Dëshmia e ish-inxhinierit ushtarak: Misteri i qelisë së nëndheshme në burgun e Burrelit…

Pyetja e parë që më bëri hetuesi në seancën e parë hetuesore, ishte: “Ti je spiun i famshëm i Perëndimit, ashtu si Mata Hari. Na trego ore armik i poshtër veprimtarinë tënde agjenturore me Agjenturat e Fshehta të 17 Vendeve të Huaja Perëndimore dhe të Botës”. Kjo për arsye se Sigurimi i Shtetit kishte dyshime të mëdha për takimet e mia me turistët e huaj gjatë 8 viteve dhe të korespodencave të shumta postare me filatelista të vendeve të mësipërme. Sot ky hetues është i gjallë.

Gjatë kontrollit të shtëpisë tonë në Tiranë dhe të dollapit tim të hotelit në qytetin e Burrelit, Sigurimi i Shtetit gjeti dhe mori Librat e Shenjtë të Biblës dhe të Kuranit në gjuhën angleze; shumë libra dhe revista të vjetra angleze; disa fjalorë dhe blloqe me skica antenash moderne televizive; pajisjen time elektronike televizive me dy tranzistorë dhe përforcuesin e sinjaleve televizive; etj”.

Të gjitha këto e të tjera ngjarje të jetës së tij, që nga: fëmijria, shkollimi, periudha e rinisë me jetën në Tiranën e fillimviteve ’70-të, ndjekjen dhe survejimin nga Sigurimi i Shtetit, diplomimi, emërimi si inxhinier ushtarak i Ndërlkidhjes në një repart të Burrelit, arrestimin, gjyqin e demaskimin publik, hetuesinë, burgun etj, Sajmir Maloku i ka përmbledhur në një libër me titull “SI MBIJETOVA NE FERRIN KOMUNIST” (Botim i EMAL në shqip dhe anglisht), pjesë prej të cilave ai i ka dhënë për botim ekskluzivisht për Memorie.al

“Më lidhën me zinxhir në këmbë dhe më shëtsinin me “Gaz”-in e Degës nëpër Burrel”!

Në muajin nëntor të vitit 1976 Ushtria dhe Policia e Shqipërisë ndodhej në gatishmëri të plotë në prag të festave kombëtare të Pavarësisë dhe të Çlirimit të vendit.

Për këtë arsye, transferimi im në Burgun e Burrelit u shty në fillim të muajit dhjetor të këtij viti. Një ditë gjatë muajit dhjetor, rreth orës 10 të mëngjesit më nxorën nga qelia edhe godina e Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, ku unë ndenja gati shtatë muaj.

I shoqëruar nga disa policë të armatosur dhe oficerë të Sigurimit të Shtetit më futën në një makinë policie i lidhur me pranga në duar dhe me zinxhirë në këmbë.

Kjo makinë ushtarake nga populli quhej “Gazi i Degës” me anë të të cilëve bëheshin arrestime dhe njerëzit trembeshin nga prania e saj në rrugë ose afër pallateve të banimit.

E njëjta gjë ndodhte edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë. Pastaj ata pasi ma mbuluan kokën me batanijen e pistë të qelisë time filluan të lëvizin me makinën e Policisë rreth e rrotull rrugëve të qytetit të Burrelit.

Dy oficerët e Sigurimit të Shtetit më shoqëronin duke u tallur dhe duke qeshur. Herë pas here, qytetarëve që ndodheshin në rrugë i thoshin: “Ky është armiku i popullit Saimir Maloku.

Këtë njeri të poshtër do ta çojmë në burgun e Burrelit, aty ku çdo i burgosur hyn dhe asnjë syresh nuk del prej andej”.

Kur u futa në dhomën e të burgosurve politikë të Burgut të Burrelit, disa prej tyre thanë: “Ky qenka bërë si kufomë e gjallë dhe paska vuajtur tmerrësisht gjatë kohës së paraburgimit”.

Kjo tregonte se sa të rënda ishin torturat dhe pasojat e tyre për të gjithë të burgosurit politikë të Shqipërisë që vuajtën në burgjet komuniste.

Pra, propaganda komuniste e Sigurimit të Shtetit dhe të Partisë Komuniste ishte sipas një plani të tyre që të më diskreditonin sa më shumë në popull si dhe t’i fusnin atij frikën për njerëzit që nuk zbatojnë mësimet e Partisë Komuniste edhe që shprehnin pakënaqësi ndaj regjimit komunist. Sigurimi i Shtetit tok me Policinë e Burrelit më çuan në Burgun famëkeq të Burrelit që ishte rreth 400 metra larg nga Dega e Punëve të Brendshme.

Pas derës kryesore metalike të burgut ishte një peshore e madhe metalike ku peshoheshin ushqimet që sillnin familjarët e të burgosurve politikë.

Duke përfituar nga kjo gjë, unë u peshova disa herë dhe as vetë nuk e besoja që isha 43 kilogram nga 78 kilogramët e dikurshëm.

Pesha e trupit tim para dy javësh që erdhi familja ime, mund të ketë qenë diku ke 40 kilogramët.

Kjo më shkaktoi një tronditje të madhe shpirtërore. Thashë me vete: “Isha në Albania dhe përfundova në Auschëitz”. Pastaj falënderova Jezu Krishtin që jam gjallë.

Gjithashtu, unë pyeta edhe gardianin e burgut, i cili më shoqëronte duke më thënë se kjo peshore e madhe metalike e ushqimeve të burgut ishte mjaft e saktë në peshim. Pra, gangrena komuniste kishte ngrënë gjatë 200 ditëve gati gjysmën e peshës time trupore dhe unë isha bërë ashtu siç thotë populli “kockë e lëkurë”.

Tani fytyra ime ishte tepër e zbehtë sepse për afro tre muaj pas dënimit nga gjykata nuk i kisha parë rrezet e diellit. Kjo sepse edhe në Kampet Naziste të Përqëndrimit të burgosurit dhe robërit i nxirrnin gjatë ditës në oborrin e kampit për t’u ngrohur nën rrezet e diellit si dhe në ajër të pastër.

Mjekësia moderne paralajmëron se “epidemia ose përbindëshi i vetmisë” ndikon në zhvillimin e shumë problemeve të rënda shëndetësore.

Vetmia shkakton sëmundjen e kancerit, dëmton shëndetin, zemrën dhe trurin si dhe rrit rrezikun e vdekjes së papritur apo vdekjen e parakohshme.

Por unë që ndenja i vetmuar dhe në kushte të tmerrshme për më tepër se gjashtë muaj sa pasoja të dëmshme shëndetësore pësova në trupin tim të dobësuar që, po të ishte prej çeliku do të ishte ndryshkur i tëri.

Pra, unë ndenja jo pak por mbi gjashtë muaj në Ferrin komunist.

Askujt në botë nuk i’a uroj këtë fat të hidhur dhe të tmerrshëm që unë përjetova në ditë-netët e burgut në vetmi të plotë.

Dhe aq më tepër që këto 200 ditët isha i gatshëm t’i vuaja, qoftë edhe me burgim të përjetshëm sesa të trajtohesha në mënyrë kaq shtazarake dhe me vuajtje kaq të pabesueshme në qelinë e nëndheshme, ndoshta më të keqe të burgjeve komuniste në botë.

Falë ndihmës së Zotit, unë i mbijetova krimeve më çnjerëzore komuniste në Shqipëri. Kjo është arsyeja që Perëndimi e quante diktatura më e egër komuniste në Evropën Lindore.

Çdo ditë, orë dhe minutë që qëndroja në këtë qeli të nëndheshme ishte një torturë e jashtëzakonshme dhe e pabesueshme e pse jo, edhe mizore për mua.

Edhe kur lëvizja, qëndroja ulur ose këndoja ashtu nën zë, mbyllja sytë që të harroja se ku ndodhesha në ato çaste dramatike të jetës time.

Sytë i mbaja gjithmonë hapur ashtu si lepuri i egër kur falesha dhe përqendroja vështrimin te kryqi i bërë në mur.

Shpeshherë kur gardianët më shikonin që falesha para kryqit, zgërdhiheshin dhe talleshin me mua duke më thënë fjalë fyese të karakterit politik apo thjeshtë komike, por ashtu pa kripë.

Kurrë nuk i harroj fjalët të babait tim, i cili për të më ngritur moralin, vazhdimisht më thoshte anglisht: ‘That is a dream” (Kjo është një ëndërr).

Kjo shprehje më sillte ndër mend Martin Luther King-un në SHBA. Falënderoj Zotin që me shumë vështirësi krijoi njeriun, por i dha atij mundësinë apo forcën të mbijetojë.

