Dervish Shaqa, rapsodi i njohur që u detyrua të ikte nga Kosova…

39 vite më parë u nda nga jeta, rapsodi i shquar popullor dhe i njohur nga të gjitha trevat shqiptare, Dervish Shaqa.

Rapsodi Shaqa lindi në Llukë të Epërme të Deçanit më 1912 ndërsa ndërroi jetë më 11 prill 1985. Deri në vitin 1956 jetoi në Kosovë, mirëpo në këtë vit iu desh të lëshonte Kosovën.

Kjo për shkak të përndjekjes nga aksioni i njohur “mbledhja e armëve” që ndërmerrte në atë kohë Sigurimi i Punëve të Brendshme i Jugosllavisë (UDB-ja) kundër shqiptarëve.

Ai së bashku me kolegun e tij të këngës Demush Neziri, u vendosën në Rashbull afër Durrësit. Aty e vazhdoi shprehjen e ndjenjave nëpërmjet këngës që për të ishte e vetmja mënyrë e shprehjes së dhimbjes që kishte për familjen dhe vendlindjen që për të ishin të ndaluara. Këtë e shpreh në këngën “Kur ta ktheva Kosovë shpinën, e lamë borë e gjetëm dimën…”.

Dervish Shaqa në Shqipëri e vazhdoi traditën e këndimit të historisë së vendlindjes së tij. Në vargjet e këngëve të tij të përcjelluara me çifteli përshkruhen kullat e gurta të Dukagjinit, figurave kombëtare, patriotëve të devotshëm, trimave, luftëtarëve të atdheut…

Në Rashbull Dervish Shaqa arrin të themelojë e të udhëheqë grupin e rapsodit. Po me këtë grup në vitin 1968 prezantohet për herë të parë në Festivalin e Folklorit Kombëtar në Gjirokastër.

Që nga kjo kohë së bashku me kolegun e tij, rapsodin Demush Neziri prezantojnë një vargë këngësh të cilat për disa gjenerata ende janë të njohura si p.sh.: “Ç’janë këto gjamë që i bjen era”, “Prej Prokuplje deri n'Nish“, Moj e mira porsi bora”, këngët për Azem dhe Shotë Galicën, Nak Berishën e shumë të tjera…

Pjesa më e madhe e regjistrimeve muzikore të bëra nga Dervish Shaqa dhe kolegu i tij gjenden në arkivin e Radio Tiranës.

Përpos këngëve popullore dhe të përpunuar nga ai vetë, për Dervish Shaqën ka kompozuar edhe kompozitori Tish Daija si këngën “Festë të madhe ka sot Shqipëria” që për disa vite ka dominuar në përsëritjen e saj në Radio Stacionin e Tiranës.

Populli ku ai kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij e mban mend si këngëtar të lindur që këndon për këngën dhe jo për para.

ObserverKult


Lexo edhe:

DERVISH SHAQA: PYET-O KOSOVA PËR NI ÇIKË (TEKSTI DHE KËNGA)

“Këngë për Shotë Galicën” interpretuar nga Dervish Shaqa

Pyt-o, Kosova për ni çikë,
Veç o, mor anën me ja ditë,
U mblodhën burrat në log të kuvendit,
E po pyesin bjeshkët e Kelmendit,
E po pyesin bjeshkët e Kelmendit.

Ku o Shota e Azemit,
Ushtun’ malet larg u nin’,
E n’Shqipni osht heroinë.
Knon o Kosova, po knon Drenica,
Heroinë Shote Galica.

Shqipe e malit me dy fletë,
Dymbdhjetë vjet i kaloi në çetë,
Qysh se e vogël rrit’ me trima,
Ajo shkrepke si vetima,
Me pre hekrin edhe gurin
Krahë për krahë luftoi me burrin,
Burri i saj Azem Galica

Tekstin e plotë të këngës mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult