Dëshmi rrëqethëse: Më burgosën se flisja me motrën- më goditën aq fort sa…

Në shtëpinë e Vasil Zgurit, në Voskopojë, hijet e së shkuarës kanë mbërthyer çdo skaj. Prej dekadash, ai dhe zonja e tij me 6 fëmijët dhe familjet e tyre, e kanë shenjuar jetën e tyre me një ditë fatkeqe, kur në arat e kooperativës, e morën Vasilin dhe e arrestuan. Prej asaj dite, çdo gjë do të ndryshonte rrënjësisht në jetët e tyre. Ishte viti 1966. Kanë kaluar më shumë se 50 vjet prej atëhere, por familja ka shumëçka që e lidh me atë ditë dhe zinxhirin e vuajtjeve e kujtimeve të hidhura, që i përndoqi më tej, për gjithë jetën.

Vasili sot është 97 vjeç. Jeton në Voskopojë dhe gëzon me familjen e tij të madhe me nipa e stërnipa… Duket sikur Zoti i ka dhënë shansin të rikuperojë gjithë vitet e humbura në burgjet komuniste. Vasili rrjedh nga një familje me origjinë vllehe. Të parët e tij kishin pozita të rëndësishme në Greqi, dhe këto lidhje, do të bëheshin shkak në vitet e regjimit kur do t’i kurdisnin historinë e spiunazhit në zyrat e Sigurimit të Shtetit…

Vasili tregon se familja e tyre asokohe quhej “familje e pasur”. “Kishim rreth 2.000 kokë dele këtu në fshat. Edhe ato i mori shteti. Dhe ne kemi ndihmuar luftën, pa llogaritur. Edhe pas çlirimit. Nëna ime ka ardhur nuse nga Greqia. Babai u martua në kohën e Turqisë. Jetoi 37 vite babai dhe vdiq. Më la mua që isha më i madhi, 13 vjeç. Na rriti xhaxhai. Ai e martoi motrën me një nga të ardhurit nga Greqia, në kohën e krizës së bukës. Ne nuk e menduam këtë se ç’do të vinte më pas. Këta e morën motrën time dhe ikën në Greqi. Edhe ne u ndamë nga motra për 50 e ca vite, deri në vitin 1991”, tregon Vasili.

Ai i di mirë shkaqet e lojës që i kurdisën. Këto ditë, ka marrë dosjen e tij nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit. Aty dëshmohet me detaje gjithë strumbullari i ngjarjeve të errëta që përjetoi…

“Historia ishte luftë klase, tregon Vasili. – “Shënjestrën e kishin te një xhaxha i imi. Ai vdiq edhe mbeta unë, në vendin e tij. Unë kam qenë ushtar në Elbasan, 3 vite, 1947-1949. Atje, kam gjetur një nga Zagoria, që kishte të atin në Amerikë. Duhej të ruheshim nga këto, mirëpo ne kemi qenë të mbyllur. Unë dilja të dielave dhe ai më jepte ëmbëlsira. I thashë që kisha një motër në Greqi, por që nuk ia dija adresën. Më premtoi që do ta gjente ai adresën e motrës. Ai i dërgoi letër të atit dhe i ati bëri përpjekjet e tij dhe erdhi adresa. Me atë adresë, unë fola në telefon. Dhe kështu u lidha me motrën. Merrja letra nga motra, dërgoja letra te motra, por letrat kontrolloheshin”

Dita e arrestimit

Dita e arrestimit të Vasil Zgurit është si e fotografuar nga gjithë familja. Të gjithë ata kanë një kujtim individual mbi atë ngjarje. Vangjelia, bashkëshortja e Vasilit, kujton se atë ditë në arën e kooperativës, erdhën dhe e morën Vasilin krejt papritur.

“Unë thosha se po të vonohej shumë, ç’do të bëja pastaj. Fëmijët ishin të vegjël. Djali i madh, Dhimo, ka vuajtur shumë sa ç’të të them. Me 6 fëmijë, burri në burg, pa gjë, pa hiç”, kujton Vangjelia.

Ndërsa vetë Dhimo Zguri, djali i Vangjelisë, më i madhi ndër fëmijët, atëherë ishte vetëm 14 vjeç. Ai duhej të përballonte gjithë peshën e familjes. Shtatë gojë prisnin bukë prej duarve të tij.

Ditën e arrestimit të të atit, Dhimo, e ka në kujtesë, si të kishte ndodhur dje.

“Në atë moment, ishim edhe ne në këmbë, kur e arrestuan. Në datën 12 gusht, se në 11 gusht e arrestuan atë, unë do të shkoja për t’u regjistruar në gjimnaz, në vitin e 3-të. Kur na ka marrë ky për të korrur në një arë aty, për të marrë ditë pune më shumë, për t’u ushqyer, edhe erdhi një “Gaz” aty afër rrugës, e mbajtën dhe i thanë që të shkonte me ta. Ne, me gjithë mamanë, u trembëm. Ishin edhe dy motrat dhe i shkuam nga pas. Morëm edhe mamanë dhe erdhëm në shtëpi. Këtë e kishin marrë dhe e çuan atje te kampi, atje e mbajtën. Afër tij, ishte një operativ, një Çerçiz Çale që unë e njihja. Në këtë kohë, e morën këtë dhe e çuan atje. Kur erdhëm këtu, ne gjetëm dy oficerë operativë që rrinin në këmbë. Na thanë të hapnim derën se do të shkonin lart. Hipën lart, panë në çati, kërkonin. Na morën një valixhe që e kishim me dokumentet e shtëpisë… Morën aty, gjetën ca gjëra, morën ato dokumentet dhe ikën. Në këtë kohë, mësova që erdhi “Gazi” i Degës që kishte brenda babanë. Nuk e kishin lidhur deri atëherë. Babai më tha që do shkonte dhe do të vinte. Dhe iku…”

Në hetuesi…

Në hetuesi, mes torturave psikologjike e fizike, Vasili do të kuptonte pak nga pak, shkakun e vërtetë të arrestimit. Nga hetuesia, Vasili tregon disa pasazhe të rënda.

“Shkaku ishte motra ime në Greqi, se me atë shkëmbenim letra. Njëri nga hetuesit, me mbiemrin Bregu, më qëlloi aq fort me grusht, sa m’i theu dhëmbët dhe plasi gjaku. Erdhi, mori cepin e xhaketës sime dhe m’i fshiu. Dilo Bregu quhej. 2 metra i gjatë ishte dhe më tha: “M’u thaftë dora, po të rashë më”. Se përse më goditi, ndoshta edhe faji im qe. Bënë kontroll në shtëpi, letra nuk gjetën, zarfe kanë gjetur. Zarfet i kemi mbajtur për adresat, letrave s’ua kemi vënë veshin. Ata kërkonin letrat. Më pyesnin: Ku i ke çuar letrat? I nervozuar, i thashë që me letrat e Sofisë, më falni për shprehjen, “Kemi fshirë b……”. Kur i thashë kështu, ai më qëlloi. Kurse hetuesin, e kisha nga Gjirokastra, nga Lunxhi i Gjirokastrës. Ai më shtrëngonte duart. Kurse shefi i operativëve ishte nga Berati. Bëra 4 muaj e gjysmë hetuesi dhe pastaj, më nxorën në gjyq. Më nxorën 7 dëshmitarë.”

Familja ndërkohë, nuk kishte asnjë lajm. Askënd nuk lejonin të kohej me të burgosurin. Dhimo tregon se kishin pritur të takoheshin me të atin më shumë se 3 muaj, derisa ai doli në gjyq.

“Nuk dinim gjë se si ishte. Një herë në dy javë, apo çdo javë, i çonim ushqime.

I linim atje dhe iknim. I mbaroi 3 muaj e gjysmë hetuesi dhe u caktua data e gjyqit, në 3 dhjetor 1966”, rrëfen Dhimo Zguri.

Në gjyq…

Gjyqi që iu bë Vasil Zgurit, ishte i hapur. Gjithçka ishte kopsitur me dëshmitarë e dëshmi të rreme. Ishte menduar si një leksion për të terrorizuar gjithë Korçën. Por askush nuk e kishte parashikuar karakterin shpërthyes të Vasilit.

Dhimo tregon se familja ishte nisur nga Voskopoja që pa gdhirë, për të qenë të pranishëm në atë gjyq.

“U nisëm që në orën 4 të natës, dy xhaxhallarët e mi, vëllezërit e tij, mamaja dhe unë, dhe në këmbë kemi shkuar në Korçë. Pritëm aty, se nga ora 7:30-8:00 fillonte gjyqi. Erdhën dhe e zbritën këtë, ky ishte i enjtur. Sollën dhe ca dëshmitarë që kishin dhe u futën brenda. Zumë vend edhe ne, aty afër. Pashë aty që babai ishte shumë i ashpër me gjyqin. U grind me atë prokuroren. Të tëra ato që kanë dosjet, aq sa dimë ne, ekzistonin, që ia thanë. Ky nuk pranoi asgjë. Tha që nuk ishte bërë gjë, që ishte i pafajshëm. Polici që ishte aty e goditi dhe e uli sepse ky i tha prokurores: “Dëgjo, unë jam i pafajshëm, por mos më merr në qafë, se do të vish ti në vendin tim këtu”. Atëherë, ne na nxorrën jashtë dhe morën vendimin. Prokurori e dha vendimin për 23 vite, kurse gjykatësi Mihallaq Pendavinji e uli një vit”, rrëfen Dhimo.

Ndërsa vetë Vasili kujton mbi këtë gjyq të montuar: “Unë nuk pranova asgjë, nga ato që thanë dëshmitarët që i kishin mësuar këta. Më së fundi, më tha ajo prokurorja: “Këta i njeh ti?”. “I njoh”. “Po si flasin keq për ty?”. Unë i thashë: “Këta s’mund të flasin keq për mua, por këta janë mësuar nga ju”. Këtu e ashpërsova. Njerëzit po dëgjonin të gjithë se çfarë thuhej. 18 vite më kishin lidhur me agjenturë. Gënjeshtra. Takim me diversantë këtu, takim atje, jo këtë, jo atë. Të tëra këto u hodhën poshtë. Si përfundim, prokurorja më dha 23 vite. Edhe hetuesit vetë, 4 vite m’i dhanë për agjitacion e propagandë. Më dolën edhe dy dëshmitarë këtu nga fshati”

Jeta e burgut…

Pas këtij dënimi, Vasili me 6 fëmijë të vegjël e gruan e shkatërruar nga kjo fatkeqësi, do të niste rrugëtimin e vështirë të burgjeve të komunizmit. Ai nga një qeli në tjetrën, nga një minierë në tjetrën, e ata me trasta krahëve, me qindra kilometra, për t’i çuar në burg ushqime e veshmbathje.

“Më morën siç merret ndonjë thes me kashtë, dhe më hodhën në makinë. U ngrita dhe pashë një herë andej e këndej. Më çuan në Degën e Korçës. 3 policë e 2 oficerë, 5 më shoqëronin, dmth që të më shihnin njerëzit, se ky është armik dhe ky ther njerëzit. Unë, një njeri i zakonshëm… Unë jam arrestuar 42 vjeç. 14 muaj bëra në Elbasan, në fabrikën e çimentos. Ne e bëmë të burgosurit, ishim 3.000 veta atje që e bëmë fabrikën e çimentos. Na ndanë pastaj… Një grup e çuan në Vlorë, një grup në Spaç, një grup në Burrel. Mua më zuri në Spaç. Sa kemi hyrë në Spaç, ata që kishin pak hatër, i linin edhe jashtë. Kishte edhe me hatër. Mua më zuri garameti në galeri. Galeria ishte me 3 kate. Punova rreth 4 vite në galeri. Galeria ishte e vështirë sepse vriteshin njerëzit. Kishim ca furnela për materialin. Njëri që e kishte tjetrin inat, e merrte dhe e hidhte mbi furnelë. Ndodhte edhe kjo, gjetkë, jo te ne. Rrethimi ishte me 6 tela rreth e përqark. Shkonte ndonjëri që i shkrepej te teli, dhe ushtari me automatik e qëllonte.

Kishim atje një koçimare, i thoshin, kishë. Atje varroseshin njerëzit. Ishte një copë lëndinë përtej kampit. I çonin ordinerët, se të burgosurit nuk dilnin nga burgu. Kishim ordinerë, rreth 15 veta, që i merrnin të vdekurit, se vdisnin njerëzit, vriteshin në minierë. Kishim 3 miniera bakri dhe piriti”.

Vasili është dëshmitar i asaj që ndodhi në Spaç, gjatë dhe pas revoltës. Ai nuk ishte në listën e ngushtë të atyre që u ridënuan për revoltën, por terrorin pas asaj ngjarje, e përjetoi edhe ai.

“Ishim 800 veta. Disa e bënë, jo të gjithë, por na futën të gjithëve. 3 ditë e 3 netë, na lanë pa ngrënë, na hoqën edhe ujin e banjove. Ishin 50 banjo që dilnin njerëzit, që vinte ajo gjëja e keqe në hundë. Erdhi Feçor Shehu atje dhe fliste që andej larg, nuk afrohej, se kishte frikë. Atje erdhi gjeneral, polici erdhi, ushtari erdhi. Nuk e di se sa ushtarë, se thoshin mos bënim ndonjë revoltë e iknim. Të gjithëve na lidhën, na ulën përdhe. Doli një listë me 130 veta që u arrestuan. I futën në makinë dhe i çuan në qytet, në Rrëshen. Këta i dënuan për së dyti. Kishin ca vite burg, u dhanë edhe një burg tjetër. U kthyen këta. T’i shikoje, teneqe. U kishin thënë që “Na keni turpëruar përpara botës”. U bë gjë e madhe. Pastaj i dënuan ata. Për ne, u ngrit një regjim shumë i fortë që hynte polici atje ku haje bukë, luga të dëgjohej jo fjala. Kemi vuajtur shumë…”.

Jetë e vështirë në familje…

Ndërkohë, në familjen e Vasil Zgurit në Voskopojë, nuk shkelte më pothuajse askush. Ata ishin familje e armikut të popullit. Askush nuk u fliste, askush nuk lidhte miqësi me ta. Të rrisje një tufë fëmijë, pa të atin, ishte një sfidë e vërtetë për nënë Vangjelinë…

“Me bukë thatë i kam rritur. Nuk kishim as bukë, jo më gjellë. Me patate, i zienim patatet dhe i hanim në vend të bukës e në vend të gjellës. Djali i ka hequr të gjitha. Ata të tjerët ishin të vegjël. Këto malet që shikon, i kam gjezdisur, duke mbledhur bimë. I çonim për t’i shitur dhe nuk na i merrnin, se nuk i kishim tharë mirë. Nuk donin që t’i merrnin. Një jetë që ç’të bësh. Natasha dhe Dhimo, dy prej fëmijëve të saj, qajnë edhe sot, kur i kujtojnë vuajtjet dhe poshtërimin në fshat.

Natasha edhe pse e vogël, kujton nënën gjithmonë të rraskapitur dhe vëllanë e madh që kishte marrë rolin e babait. “Na mbante neve në kurriz. Hapte rrugën kur binte dëborë, na merrte në krahë. Këtë gjë mbaj mend. Me trastat në kurriz, që shkonin në Spaç. Martoheshin motrat dhe ne vetëm qanim. Erdhi nusja e vëllait, vetëm qanim.

Dmth vetëm të qara… Kur shkonin shoqet tona në zbor, ne nuk shkonim. Ishim fëmijët e kulakut. Shkonin në mbrëmje rinie, ne nuk shkonim se ishim fëmijët e kulakut. Kishim këtë xhaxhanë këtu, komshiun, dhe ai ishte këpucar. Atje kalonin shumë njerëz. Thoshin djemtë e fshatit që ato vajza ishin për t’u marrë, por që ata nuk i merrnin dot. Ishim si njerëz të mënjanuar… Unë isha 6 vjeçe kur iku babai. E kam parë vetëm në burg, ndër ato udhëtimet e rralla e shumë të lodhshme që bënim për në Spaç. Tërë ato vite të humbura…”

Takimet e rralla në burg

Vasil Zguri ishte 42 vjeç kur u arrestua dhe do të kalonte në burgjet e komunizmit afro 20 vite. Në  këto dy dekada ndarjeje të dhunshme, familja e tij dhe ai vetë kujtojnë me më shumë dhimbje ecejaket  munduese për të shkuar deri në burgjet ku ai mbahej i izoluar, për ta parë pak çaste sa për tu çmallur e për ti çuar ndonjë veshje a ushqim. Rrëfimet e tij dhe të familjarve për takimet e burgut janë mjaft prekëse…

Dhimo kujton: “Fillova të ndjek babanë që në vitin ’66-’67. E çuan në Elbasan. Po bëhej fabrika e çimentos. Aty kam shkuar bashkë me motrën që e kisha më të madhe. E kam takuar babanë, me të qara, me të tëra, kemi shkuar, kemi çuar ato gjërat. Shkova dy herë në Elbasan, dy herë shkoi mamaja. Pastaj i transferuan këta dhe i çuan në Spaç të Mirditës. Mund të them se unë kam shkuar 84 herë brenda 18 viteve që ishte në Spaç, thotë Dhimo.

Nga takimet në burg, vetë Vasili kujton një pasazh mes lotëve: E kam lënë 6 vjeçe Natashën. Kur bëra takimin e parë në dhomë në Spaç, komandanti i burgut atje dhe një polic, rrinin aty në këmbë. Kjo e vogla 6 vjeçe, kur unë u ula që ta puthja, i lidhi duart në qafën time. Unë drejtova trupin, ajo nuk më lëshonte. Mbeti varur pën qafën time. Polici atje, edhe pse polic i rreptë, lotoi. Dhe kur më mori pastaj që më ndau, më tha: “për fëmijët e mi nuk kam lotuar, lotova për atë vajzën që të mbeti varur”.

Vetë Natasha i rrit në ato rrugëtime të dhimshme e të trishta.

Ajo kujton se një herë kishin shkuar me shpresën se i ati do të përfitonte nga një amnisti dhe ta prisnin kur të dilte nga burgu.

“U ngritëm ne dhe shkuam në Spaç. Kur shkuam atje na doli njëri në rrugë dhe na pyeti se ku shkonim. Ne i thamë që po shkonim në Spaç dhe donim të takonim Vasil Zgurin. Ai na tha se nuk kishte njerëz atje sepse kishin ikur të gjithë nga Spaçi. Na tha se i kishin liruar dhe i kishin çuar në Lezhë. Ne nuk shkuam në Spaç, por u kthyem. Nuk arritëm të shkonim në Zejmen të Lezhës, por fjetëm në Milot. Unë nuk isha mësuar shumë me vështirësi. Kalonin makinat, hoteli ishte i ftohtë, ngrija. Vëllai flinte gjumë se ishte mësuar shumë me vështirësitë. Shkuam në Lezhë. Gjithë ditën e gjithë natën dhe pyetëm një polic nëse Vasil Zguri ishte aty. Ai na tha që të prisnim radhën pastaj do të merrnim përgjigje. Mbaruan të gjithë ata njerëz dhe pastaj na tha që Vasil Zguri nuk ishte aty. U ngritëm prap me vëllanë, shkuam në Spaç dhe atje i thashë që nuk duroja dot më, dmth që nuk doja ta shikoja babanë. U takuam pak atje dhe ikëm. Gjithë kjo torturë dhe babai nuk kishte bërë asgjë….”

Dalja në liri…

Kishin kaluar afro 20 vite nga dita e arrestimit. Vasili ishte dënuar me 22 vjet burg. Falë një amnistie në vitet e fundit të dënimit, ai do të mund të dilte në liri, pothuaj 2 vjet më parë nga ç’ishte parashikuar.

