
Qyteti i Delvinës është shpallur Pasuri Kulturore e Paluajtshme, një vendim që e ngre qytetin në një nivel të ri vlerësimi për trashëgiminë e tij historike dhe arkitektonike. Kryebashkiaku i Delvinës, Besmir Veli, në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” e konsideroi këtë si një ngjarje të rëndësishme për identitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Delvinës.
Sipas Velit, ky status do të sjellë standarde të reja për investitorët dhe banorët e zonës, sidomos për ndërhyrjet në fasada. Përveç kufizimeve, ai shtoi se, masa të tilla janë të domosdoshme për të ruajtur autenticitetin e qytetit.
“Kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme. Jo vetëm pas zjarreve dhe reshjeve të fundvitit të kaluar, ne kemi një lajm të mrekullueshëm ku Delvina shpallet anambël arkitektonik urban, ku përveçse është vendim i jashtëzakonshëm për identitetin është dhe një vlerësim për trashëgiminë tonë historike.
Një përgjegjësi për ta ruajtur dhe zhvilluar atë në mënyrë të qëndrueshme.
Ky status do të sjellë standarde të tjera më të ëqarta për investitorët apo banorët e zonës të cilët duan të bëjnë ndërhyrje në fasada, patjetër do ketë dhe kufizime, por ato janë të domosdoshme për të ruajtur autenticitetin e qytetit”, deklaroi kryebashkiaku.
Më tej, Veli sqaroi se Bashkia Delvinë është në komunikim të vazhdueshëm me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Ministrinë e Kulturës. Ai tha se, së fundmi është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Tiranës.
“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me institutin kombëtar të trashëgimisë kulturore dhe Ministrinë e Kulturës. Së fundmi kemi bërë dhe një marrëveshje bashkëpunimi me agjencinë kombëtare të planifikimit të territorit dhe me fakultetin e arkitekturës në universitetin e Tiranës.
Dy javë më parë ka ardhur një grup pedagogësh e studentësh për të prekur atë që duam të realizojmë nga ky masterplan që ta kthejmë në funksionalitet të plotë këtë zonë”, theksoi Veli.
Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka shpallur qytetin e Delvinës pasuri kulturore të paluajtshme, në kategorinë “Ansambël Arkitektonik Urban”.
Ky status i veçantë vjen si vlerësim për rëndësinë historike, arkitektonike dhe urbanistike të qytetit, duke synuar mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së tij.
ObserverKult






