Sapo i ka dalë në qarkullim numri i dytë për këtë vit i revistës letrare të traditës “Jeta e re”. Revista hapet me një in memoriam për shkrimtarin tonë të shquar Ismail Kadarenë.
Kështu, në një hapësirë prej 70 faqesh botohen dy shkrime studimore për veprën e Kadaresë: “Arti i dhembjes universale” i Ibrahim Rugovës dhe “Kronika dhe fragmente” (Për romanet e Kadaresë ) i James Wood-it.
Rubrika vazhdon me prozat “Tri këngë zie për Kosovën”, “Vdekja e gruas ruse” dhe “Dosja e Orfeut”, për të përfuanduar me një cikël poezish të përzgjedhura.
Ndërkaq, në rubrikën e prozës botohen tregimet: “Kukulla” i Ibrahim Kadriut, “Stacioni i autobusit” dhe “Mashtrimi” të Ibrahim Berishës, “E pabëra” i Arif Kutleshit, “Topthqimesh” i Margaret Atwood, “Dera e gjelbër” i O.Henry-it dhe “Martiri” i Pero Chiara-s.
Me nga një cikël poezish vijnë Rexhep Ferri, Alket Çani, Qerim Raqi, Tomas Transtromer, Izet Sarajliq, Julia Hartwig dhe Ivano Ferrari, kurse në rubrikën Intervista këtë herë është botuesi dhe shkrimtari i njohur Nazmi Rrahmani.
Rubrika e kritikës fillon me tekstin “Pas absolutizmit të realitetit” të Hans Blumenberg-ut, për të vazhduar me “Nga studiuese e letërsisë në krijuese e letërsisë” të Floresha Dados, “Udhëtimi lirik i Sali Bashotës në Matanë dashurisë është një lumë” të Serafina Lajçit, “Proza konceptuale” (Mbi prozën “Anonim Wor(l)d” të R. Murteza Shalës) të Halim Halimit, “ Transformimi i modaliteve kulturore dhe zhanrore në romanin bashkëkohor” (për romanin “Vdekja e Omerit” të Adil Ollurit) të Leonora Hajres, “Dritarja e Martin Shkrelit”: retrospektivë mbi fatin e individit dhe qenësinë e një kombi” i Rrezarta Morinës.
Në rubrikën Recensione paraqiten Abdullah Rexhepi me “Kontributi i Sami Frashërit për gjuhën turke”, Kastriot Kurti me “Momenti prusian” dhe Laura Ferizi Haradinaj me “Një vështrim mbi romanin “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”. Përkthyesit që kontribuan në këtë numër të revistës janë: Qerim Raqi, E. Gjerqeku e A. Shkreli, Azem Qazimi, Ilir Breca, Ingrid Orgocka, Arben Idrizi dhe Alfred Beka.
ObserverKult
Lexo edhe: