Pas debateve të shumta për neglizhencën për Urën e Zogut, ka reaguar nëpërmjet një deklaratë për medie ministrja Elva Margariti, duke theksuar dëmet e rënda të monumentit dhe faktin se në rimëkëmbjen e tij duhen përfshirë tanimë edhe institucione të tjera për një projekt të përbashkët
Me një këmbë thuajse të degraduar, pas zhvendosjes mbi dy metra prej vitit të kaluar, Ura e Zogut në Milot, viktimë e neglizhencës së pasuar, pas degradimit që u ndihmua nga reshjet e dendura, rrezikon edhe zhytjen në ujë.
Komuniteti ka kërkuar të merren masa për Monumentin e Kategorisë së Parë dhe prej aktivizmit të tyre, përfaqësuar nga Amarilda Leti, u përfshi edhe në listën e organizatës Europa Nostra, si një nga “7 sitet më të rrezikuara”, por ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, pretendon se për këtë nuk mund të veprojë e vetme.
Në një deklaratë për mediet gjatë ajo u shpreh se Ura me harqe e ideuar nga Mbreti Zog, që lidh dy ekstremet e lumit “Mat”, është nën monitorimin e Drejtorisë Rajonale të Shkodrës, por për rimëkëmbjen e saj duhet një projekt ndërinstitucional.
“Ne jemi në kontakt me Emergjencat Civile, sepse ndërhyrja nuk i përket tashmë Ministrisë së Kulturës ose Institutit të Monumenteve por hyn në të tjerë rrathë institucional. Kështu që do të zhvillohet bashkë me ta ndërhyrja dhe do të merren bashkërisht vendimet.
Besoj në komitete ose grupe më të gjëra, jo vetëm nga Ministria e Kulturës. Kemi ekspertë edhe të emergjencave në vend, kemi dhe çedim të një prej këmbëve, se prurjet e shumta kanë sjellë zgjerim të shtratit se janë dëme të pallogaritshme.
Duhet një grup institucional për të zgjidhur çështjen përfshirë Institutin e Ndërtimit, tek Ministria e Kulturës, Ministria e Bujqësisë, Emergjencat Civile, për të hartuar një projekt kompleks së bashku me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë”, u shpreh Magariti.
Ura e Zogut, u projektua nga një studio italiane. Struktura me harqe, koha e ndërtimit në 1927, e historiku i saj, i japin vlera të veçanta. Krahas amortizimit dhe mungesës së mirëmbajtjes, prej saj është konstatuar se janë vjedhur pjesë të ndryshme. Goditja e fundit në strukturë e këtij Monumenti erdhi pas vërshimit të lumit Mat./shqiptarja.com
Lexo edhe: