Derri i Kampit të Lekajt dhe 17 kokrrat e gjellës së të burgosurit

Nga Kastriot Dervishi

Pas përfundimit të punës në Kampin e Bedenit në Kavajë, një pjesë e të burgosurve në dhjetor 1948 shkuan në fshatin Lekaj. Punimet bëheshin shkuar në funksion të përshtatjes së terrenit ku ishte ndërtuar më parë hekurudha Durrës – Peqin (nisur më 1 maj 1947 dhe përuruar më 7 nëntor 1947).

Të burgosurit punuan për nivelimin e dherave me vijën hekurudhore. Beqir Ajazi ka bërë në librin e tij një përshkrim interesant për ushqimin që ata merrnin dhe për trajtimin e derrit personal të komandantit të kampit.

Rrëfimi i Beqir Ajazit në librin e tij “Nga shkaba me kurorë te drapri me çekan”

Komandanti i kampit kishte blerë në Kavajë një derrkuc të vogël fare dhe e kishte lëshuar sallhan nëpër kamp, nën kujdesin e kuzhinjerit Koço. Ky ishte nga fshati Vrrakë i Shkodrës. Ishte finok i madh dhe nuk donte ta prishte me asnjeri.

Si një njeri indiferent tradicional mbi çka ndodhte në Shqipëri, i vetmi kujdes i tij ishte ta kishte mirë me komandantin dhe me gjithë shtabin e tij. Kështu që, në mes të gjithë derrave që mund të kishte vendi ynë në atë kohë, ky i komandantit të kampit, kishte lindur me yllin nga njëri krah dhe me hënën nga tjetri.

Kur ndante gjellën, që gjellë i thënshin, Koço, qëllimisht nuk e fuste lugën deri në fund të kazanit që ta përziente. Për pasojë, në fund mbetej një sasi e madhe dhe nga ajo, pjesa më e trashë. Këtë ai e quante tepricë të parëndësishme dhe prandaj e hidhte në një govatë të madhe që ishte vendosur atje në një barakë të vogël, ngjitur me kuzhinën.

Derrkuci i komandantit, falë këtij trajtimi, kur govata i rrinte natë e ditë plot, erdhi e u rrit shumë shpejt dhe u bë një derr i madh dhe i egërsuar, sa që i ruheshin dhe i largoheshin të gjithë. Ishte e diel dhe, kur e mora garuzhdën e fasuleve, vajta ta haja në hijen e barakës së derrit. Sa për të dhënë një ide mbi fasulet që na servirte kampi, dua të them se, pasi ma hidhte kuzhinier Koçua, garuzhdën e fasuleve, unë derdhja ujin dhe pastaj numëroja kokrrat e fasuleve.

E kam bërë gjithmonë këtë numërim, sepse isha i ndërgjegjshëm që një ditë do ta dëshmoja para njerëzimit. Pra, nga ky numërim, më ka dalë se garuzhda ka patur 14, 15, 16 dhe 17 kokrra groshë, po kurrën e kurrës nuk ka patur 18 kokrra./ ObserverKult