Deklarata origjinale e Pavarësisë së Shqipërisë ka humbur?

Dokumenti origjinal i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë mund të ketë humbur sipas avokatit Kujtim Cakrani, i cili ka denoncuar në SPAK Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë dhe Bankën e Shqipërisë.

Në denoncimin e tij, Cakrani shkruan se është interesuar për këtë dokument, por nuk ka marrë përgjigje.

Institucionet përkatëse janë treguar të papërgjegjshme në ruajtjen e një dokumenti kaq të rëndësishëm për historinë e Shqipërisë, shprehet Cakrani.

Ai shprehet se publikut i jepet dhe i prezantohet si version zyrtar vetëm fotokopja e deklaratës së pavarësisë.

“Jam interesuar pranë institucioneve shqiptare, përkatësisht në Arkivin Qendror të Shtetit si institucioni kryesor për administrimin dhe ruajtjen e dokumentacionit të vjetër që i përket historisë, pranë Akademisë së Shkencave, por edhe pranë Muzeut Kombëtar, ku kam kërkuar se a ndodhet pranë AQSH deklarata origjinale e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Nëse nuk gjendet pranë këtyre institucioneve, atëherë ku është dhe përse nuk është denoncuar ky fakt, por publikut i jepet dhe i prezantohet si version zyrtar vetëm fotokopja e deklaratës së pavarësisë. Në të gjithë këtë kohë është vënë re se nga institucionet e vendit nuk ka pasur asnjë interesim konkret që të hetojë apo denoncojë këtë fakt si një nga më të rëndësishmit, siç është dokumenti themeltar i një shteti”, shkruan Cakrani, transmeton ‘konica.al’.

Më tej Cakrani shpreh në dokumentin e denoncimit se humbja e Deklaratës Origjinale të Pavarësisë dëmton rëndë historinë e kombit tonë.

“Humbja e deklaratës së pavarësisë dhe papërgjegjshmëria e institucioneve përgjegjëse për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e saj, gjymton rëndë fizionominë e historisë tonë, por edhe vetë ekzistencën që zbret tashmë, jo më kombit, por vetë shtetit të tij” thuhet në dokumentin e denoncimit.