Ishin këto pasoja të rënda shëndetësore që unë, me fitoren e Demokracisë refuzova të punoja në institucionet shtetërore, pavarësisht se m’u ofrua një post i lartë në vitin 1992 në Shërbimin Informativ Kombëtar që zëvendësoi Sigurimin e Shtetit.

Është për t’u habitur sepse shumë ish-komunistëve, kur i erdhi lajmi që Saimir Maloku po shkruan rrëfimet e vuajtjeve të tij, teksa më takonin në rrugë, më thoshin:

“Saimir, shkruaj çfarë të duash, por komunizmin dhe shokun Enver Hoxha mos na i shaj dhe mos përdor fjalë të këqija për to në librin tënd, sepse kanë qenë njerëz të mirë”.

Unë heshtja dhe nuk u jepja përgjigje. Ja sa pasoja të rënda ka Demokracia nga mosdekomunistizimi i Shqipërisë dhe mosdemaskimi i krimeve komuniste në librat e Historisë edhe nga organet shtetërore.

“Historia e burgut të Burrelit, me tmerret e tij dhe misteri i qelisë sime”!

Burgu i Burrelit ishte një burg i sigurisë së lartë me kapacitet prej afro 100 vetash. Të gjithë ishin të burgosur politikë të dënuar me 10 vjet dhe më shumë heqje lirie.

Gjatë 47 viteve të regjimit komunist në këtë burg të tmerrshëm dhe famëkeq kanë vuajtur dënimin 1300 të burgosur politikë. Nga torturat, vuajtjet, sëmundjet dhe mungesa e ushqimeve kanë vdekur 350 prej tyre.

Ndërsa me dhjetëra të burgosur të këtij burgu përfunduan nëpër sanatoriumet dhe spitalet psikiatrike si dhe vdiqën pas pak vitesh nga sëmundje të rënda si dhe nga shëndeti i dobët i tyre etj.

Kjo bazuar në të dhënat e publikuara të Institutit të Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë dhe të Qendrës Shqiptare të Rehabilitimit të Viktimave të Traumës dhe të Torturës.

Në Burgun e Burrelit shokët e dhomës time më treguan se qelia e nëndheshme ku kisha ndenjur unë për gjatë më tepër se gjashtë muaj, kishin vdekur mjaft të burgosur politikë.

Kjo për arsye se Sigurimi i Shtetit me urdhër nga personalitetet e larta të Partisë Komuniste dhe të Sigurimit të Shtetit, kërkonte t’i ridënonte për së dyti apo për së treti ose edhe t’i eliminonte në mënyrë të fshehtë shumë të burgosur politikë.

Ata arrestoheshin dhe konsideroheshin kundërshtarë të rrezikshëm të regjimit komunist.

Ja deri ku arrinte hakmarrja dhe mizoria e regjimit duke e fshehur këtë masakër të tmerrshme çnjerëzore nga opinioni botëror.

Mediat e shtetit komunist ia fshihnin popullit këto krime çnjerëzore të regjimit duke i bërë jehonë fjalimeve të diktatorit E. Hoxha dhe kryeministrit të vendit, Shehu, që vazhdimisht shpreheshin: “Përpara për fitore të reja në rrugën e ndërtimit të socializmit”, “Poshtë armiku i klasës” etj.

“Shokët e dhomës më thanë: Je me fat që je gjallë”!

Shqipëria, nën regjimin diktatorial, ishte e pushtuar nga parullat komuniste, të cilat mund t’i shihje në çdo cep të vendit si nëpër rrugë, dyqane, restorante, spitale, shkolla, stadiume, burgje, ndërtesa publike, nëpër institucionet shtetërore e kudo.

Vendi ynë në atë kohë me të drejtë quhej Shteti i parullave apo sloganeve komuniste, që i kushtoheshin lavdisë së Partisë Komuniste dhe diktatorit Hoxha.

Shokët e dhomës më thanë: “Je me fat që je gjallë, dhe paske patur një trup të fortë që ke duruar gjithë këto vuajtje dhe tortura të tmerrshme që ke kaluar nga këta kriminelë”.

Jo pak prej tyreve u dukej e pabesueshme që këto ngjarje mizore më kishin ndodhur mua dhe isha akoma gjallë. Pesha rreth 43 kg. dhe fytyra ime mjaft e zbehtë ishin pasqyra e vërtetë e vuajtjeve të mia.

Qelia e nëndheshme ku unë qëndrova për afro 200 ditë gjatë kohës së paraburgimit nga të burgosurit politikë të Burgut të Burrelit konsiderohej si qelia më e tmerrshme dhe më e keqe në të gjitha burgjet e Shqipërisë.

Shokët e mi bashkëvuajtës më treguan se tri qelitë e nëndheshme të Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, ishin ndërtuar për të shkatërruar fizikisht dhe nga ana psikike e në fund t’i eliminonin kundërshtarët e rrezikshëm politikë, kryesisht kur donin t’i ridënonin për së dyti apo për së treti.

Këto tri qeli ne i quanim “lavatriçet e trurit dhe të vdekjes për kundërshtarët politikë” dhe ku shërbenin njerëzit më të besueshëm të Sigurimit të Shtetit në mënyrë tepër sekrete dhe të fshehtë.

Siç e kam përmendur edhe më parë, në muajin prill të vitit 2017, unë dhe grupi i kineastëve, me regjisorë e kameramanë zviceranë dhe shqiptarë që po bënin një dokumentar për mua, u habitëm kur pamë që godina e ish-Degës së Punëve të Brendshme e Burrelit, ishte zënë nga familjet e të persekutuarve politikë me fitoren e Demokracisë.

Pra, edhe tri qelitë e nëndheshme nuk ishin prishur, por dera metalike e katit të parë ishte e mbyllur me çelës dhe pronarët e saj ishin jashtë shtetit.

Kërkoj nga qeveria që këto tri qelitë, dhoma e nëndheshme e Hetuesisë dhe katër qeli të katit të parë të kësaj ndërtese të jenë si muze dhe të ruhen nga shtetit në mënyrë që brezi i ri të shikojë nga afër qelitë e tmerrshme të Aushvicit shqiptar. Kjo do t’i vërtetojë më së miri fjalët e mia.

Dëshira ime është që shumë diplomatë dhe ambasadorë të huaj të akredituar në Tiranë së bashku me përfaqësues nga Selia e Shenjtë e Vatikanit dhe nga Komisioneri i të Drejtave të Njeriut të OKB-së dhe atij të Evropës, të shoqëruar prej meje dhe mediat televizive të shohin me sytë e tyre këto tri qeli të Ferrit komunist dhe dhomën e Hetuesisë si dhe qelitë e katit të parë, ku me qindra të burgosur e sidomos klerikë të nderuar të Burgut të Burrelit u kthyen në viktima të pafajshme të terrorit komunist.

Mediat elektronike dhe ato të shkruarat duhet t’i pasqyrojnë krimet dhe torturat që kriminelët komunistë teksa shkatërruan shëndetin e kundërshtarëve politikë.

Fatkeqësia më e madhe për shtresën e ish të përndjekurve politikë dhe për edukimin e brezit të ri është se po zhduken vendet dhe gjurmët e krimeve komuniste.

Kjo gjë po realizohet në mënyrë të fshehtë nga qarqe të caktuara politike të veshura edhe me pushtet gjatë këtyre 28 viteve të Demokracisë në vendin tonë, të cilat e përçanë shtresën tonë të vuajtur në 8 shoqata. Pra, u përdor edhe taktika e njohur: “Përça dhe sundo”.

“Ju tregoj shokët që gjeta në burgun e Burrelit”

Burgu i Burreli ishte botë tjetër për mua nga ajo ku më çuan më pas, ku unë pashë njerëz dhe bisedoja me ta.

Ishin njerëz të edukuar dhe të kulturuar dhe me pikëpamje perëndimore si: Osman Kazazi, Pjetër Arbnori, Kurt Kola, Abdulla Sallaku, Sherif Merdani, Uran Kostreci, Daut Mehmeti, Bedri Çoku, Seit Bultica, Fatmir Llagami, Adem Allçi, Theodhori Gërnjoti, Daut Gumeni, Uran Kalakula, priftërinjtë e nderuar Dom Simon Jubani, Dom Nikollë Mazreku etj., të cilët kishin gati 20 vite që vuanin dënimin në këtë burg komunist.

Ata më tregonin për terrorin komunist se dy të dënuar politikë i kishin marrë më parë për t’i ridënuar dhe gjoja “ata kishin varur veten”.

E vërteta ishte se ata i kishin ekzekutuar dhe nuk dihej se ku i kishin varrosur. Kjo sepse terrori komunist ishte përhapur kudo nëpër Shqipëri.

