Denoncim: Kapllan Resuli nuk është autor i romanit “Tradhëtia”/ Nga kush e vodhi?

kapllan resuli

TI PRANOHET AUTORSIA HAKI LIMANIT

Një ditë inxhinieri në pension, Alush Limani, me vendbanim në Matiçan të Prishtinës, nip i Haki Limanit, më dhuroi librin “Tradhtia e shumëfishtë”, me nëntitullin (Dosja “Haki L. & Kapllan R”) të autorit nga Gjilani, Fehmi Ajvazi, që është botuar në këtë vit (2023).
Haki Limani ka lindur në vitin 1936 në fshatin Tërrnavë të Preshevës. Ka mbaruar studimet në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Prishtinë. Hakiun, të gjithë ata që e kanë njohur, e kujtojnë për njeri të edukuar, të sjellshëm, trim, arsimdashës dhe për atdhetar të përkushtuar. Në vitin 1965, me porosi të UDB-së, atij ia ka marrë jetën një makinë, që e ka shtypur në trotuarin e rrugës kryesore të lagjes “Ulpiana” të Prishtinës, duke shëtitur me poetin Azem Shkreli.

avdni dehari

Nga Avni Dehari


Në këtë libër Fehmi Ajvazi pas 58 vjetësh dëshmon me fakte se autor i romanit “Tradhtia” nuk është Kapllan Resuli, që ka ndërruar jetë në vitin 2022 në Gjenevë, por Haki Limani.
Në vitet 60′ kur isha student i Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik në Prishtinë, fshehurazi, siç veprohej atëherë, një shok ma dha ta lexoj romanin “Tradhtia”, që mbante për autor emrin e Kapllan Resulit.

Nga dita që e mora deri në mëngjesin e së nesërmes, kur më duhej t’ia ktheja, romanin e lexova pa e lëshuar nga dora.

Si sllupçanas, që nuk e kam Preshevën më larg se 15 kilometra, si gjimnazist që për katër vjet kam jetuar në këtë qytet, romani “Tradhtia” përpos që më pati magjepsur me ngjarjet, me personazhet, që janë shumë të njohura në Preshevë e në Kumanovë, me përshkrimet në hollësi të qytetit të Preshevës dhe të fshatrave të Karadakut, më pati nxitur ta pyes veten: “A ka qenë ndonjëherë në Preshevë “autori” i romanit Kapllan Resuli?! Kurrqysh nuk ma merrte mendja se një njeri që nuk kishte jetuar gjatë në Preshevë mund t’i dinte aq mirë ngjarjet, t’i njihte aq në hollësi personazhet, sikur të ishte rritur me ta dhe t’i paraqiste aq bukur e me aq besnikëri peizazhet, sikur ta kishte kaluar një jetë të tërë në ato vise.

Në vitet e mëvonshme, kur në Kosovë u krijuan rrethana politike për të folur pa frikë për shumë çështje kombëtare, është folur e është përfolur hapur edhe për historinë se si ka përfunduar romani “Tradhtia” në dorë të Kapllan Resulit, si dhe për botimin dhe për vlerësimin e tij në Shqipëri.

Përderisa autorësia e romanit qëndronte e mbështjellë me mjegull, askush nuk e vinte në dyshim se ky njeri pasi ishte përpunuar në organet e Sigurimit jugosllav ishte dërguar atje me mision antikombëtar.

Në qarqet e intelektualëve atdhetarë, që janë marrë edhe me shkrime, shpesh është thënë se këtë roman nuk e ka shkruar Kapllan Resuli, por dikush nga intelektualët e anës së Preshevës ose të Gjilanit. Për fat të keq të gjitha përpjekjet për të ardhur te e vërteta në atë kohë përfundonin vetëm në rrafshin e aludimeve. Për këtë çështje disa herë pata biseduar edhe me axhën e bashkëshortes sime, Ismajl Fejzullahun, tani i ndjerë, që me Haki Limanin kanë qenë shokë në shkollë dhe kanë punuar si mësues në fshatin Caravajkë të Preshevës.

Ismajli, që ka qenë edhe mik shtëpie me Hakiun, çdo herë që është hapur fjala për këtë çështje ka pohuar se romani “Tradhtia” është shkruar nga Haki Limani.

Edhe pse kisha një bindje të fortë se autor nuk ishte Kapllan Resuli, sikur dyshoja se mos Ismajli ia vishte autorësinë Hakiut nga respekti i madh që kishte për të si shok e si atdhetar. Tash kur e lexova këtë libër nuk e kam as edhe dyshimin më të vogël se autor i vërtetë i romanit “Tradhtia” është vetë Haki Limani, që si vendës edhe i ka njohur ngjarjet e personazhet dhe ka pasur nga kush të mësonte për ato që janë paraqitur në roman.
Fehmi Ajvazi, me argumentet që sjell në librin e tij për autorin e romanit “Tradhtia”, ia ka dalë ta demaskojë pushtuesin, që pasi i ka marrë jetën Haki Limanit, duke ia vjedhur edhe veprën, e ka vrarë atë për së dyti.

