vend të botës të edukojnë duhet të bëjnë të njëjtën gjë edhe këtu dhe nëse nuk e bëjnë këtë, të paktën nuk duhet të hapin plagët e atyre që kanë vuajtur.
Nga Besforta Mulleti
Unë isha 8 vjeç kur familja ime u rikthye në Tiranë. Deri atëherë ne kishim jetuar në Shkodër, ku familja e babait ishte vendosur pas vdekjes së gjyshit dhe përfundimit të internimit në Kavajë, meqenëse nuk iu lejohej të ktheheshin në Tirane, pasi ishin dëbuar. Unë isha një tiranase që flisja me dialekt shkodran e sa herë përmendja mbiemrin, dëgjoja fraza nga shokët e klasës “Mulleti? Si Qazim Mulleti?”, të cilët vazhdonin me pas me batuta nga komedia. Unë nuk e kam parë kurrë të ashtuquajturën komedi “Prefekti”.
Besoj se nuk është e nevojshme t’ju them pse… por e mbaj mend shume mirë zhgënjimin në fytyrën e babait tim sa herë që ndërronte kanalet dhe ndonjë kanal lokal po shfaqte komedinë. Pardje, më 28 Nëntor 2021, Teatri Kombëtar vendosi të rishfaqte njërën prej “kryeveprave” të komunizmit, komedinë “Prefekti”. Kjo ka qenë gjithmonë një temë shumë e ndjeshme për familjen dhe fisin tonë.
Ne akoma luftojmë nëpër gjyqe për të drejtën e pronës. Ne jemi nga ato familje që u shpronësuan për të mirën e interesit publik nga Bashkia e Tiranës para pak vitesh për të ndërtuar një shesh rekreativ, të cilit minimalisht duhet t’i kishin vënë emrin “Qazim Mulleti”. Të gjitha këto durohen, por të vazhdohet të përtallet mbiemri jonë në vitin 2021 është e tepërt. Në një vend ku akoma debatohet për shkrimin e saktë të historisë, sidomos të asaj pas vitit 1944, të vendosesh të rishfaqësh ditën e Pavarësisë, një vepër që tall e denigron një figurë që e nderon ajo pjese e Shqipërisë që e njeh mirë historinë dhe patriotët e vërtetë, është e turpshme dhe aspak njerëzore.
Artistët kudo në botë krahas artit, e ndjejnë për detyrë edhe të lobojnë për kauza të rëndësishme e të edukojnë popullin. Në një vend si Shqipëria, ku strukturat përgjegjëse nuk funksionojnë, ky detyrim bëhet më i madh për artistët shqiptarë. Është detyrë e tyre dhe e shoqërisë civile të promovojnë vlera e figura që kanë kontribuar pozitivisht për këtë vend. Nëse nuk mund ta bëjnë këtë, atëherë të paktën të heshtin e te mos vënë gishtin ne plagë. Doni të bëni art? Filloni shkruani kryevepra të reja, vini në skenë vepra te intelektualëve të dënuar, persekutuar, burgosur e pushkatuar nga regjimi komunist, përndryshe mbeteni vetëm ca artistë të rëndomtë që as teatrin tuaj nuk e mbrojtët dot.