Partia Komuniste nisi një politikë të spastrimit dhe eliminimit fizik të kundërshtarëve politikë, të cilët ky regjim i konsideronte ata armiq të popullit.

Nga viti 1973 e në vazhdim Ministria e Punëve të Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit kishin hartuar planin e arrestimeve të shumta politike.

Në Tiranë u arrestuan shumë ministra dikasteresh dhe personalitete të larta shtetërore si: Beqir Balluku, 267 Abdyl Këllezi, Kiço Ngjela, Petrit Dume, Todi Lubonja, Vasil Kati, Dashnor Mamaqi e të tjerë si dhe fëmijët e tyre Vladimir Balluku, Spartak Ngjela, Besa Dume, Fatos Lubonja e plot të tjerë.

U arrestuan edhe njerëz të shquar të kulturës e të artit si: Fadil Paçrami, regjisorët Mihallaq Luarasi, Kujtim Spahivogli, Milto Vako, piktorët Edison Gjergo, Ali Oseku dhe Maksim Velo. Pastaj inxhinierët Hajredin Fratari, Ismail Farka, Eqerem Kavaja, Shkëlqim Bumçi, Lipe Nashi, si dhe mjaft poetë, shkrimtarë dhe këngëtarë të njohur.

Shumica e familjeve të personave të mësipërm u internuan për shumë vite në fshatrat më të humbura e larg kryeqytetit e qyteteve kryesore të vendit.

Arrestimet dhe dënimet e shumta politike bënë që regjimi komunist të shkaktonte ankthe, tension dhe frikë në popull. Pra, Shqipëria ishte një burg i madh politik i Evropës, i rrethuar me tela me gjemba.

Të dënuarit politikë të Burgut të Burrelit për mendimin tim ishin një burim i jashtëzakonshëm informacioni për krimet e mëdha të bëra nga regjimi komunist deri në ato vite.

Ata ishin heronj të vërtetë dhe krenaria e burgjeve politike të Shqipërisë, sepse kishin 10 apo 20 vite që vuanin në këtë burg të Sigurisë të Lartë.

Pra, në mendjen, kujtesën dhe trurin e tyre ishte skedari i vërtetë dhe i saktë i këtyre krimeve politike.

Shumë të burgosur politikë kur liroheshin nga burgjet arratiseshin dhe arrinin të flisnin në Radiostacionin “Zëri i Amerikës” për krimet e bëra të regjimit komunist duke informuar opinionin botëror dhe atë në Shqipëri.

Lajmet dhe bisedat përhapeshin shumë shpejt në popull duke rritur pakënaqësinë ndaj regjimit të urryer komunist.

Populli shqiptar dhe ai i vendeve komuniste të Evropës Lindore e kuptuan më së miri se komunizmi ishte një utopi dhe se pas emrit të Partisë Komuniste ishte një grup njerëzish partiakë, që krijuan regjime diktatoriale.

Pastaj u pasuruan në kurriz të popujve të tyre.

Ata u shndërruan në kriminelë që e mbanin pushtetin e tyre nëpërmjet terrorit, dhunës, arrestimeve, pushkatimeve, burgosjes dhe të internimeve të mijëra kundërshtarë politikë.

“Kur më çuan në burgun e Burrelit, dy muaj s’lëviza dot nga vendi”!

Burgu i Burrelit cilësohej nga mediat perëndimore si një ndër burgjet më të këqija të vendeve komuniste në të gjithë Evropën.

Në tri dhoma të mëdha me kapacitet 24 veta secila ndodheshin vetëm të burgosurit politikë që kishin pikëpamje perëndimore apo njerëz të imperializmit siç i cilësonte regjimi i asaj kohe.

Në tri dhoma të vogla me nga pesë apo gjashtë veta secila, banonin të burgosurit politikë të cilësuar si revizionistë apo pro rusë. Unë isha cilësuar si njeri mjaft i rrezikshëm dhe agjent i Perëndimit.

Ishte një kënaqësi e madhe në jetë kur pas gjithë këtyre vuajtjeve të mëdha, më në fund pashë diellin, hënën, shoqërinë njerëzore, ajrin e pastër, natyrën e gjelbër, banjën me ujë të ngrohtë, dyshekun, jorganin, ushqimin pak më të mirë, ujin e pastër, librat, dëgjoja altoparlantin e dhomës etj.

