Programi i Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore nxit institucionet shqiptare për më shumë projekte mbi ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes një njoftimi për këtë qëllim bën të ditur se përmes këtij fondi mund të fitojë pasuria e gjerë e trashëgimisë kulturore shqiptare, e cila ka nevojë për mirëmbajtje, apo financime të tjera.
Për financimet nga programi i Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore Ambasada e SHBA shprehet se do të pranohen projektpropozime deri në fund të muajit nëntor.
“Shqipëria ka një trashëgimi kulturore të pasur dhe programi i Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore ofron financim për të ndihmuar në ruajtjen e saj. Ambasada e SHBA pranon projektpropozime për këtë program deri më 30 nëntor 2019,” bën të ditur Ambasada e Shteteve të Bashkuara.
Nëpërmjet këtij programi, Departamenti i Shtetit mbështet projektet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në tri fusha: Vendet kulturore, si ndërtesat historike, ose site arkeologjike, objektet kulturore dhe koleksionet, si dhe forma tradicionale të shprehjes kulturore, si muzikë tradicionale, gjuhët indigjene dhe zanatet.
“Ky program është një nga mënyrat e partneritetit me Shqipërinë për ruajtjen e trashëgimisë së saj unike kulturore,” shprehet Ambasada e SHBA.