Dhimo tregon se në  kohën kur e ishin njoftuar se i ati mund të dilte nga burgu, ishin nisur nxitimthi për në Sarandë. Në Shën Vasil, e kishin çuar në fund Vasil Zgurin.

“Në orën 8 pa një çerek, jemi paraqitur te dera e burgut, siç paraqiteshim edhe në Spaç. I thamë që kishim shkuar për të marrë Vasil Zgurin, se do të lirohej. Na tha të prisnim, hyri brenda, na la të tërë, u tmerruam nga kjo. Na tha që duhej të prisnim deri në orën 10, se nuk i kishte mbushur orët. I thashë që ai kishte bërë 22 vite burg, çfarë orësh duhej të mbushte. Më urdhëroi që të rrija aty e të mos lëvizja. Në orën 10 fiks, doli ky atje, e morëm për krahu, u kënaqëm që doli dhe që ishte mirë me shëndet. I veshëm një palë rroba që ia kishte bërë gruaja, por nuk gjenim makinë. Në Metoq të Sarandës, e rregulluam me një mik aty, se vinin autobusat e pionierëve, që i sillnin dhe kthenin. Shkuam deri në Pogradec. Në Pogradec, morëm babanë dhe shkuam në Korçë.”

Afro 20 vjet më vonë, Vasil Zguri do të rikthehej në Voskopojë, në fshatin ku e arrestuan, aty ku bashkëfshatarët e tij i kishin dalë në gjyq si dëshmitarë të rremë… Por regjimi ishte ende në këmbë. Të gjithë në fshat, do të vijonin ta dënonin me heshtje, ta shpërfillnin atë dhe familjen e tij…

“E gjeta gruan me 6 fëmijët e martuar, 5 vajza dhe djali i madh”, – tregon Vasili.  -Mirë që erdha këtu, por këtu kalonin njerëzit afër meje dhe nuk më flisnin me gojë. Po kjo punë e zezë? Unë fajin që i bëra qeverisë, fjala vjen, e shleva, këtej nuk më flasin. Dilja te porta atje. Kalonin njerëzit rrugës e nuk më flisnin me gojë. Pastaj filluan. Vajta me dhentë e kooperativës. Atje u përzieva pastaj me njerëzit. Voskopoja ishte me burra dhe me gra që ishin të lidhur të gjithë me Sigurimin”.

Vasil Zguri nuk e di ç’do të thotë drejtësi apo shpagim për ato 20 vite burg që bëri pa pasur asnjë faj. Ai s’mundi të marrë qoftë edhe një ndjesë, nga ata që i dolën dëshmitarë në gjyq, bashkëfshatarët e tij. Por jeta i dha shansin e dytë për të gëzuar familjen dhe të afërmit e tij.

Pasi dola nga burgu, një prej dëshmitarëve që më doli këtu në fshat e gjeta të vdekur. Atë që e gjeta ishte edhe brigadier. E zura aty dhe i thashë se ç’ishin ato fjalë që tha për mua në gjyq. Më tha që kishin kaluar 30 vite dhe vërtet kishin kaluar 30 vite. Po mirë, – i thashë unë, – kaluan 30 vite, por me ato llafet e tua, unë bëra burgun. Edhe ky pati hall tani, se mos e godisja unë dhe u fsheh. Iku dhe pas 3-4 vitesh, vdiq edhe ai. Vdiqën të gjithë ata kundërshtarët e mi, para meje, edhe pse ishin më të vegjël nga unë. Dhe unë i thosha plakës çdo ditë, se përse jetonim ne? Po ne siduket na e zgjati jetën perëndia”…/kujto.al

*Shkrimi u publikua kohë më parë

Në vijim, sjellim dokumente të tjera të Sigurimit të Shtetit dhe Dosjen e Gjykatës:

blank
blank
blank
blank

LEXO EDHE: E TMERRSHME: DHURATA SOKOLIN E LANË NË SHI DERISA NDËRROI JETË…