Për arsye të shëndetit tim të rrënuar, unë nuk lëviza nga shtrati për afro dy muaj. Vetëm flija dhe lexoja libra të mjekësisë dhe disa artistikë në gjuhën angleze. Shpesh luaja shah dhe domino.

Çdo ditë bisedoja me shokët e dhomës time të cilët më tregonin për jetën dhe vuajtjet e tyre që kishin hequr ndër vite kudo ku kishin qenë në burgjet e Shqipërisë.

Gardianët na nxirrnin çdo ditë dy herë nga gjysmë ore për ajrosje në oborrin e madh brenda burgut ku kishe mundësi të gatuaje diçka në kuzhinën private.

Racioni i ushqimit të burgut ishte i paktë por i mirë duke e krahasuar me ushqimin ditor të qelisë së nëndheshme gjatë kohës së paraburgimit.

Policët e burgut ushtronin kontroll të rreptë ndaj ushqimeve të sjella nga familjarët tanë.

Vezët na i thyenin me dyshimin se mos kishin alkool. Kuleçtë, byrekët, ëmbëlsirat, sheqerin, miellin, frutat etj. i kontrollonin se mos kishin brenda ndonjë thikë, fletë sharre metalike, ndonjë letër ku diçka shkruhej.

“Të burgosurve u jepnin ilaçe të skaduara, për vdekje graduale”!

Të burgosurit politikë ishin njerëz tepër humanë dhe ndihmonin njëri-tjetrin me ushqimet që sillnin familjarët tanë apo që i blinin në dyqanin e ushqimeve të burgut.

Ndihma mjekësore për të burgosurit ishte e mangët megjithëse shumë prej tyre vuanin nga sëmundje tuberkulare, reumatizma, paraliza, hemorroidet, ulcerë në stomak, koliti etj.

Këto sëmundje me kalimin e kohës në mënyrë graduale bënin që të dënuarit politikë të vdisnin mbasi ndihma mjekësore nuk ishte e mjaftueshme. Për këtë gjë të dënuarit politikë të Burgut të Burrelit vazhdimisht i nisnin ankesa institucioneve shtetërore.

Të burgosurit dyshonin shumë se edhe ato ilaçe që u jepeshin atyre ishin të skaduara dhe jo të efektshme.

Dhe në raste të tilla policët kur donin të eliminonin të dënuarit politikë tepër të rrezikshëm hartonin procesverbalin që x i burgosur politik vari veten në qelinë e tij. Vendvarrimi i trupit të personit të vdekur nuk tregohej.

Në territorin e Burgut të Burrelit ishte një pemë e madhe qershie pranë së cilës janë varrosur me dhjetëra kufoma të vdekurish, ndërsa disa prej tyre ishin të hedhura në pusin e thellë që ishte aty pranë.

Këtu të lejonin të merrje 5 kg ushqime dhe 5 kg fruta çdo muaj nga familjarët dhe të blije diçka në dyqanin e brendshëm të burgut me lekët e dërguara nga familjet e tyre.

Më vinte shumë keq që mjaft të dënuar politikë prej shumë vitesh nuk kishin kontakte me familjarët e tyre dhe nuk siguronin ndihma ushqimore.

Kjo sepse mjaft nga familjet e tyre ishin të internuara në fshatrat e largëta dhe të humbura të vendit.

Një pjesë e këtyre familjeve trembeshin se mund të persekutoheshin në qoftë se do të takonin njerëzit e tyre të dënuar në këtë burg.

Komanda e burgut lejonte që çdo muaj t’i dërgoje familjes një letër si dhe një letër tjetër institucioneve shtetërore./Memorie.al

ObserverKult


Urim Elezi, para dhe pas lirimit nga burgu, ku qëndroi për 26 vite

Lexo edhe:

DËSHMI RRËQETHËSE: NGA TORTURAT ÇNJERËZORE NË BURGUN E BURRELIT E HUMBA SHIKIMIN…

Urim Elezi është një nga të mbijetuarit e torturave komuniste dhe një nga dëshmitarët e asaj kohe. Që nëpërmjet vuajtjeve, tregon më së miri fytyrën e vërtetë të diktaturës.

Me kujtimet e torturës, frikës, dëshpërimit, të mohimit të së drejtës dhe humbjes së arsyes. Dëshmon mbi egërsinë që ndodhte brenda mureve të burgut.

Ai ka lindur në vitin 1943, në Floq të qytetit të Korçës dhe origjina e tij është nga Elezët e Tropojës.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult