Dëshmi tronditëse e kreut të Sigurimit: Si i ekzekutonim të pafajshmit me gjyqe të sajuara

Dëshmia e një prej krerëve të Sigurimit: Ja rastet e pushkatimeve pa gjyq, torturat dhe raprezaljet në Shkodër, Mirditë, Krujë, Mamurras, Shijak, etj. në vitet 1945, 1946, 1947…

Pas prishjes së marrëdhënieve me ish-Jugosllavinë dhe dënimin e Koçi Xoxes si pro-jugosllav, me këtë rast, Enver Hoxha nxiti në vitin 1948 një fushatë të tërë denoncimesh, sikur të gjithë krimet e përbindshme të viteve 1945, 1946, 1947 e deri në momentin e dënimit të Koçi Xoxes, kishin vetëm një fajtor, këtë të fundit.

Edhe pse në dhjetra dokumente, ku jepej leja e ekzekutimeve me vdekje, Hoxha vetë firmoste lirisht pa brerje ndërgjegjeje.

Sidoqoftë, dokumentet e kësaj periudhe, kryesisht të vitit 1948, edhe pse janë një valë e orkestruar denoncimesh, në thelb ato nxjerrin në dritë dhe faktojnë një varg ngjarjesh makabre të kryera nga komunistët, me qëllimin e vetëm: për të marrë me dhunë e më tej, për të mbrojtur po me dhunë pushtetin.

Dokumenti që sjellim sot, është një prej shkresave raportuese të vitit 1948, ku gati në formë autokritike, dëshmohen krimet e komunistëve në vitet, ‘45, ‘46, ‘47. Autori i saj është Vaskë Koleci, një prej vartësve të Koçi Xoxes, që drejtonin Ministrinë e Brendshme dhe Sigurimin e Shtetit me stukturën pararendëse Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit. Dokumenti përshkruan qartësisht se si bëheshin pushkatimet pa gjyq, apo edhe se si sajoheshin gjyqet ushtarake, që më pas dënonin me vdekje njerëz që nuk kishin bërë asnjë faj.

Pjesë nga deklaratat e Vaskë Kolecit, për krimet e viteve 1945 -1947…

…Gjatë tre muajve të parë 1945, në operacionin që u zhvillua në Veri, janë pushkatuar me dhjetëra veta, gjithashtu edhe djegur shtëpi. Për të gjitha rastet, sektori i bandave në seksionin e dytë, ka bërë raporte dhe relacjone të cilat janë paraqitur lart, por asnjë masë nuk është marrë dhe sigurisht kuptohet, se s’kishte se si të merrej.

Unë vetë, kur isha në tetor 1946 në Shkodër, në rastin kur në Dukagjin, nga të arratisur e fshatarë ishin goditur e shpartalluar dy njësite të M.P (Mbrojtjes së Popullit, forcat e Sigurimit) dhe kishin vrarë dhe plagosur nga tanët, unë u dërgova nën komandantin e  qarkut ku i thashë që të bënte hetime e në rast se kanë marrë pjesë dhe fshatarë të vriten  dy–tre veta në vend. Ay shkoi dhe pushkatoi 6 ose 8 veta. Këtë rast e kam bërë unë direkt…

Vrasje ilegale

Unë direkt dij për 6 vetat e pushkatuar më 1947 (tre gjermanët, 2 Jarri, Qendroja dhe Jaha(?) si dhe për Galib Hatibin. Për këto më ka thënë Koçi dhe unë i kam thënë D.M.P.(Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit). E vërteta është ashtu siç e kam thënë. Por në këtë kallëp unë fut edhe ato që janë qoftë me anën e gjyqeve. Në rast kur të arratisurit kanë bërë ndonji aksion ose atentat, atëherë si masë raprezaljeje janë bërë pushkatime jo të drejta dhe këto të maskuara me gjyqin ushtark ose gjyqe të ngritura nga DMP. Kjo ishte sa për hi syve dhe janë bërë me urdhër të Koçit. Këto janë bërë nën parullën “Ligji i madh është mbrojtja e Republikës” dhe këtë e kam dëgjuar në 1946 edhe nga shoku Nesti (Kerenxhi, zëvendësi i Koçi Xoxes). Një veprim i tillë ka dëmtuar rëndë dhe e ka diskretituar rëndë drejtësinë tonë, ka copëtuar besimin e popullit në ligjet dhe gjyqet tona.

Ja se si bëheshin: ndodhte nji aksion ose atentat, dërgoheshin forca, gjyqi ushtarak ose ka patur raste që këto ngriheshin nga D.M.P. sigurisht të autorizuar nga Koçi, arrestoheshin nga Sigurimi katër pesë veta me dyshime si strehuesa dhe shpesh pa asnji bazë, i rrihnin me dru, deri sa ai të pranonte se e kishte strehuar dhe furnizuar të arratisurin, gjyqin shpejt dhe plumbin kokës para masës…

Gjyqe të tilla janë bërë vazhdimisht në 1945 – 1946, si në rrethet e Shkodrës, Mamurras, Krujë, Mirditë e gjetkë. Mua më kujtohen këto raste: në 1946 për shkak se ishte prerë dy tre herë rruga në Mamurras, u dërguan forcat e Mbrojtjes, arrestuan një numër fshatarësh u torturuan dhe u pushkatuan 10 veta. Gjyqi ishte  nga D.M.P. Nga Sigurimi kishte shkatruar shoku Vilson Pecani dhe ky i thotë se kishte urdhër nga Nesti. Ka patur edhe raste të tjera.

Më 1947, kur zëvendësoja unë Nestin, në rrethin e Shijakut, të arratisurit kishin bërë një sërë atentatesh. U dërguan forca për ndjekje. Gjithashtu, seksioni i Sigurimit, me anën e një shkrese, propozonte marrje mase pushkatimi për strehuesit. Unë ja paraqita Koçit dhe ky ja aprovoi për 5 veta. U arrestuan, u torturuan, u proceduan dhe u dënuan me pushkatim nga gjyqi ushtarak./kujto.al

Lexo edhe:

TORTURAT MIZORE NË SPAÇ: HANIM BUKË TË MYKUR DHE SUPËN ME KRIMBA, MIZA E GURË…