Nisur nga faktet që sjell Fehmi Ajvazi në librin e tij “Tradhtia e shumëfishtë”, nga diskutimet e shumta me njerëz, që e kanë njohur Haki Limanin qoftë si shok, koleg, familjar, bashkëvendës e bashkëkohanik; nga fakti i “vdekjes” së mistershme në fatkeqësi komunikacioni në Prishtinë, vrasja e Haki Limanit as është vdekje në fatkeqësi komunikacioni të rëndomtë, as është e rastësishme në kohë.

Është e qartë se “vdekja” e Haki Limanit është vrasje e kurdisur nga UDB-ja për shkak të qëndrimit të tij atdhetar, e sipas të gjitha gjasave të besueshme, edhe për shkak se ishte në dijeni të shkrimeve të tij, në veçanti të një vepre më voluminoze në dorëshkrim, që ia ka dhuruar Kapllan Resulit si alibi për veprimtarinë e tij antishqiptare, i cili më vonë e boton në Republikën e Shqipërisë, si vepër autoriale me titullin “Tradhtia”.

Korrigjimi i padrejtësisë, sado që me vonesë, ka peshën e vet të madhe. Institucionet e kulturës e të arsimit, madje edhe të tjerat, që u takon të merren me këtë çështje, si në Kosovë, si në Shqipëri, e kanë për detyrë, që pas 58 vjetësh t’ia kthejnë autorësinë të zotit. Këtë duhet ta bëjnë për Hakiun, që armiku e ka privuar nga jeta për veprimtari kombëtare, për letërsinë tonë, që në themel duhet të ketë të vërtetën dhe për ta dënuar vjedhjen si dukuri të shëmtuar edhe në këtë fushë.

ObserverKult


avni dehari

Lexo edhe:

AVNI DEHARI: BIJVE TË MI QË HUMBËN JETËN: ARBËNORIT DHE ASTRITIT

Avni Dehari: PESHA E DHEMBJES
(Bijve të mi që humbën jetën në rrethana të errëta:
Arbënori më 2014 dhe Astriti më 2016)

Atdheu dhe alfabeti
Kurorë nderi vunë shkronjën A.
Për hapat drejt agimeve të purpurta,
A-ja brerore edhe në emrat Tuaj!

E rëndë dhembja,
Sa pesha e Alpeve Shqiptare!
Sa dheu i gjakut tonë!

I thellë hidhërimi,
Sa thellësia e Adriatikut,
E Jonit valëshumë,
E oqeanit pa fund!

Krahëhapur bujaria,
Si fushat e gjera,
Si rrafshnaltat e bjeshkëve,
Si shqiponja jonë e shenjtë
Në qiellin e paanë!

Hijerëndë trimëria,
Si pyjet e dendura!
Si Moti i Madh
Në oqeanin e kujtesës sonë!

E lartë krenaria,
Sa kreshtat e Sharrit,
Sa kupa e qiellit mbi tonin Atdhe!

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


AVNI DEHARI: PESHA E DHEMBJES

(Bijve të mi, që humbën jetën në rrethana të errëta:
Arbënori më 2014 dhe Astriti më 2016)

Atdheu dhe alfabeti
Kurorë nderi vunë shkronjën A.
Për hapat drejt agimeve të purpurta,
A-ja brerore edhe në emrat Tuaj!

E rëndë dhembja,
Sa pesha e Alpeve Shqiptare!
Sa dheu i gjakut tonë!

E thellë dhembja,
Sa thellësia e Adriatikut,
E Jonit valëshumë,
E oqeanit pa fund!

E lartë krenaria,
Sa kreshtat e Sharrit,
Sa kupa e qiellit mbi tonin Atdhe!

Krahëhapur krenaria,
Si fushat e gjera,
Si rrafshnaltat e bjeshkëve,
Si shqiponja jonë e shenjtë
Në qiellin e paanë!

Hijerëndë fisnikëria,
Si pyjet e dendura!
Si Moti i Madh
Në oqeanin e kujtesës sonë!

Det i trazuar pikëllimi,
Plot valë ngushëllimi, plot valë freskie
Cep më cep zemërdhembshurës sonë
Për Ju,
Që hodhët hapin me shkronjën e parë të ATDHEUT!

ObserverKult