Publikohet historia e panjohur e Qemal Stafës, i cili në vitin 1935, pas vdekjes së të atit, kolonel Hasan Stafës (ushtarak i Monarkisë së Zogut me detyrën e shefit të Zyrës së Rekrutimit të Qarkut të Shkodrës), së bashku me nënën, motrat dhe vëllezërit, u shpërngulën dhe erdhën familjarisht në Tiranë. Memorie.al shkruan se ata ishin nën kujdesin e Ramazan Xhepës, një nga miqtë e ngushtë të familjes Stafa, që kishte shërbyer si ordinancë e babait të tij, Hasanit, i cilit i’a la amanet dhe familjen. Dëshmitë e rralla të Beqir Xhepës duke filluar nga periudha kur ai e njoh për herë të parë Qemalin në vitin 1938, kur bashkë me të jatin, Ramazanin ndiqnin gjyqin e tij në një nga sallat e Bashkisë së Tiranës, pasi më parë ishte interesuar edhe për t’i gjetur avokat, si e ngarkoi atë Qemali me detyrën e korrierit personal të tij dhe porositë që i jepte, komunistët e tjerë që streoheshin tek shtëpia e tyre., si: Enveri, Vasil Shanto, Mustafa Gjinishi, Nako Spiro, Hasan Reçi, Kajo Karafili etj., raportet e Qemalit me Enverin, Nexhmijen, Bab Myslymin etj., misteri i vrasjes së Qemalit më 5 maj ’42 ku shqëruesi i tij, Vançi Bajrakatari, me pseudonimin “Hekuri”, u dërgua me “shërbim” më datën 4 maj, dhe përse Xan Xhepa të nesërmen shkoi te dyqani “Flora” dhe i tha Enverit: “Gjakun e Qemalit ta kërkoi ty”?!, e deri tek persekutimi i familjes Xhepa gjatë periudhës së regjimit komunist me burgje dhe internime, ku vetë Beqiri, edhe pse kishte qenë i internuar në Kampin nazist të Mat’hauzen-it, u dënua katër herë me burg, dhe përse ai nuk pranonte të dorzonte reliket, veshjet, dokumentet dhe revolverin e Qemalit?!
“Miqësia jonë me familjen e Qemal Stafës, u shtua akoma dhe më tepër pas vitit 1935, kur pak kohë para vdekjes, babai i tij, kolonel Hasan Stafa, e la me amanet që baba jonë Xan Xhepa, të kujdesej për fëmijët e tij. Nisur nga kjo miqësi e madhe që ne kishim me atë familje, në 6 prillin e vitit 1939 kur pritej të zbarkonte Italia fashiste dhe u shpërthyen burgjet, Qemal Stafa i palgosur erdhi dhe u strehua në shtëpinë tonë Aty vinte vazhdimisht për ta mjekuar, daja i tij, Dr. Qemal Sejdini. Nga shtëpia jonë, Qemal Stafa u largua vetëm dhjetë ditë para se të vritej, pasi Prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti, i cili ishte shok i babës sonë, Xanit, i dërgoi fjalë atij me anë të Shefit të Policisë së Tiranës, Man Kukaleshit e dy oficerëve të tij, Xhelal Pezës e Gëzim Latifit, duke i thënë që ta largonte Qemalin nga shtëpia e ta niste për në Pezë, pasi shokët e tij e kishin spiunuar atë në Kuesturë dhe ai kërkohej me qiri. Pas kësaj baba mezi ia mushi menjen Qemalit, që të largohej nga shtëpia jonë dhe ai iku e u vendos në një bazë tjetër, tek shtëpia që kishte marrë me qera Beqir Minxhozi, ku dhe u rrethua e u vra më datën 5 maj 1942. Sapo mësoi për vrasjen e Qemalit, baba ynë Xani, shkoi në dyqanin “Flora” dhe i tha Enver Hoxhës: ‘Gjakun e Qemalit e kërkoj vetëm tek ty”.
Kështu e kujtonte një nga historitë më të përfolura që nga periudha e Luftës e deri në shëmbjen e regjimit komunist, por edhe më pas, Beqir Ramazan Xhepa, ish-korrieri i Qemal Stafës, i cili na rrëfente të gjithë misteret e asaj ngjarje të bujshme të ndodhur në 5 majin e largët të vitit 1942, ngjarje që tronditi jo vetëm komunistët shqiptarë, por dhe mbarë qytetin e Tiranës. Po kush është Beqir Xhepa, cila është e kaluara e tij, çfarë lidhjesh kishte ai me Qemal Stafën dhe çfarë detyrash iu ngarkuan në atë kohë kur ai shërbente si korrier i tij personal? Përse Prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti, i kishte thënë Ramazan Xhepës, për Enver Hoxhën: “Ky është i yni”? Kush i’a shtyu Qemal Stafës udhëtimin e tij për në Vlorë me datat 4 e 5 maj të vitit 1942, dhe në çfarë rrethanash u rrethua dhe u vra Qemali në shtëpinë që beqir Minxhozi kishte marrë me qera? Përse shoqëruesi personal i Qemalit, Vançi Bajraktari, apo siç njihej ndryshe me pseudonimin “Hekuri”, më datën 4 maj u nis me “shërbim” për në qytetin e Shkodrës, cili ishte debati i ashpër që ai bëri me Enver Hoxhën në dyqanin “Flora” të nesërmen e vrasjes së Qemalit dhe përse që nga ajo ditë ai u tërhoq nga Lufta e nga Partia? Kush ishte Jani Kristo, personi që spiunonte Qemalin në Kuesturë dhe si e vrau atë me atentat, Kajo Karafili, pasi ia nxorri në vëndin e caktuar, Shefi i Policisë së Tiranës, Man Kukaleshi? Përse në mbrëmjen e asaj dite që u vra Qemali, Ramazan Xhepa, shkoi në dyqanin “Flora” dhe i tha Enver Hoxhës: “Gjakun e Qemalit e kërkoj tek ty”? Si u shfajësua Enveri pas akuzave të Xan Xhepës e Vançi Bajraktarit dhe cilin nga komunistët akuzoi ai si spiunin e Qemal Stafës dhe si urdhëroi ekzekutimin e tij pas daljes nga burgu i Tiranës? Cilat ishin marrëdhëniet e familjes së Qemal Stafës me Enver Hoxhën pas Luftës dhe përse nëna e motrat e tija refuzuan ta prisnin Enver Hoxhën në shtëpinë e tyre me rastin e 5 majit? Si i eleminoi Enver Hoxha, duke i ekzekutuar të katër personat që e akuzuan atë për vrasjen e Qemalit dhe si i burgosi, internoi apo ekzekutoi edhe të gjithë ata persona që u rrethuan në shtëpinë ku u vra Qemali ditën e 5 majit 1942? Përse e masakroi Enver Hoxha të gjithë familjen e Xhepa-ve, duke i burgosur, torturuar dhe ekzekutuar e përse vetë Beqir Xhepa, ish-korrieri i Qemal Stafës i cili kishte vuajtur në kampin nazist të Mat’hauzen-it, u burgos katër herë duke vuajtur vite të tëra në burgjet dhe spitalet psiqiatrike të regjimit komunist, prej nga doli vetëm në vitin 1988? Përse ngjarja e vrasjes së Qemal Stafës bashkë me atë të Këshilltarëve të Hekalit, ishin dy ngjarjet e vetme të periudhës së Luftës që regjimi komunist i vazhdoi hetimet deri në mesin e viteve ’70-të dhe kush ishin personat që u dënuan për to? Për të gjitha këto mistere dhe plot fakte të tjera rreth një prej historive më të përfolura që nga periudha e Luftës, na njeh dëshmia ekskluzive e Beqir Xhepës, i cili gjithashtu na vuri në dispozicion edhe shumë, letra, foto, dokumenta dhe sende personale të heroit të famshëm, Qemal Stafa (që po i publikojmë në këtë shkrim), ku ditëvdekja e të cilit u përdor nga regjimi komunist si dita simbol për përkujtimin e të gjithë dëshmorëve të Shqipërisë.
Zoti Beqir, kush ishte Zef Ndoja dhe pse u akuzua ai nga Enver Hoxha si personi që kishte spiunuar Qemalin. Si qëndron e vërteta rreth kësaj?
Zef Ndoja ishte një i ri komunist i Grupit të Shkodrës dhe në atë kohë që u vra Qemali, ai kishte rreth katër muaj që ishte arrestuar dhe mbahej në qelitë e burgut. Por ajo akuzë që hodhi Enveri për Zef Ndojën, nuk qëndronte aspak dhe kjo gjë ka disa shpjegime. Po më kryesorja është se Zefi duke qenë i arrestuar, ai nuk kishte asnjë lloj dijenie se ku fshihej Qemal Stafa dhe atë gjë s’kish nga ta dinte.
Ç’u bë më pas me Zef Ndojën dhe si rrodhi fati i tij?
Zef Ndoja qëndroi në burg deri aty nga pranvera e vitit 1943 dhe ai arriti që të arratisej nga burgu i Tiranës, së bashku me Koci Xoxen e shumë komunistë të tjerë në aksionin e famshëm që dihet nga të gjithë, për të cilin është bërë dhe filmi “Njësiti Gueril”. Pas kësaj, me urdhër nga Partia, ai u caktua që të shkonte si partizan i thjeshtë në Çetën Krujë-Ishëm, por pa të drejtë mbajtje arme. Në atë kohë që e dërguan Zefin në atë çetë, e pata njohur dhe unë personalisht nga afër, pasi unë në atë kohë shërbeja si korrier dhe qëndrova disa kohë pranë asaj çete. Zefi mbante një palë zyze me numër të madh dhe natën nuk shikonte fare, sa detyrohesha unë dhe e mbaja për krahësh për të lëvizur nga një vënd në tjetrin. Ashtu pa armë, në gjysëm arresti, Zef Ndoja qëndroi pranë asaj çete deri aty nga shtatori i vitit 1943, kur erdhi urdhëri nga Partia që ai të ekzekutohej. Pas atij urdhëri një skuadër partizanësh e mori dhe e ekzekutoi diku në një përrua në fshatin Priskë, rrëzë Malit të Dajtit.
Kush e dha urdhërin për ekzekutimin e Zefit dhe me çfarë motivacioni u ekzekutua ai?
Kuptohet se urdhëri për ekzekutimin e Zef Ndojës, mund të jepej vetëm nga Enver Hoxha, sepse në atë kohë, askush tjetër nuk kishte të drejtë të jepte urdhër për ekzekutimin e partizanit më të thjeshtë dhe jo më një komunisti të njohur siç ishte Zef Ndoja. Ekzekutimi i tij u bë me motivacionin se “kishte spiunuar Qemal Stafën”. Kjo ishte akuza që e çoi atë në plumb.
Po njeri tjetër a u bë përgjegjës për vrasjen e Qemalit dhe a pati ekzekutime të tjera?
Sipas të dhënave që kishin marrë prej Qazim Mulletit dhe Man Kukaleshit, pra që Qemal Stafa ishte gjurmuar prej agjentit të Kuesturës, Jani Kristo me origjinë nga Përmeti, Partia Komuniste vendosi ekzekutimin e tij dhe atë gjë ia ngarkoi Kajo Karafilit. Aty nga viti 1944, Jani Kristos i’u bë një atentat nga Kajo Karafili, por ai mundi të shpëtonte për mrekulli pa e kapur plumbat. Komunistët u irrituan shumë për dështimin e atij aksioni dhe u kërkua që me çdo kusht ai të vritej me një atentat tjetër. Në mbrëmjen e asaj dite, ndërsa Jani Kristo ishte duke pirë në një lokal me Man Kukaleshin dhe Qazim Mulletin, (për shyqyr që kishte shpëtuar nga atentati i paradites) aty hyri Kajo Karafili dhe e qëlloi disa herë me revolver, duke e lënë të vdekur në vënd”.
Si është e mundur që në atë tavolinë ku ishin dhe Qazim Mulleti me Man Kukaleshin u vra vetëm Jani Kristo?!
Kajo Karafili nuk mund të qëllonte kurrë mbi Qazim Mulletin dhe Man Kukaleshin, pasi ata jo vetëm që ishin dy miqtë më të ngushtë të Shyqëri Pezës, vajzën e të cilit, Kajo e kishte të fejuar, por Qazimi me Manin, kishin bërë shumë ndere, duke nxjerrë me dhjetra komunistë nga burgjet fashiste. Madje thuhet se edhe agjentin e Kuesturës, Jani Kriston, Qazimi me Manin i’a nxorrën Kajos në shteg për ta vrarë.
Po me komunistin Beqir Minxhozi, në shtëpinë e të cilit u rrethua dhe u vra Qemal Stafa, çfarë u bë me të dhe si rrodhi fati i tij?
Pas mbarimit të Luftës, Beqiri pati punuar si Drejtor i NTLUS-it në Tiranë dhe më duket se aty punoi deri sa doli në pension. Por ai u përjashtua dy herë nga Partia, për atë gjë që i tregoj Kuesturës, shtëpinë ku fshihej Qemali me shokët e tjerë.
Por lidhur me atë që thuhet, se Kuestura i gjeti në xhep kontratën e shtëpisë së marrë me qera, dhe në bazë të adresës që ishte shkruar aty, ajo bëri rrethimin e shtëpisë?
Këtë gjë e kam dëgjuar edhe unë, mundet të jetë edhe ashtu.
Po të fejuarën e Qemalit, Drita Kosturin a e patët njohur ju në atë kohë?
Qemali e pati sjellë Drita Kosturin edhe në shtëpinë tonë ku strehoej ai në atë kohë dhe kur e pyeti baba, se kush ishte ajo vajzë, ai e prezantoi duke i thënë se ishte e fejuara e tij. Baba i tha: “Mirë mor Qemal, po shikoni kokën njëherë dhe pastaj merruni me këto gjëra”. Pas këtyre fjalëve të Xanit, Qemali i tha se ajo ishte një vajzë shumë e mirë dhe ai njihej me të që nga koha kur ishin të dy me studime në Itali.
Po përpara vitit 1964, si kanë qenë mardhëniet e familjes së Qemal Stafës me Enver Hoxhën dhe si u trajtuan nëna, motrat dhe vëllai i Qemalit nga regjimi komunist?
Siç thashë dhe pak më lart, që nga periudha e Luftës, familja e Qemal Stafës e kishte fare të qartë se kush ishte përgjegjësi kryesor për vrasjen e djalit të tyre, mirpo siç rrodhën ngjarjet më pas, ato ishin të detyruar që të heshtnin dhe të mos shpreheshin publikisht për mllefet e tyre që kishin ndaj Enverit. Mirëpo hera-herës, nëna dy motrat e Qemalit si dhe i vëllai, Alajdini, detyroheshin dhe shfrynin dufin e tyre. Kjo gjë duhet të ketë qenë edhe arsyeja kryesore që Enveri nuk i’a dha për një kohë të gjatë atyre, pensionin e “Heroit të Popullit” që i takonte Qemalit. Ajo gjë u rregullua vetëm pas shumë kërkesave të motrave të Qemalit dhe u desh ndërhyrja e Gogo Nushit, pranë Enverit që atyre t’u jepej pensioni i vëllait. Po kështu desha të them se familjes së Qemal Stafës, jo vetëm që i’u mohua pensioni, por atyre nuk iu bë asnjë lloj privilegji, si shumë familjeve të tjera të dëshmorëve, që përfituan vila, bursa për jashtë shtetit, punë të mira dhe lehtësira të tjera.
Ku banoi familja e Qemal Stafës pas mbarimit të Luftës?
Familja e Qemal Stafës banoi për një kohë të gjatë aty tek, Llagamët, ku i pati rregulluar baba im, Xani, që në vitin 1935 dhe më pas, vetëm dy motrat e tij dolën në shtëpi më vete. Po kështu edhe Alajdini, ndonëse ishte me universitet, nuk gëzoi asnjë privilegj të veçantë, por u la të punonte në një punë të zakonshme dhe vetëm aty nga viti 1952, atë mezi e pranuan në Parti. Alajdini ka qenë në një gjendje ekonomike shumë të keqe dhe për të rritur tre fëmijët e tij, ai kishte blerë një lopë të cilën e kulloste pasi kthehej nga puna. Më pas ai bleu dhe një lopë tjetër dhe ngrihej që në 5 të mëngjezit dhe dilte fushave të Laprakës me thes në krah për të mbledhur bar për lopët, e pasi e mbushte thesin, vinte dhe e linte në shtëpinë tonë dhe ikte në punë. Kur kthehej nga puna, vinte e merrte thesin e barit dhe e çonte në shtëpi në mënyrë që të mos e shikonte njeri.
Si e lejonin Alajdinin që të mbante lopë në mes të Tiranës?
Për problemin e lopës që mbante Alajdini në shtëpi, u bë problem i madh dhe puna shkoi deri tek kryeministri Mehmet Shehu, i cili në një rast i shkoi Alajdinit në shtëpi dhe i tha që nuk po vepronte mirë që mbante lopën, pasi Partia po mundohej që t’jua hiqte dhe fshatarëve lopët e t’ua tufëzonte ato. Por Alajdini, i’u përgjigj Mehmetit, duke i thënë se: ai nuk e hiqte lopën, pasi nuk mund ta mbante dot familjen me 7 mijë lekë që merrte në muaj. Kur iku Mehmet Shehu, disa nga partiakët që mbetën aty, i thanë që nuk bëre mirë që iu përgjigje ashtu shokut Mehmet dhe Alajdini ua ktheu atyre duke u thënë: “Jo Mehmet Shehu të japi urdhër që unë të heq lopën, por edhe babai i Mehmetit, unë nuk e heq lopën nga shtëpia, pasi nuk i lë fëmijët të më vdesin nga uria”.
Po me ju dhe familjen tuaj si u soll Enver Hoxha pas Luftës?
Familja jonë u godit rëndë nga Enver Hoxha. Kështu, pasi i kishin arrestuar që më 2 majin e vitit 1945, Xanin, me xhajën, Ademin, i mbajtën për 40 muaj në hetuesi tek “Shtëpia me gjethe” duke i torturuar barbarisht. Pas arrestimit të tyre, Sigurimi na bënte presione të ndryshme dhe na kontrollonte shtëpinë herë pas here. Unë në atë kohë isha në shkollë dhe u detyrova ta ndërpres e ta vazhdoja natën dhe u futa në punë në Shoqërinë Shqiptaro-Jugosllave, me qëllim për të mbajtur familjen me bukë. Xanin me xhajën tonë, Dem Xhepën, i akuzuan sikur ishin të lidhur me Grupin e Deputetëve. Xani doli në gjyq në shtator 1948 dhe u dënua vetëm me ato 40 muaj që kishte bërë hetuesi, ndërsa Demi u dënua me 10 vjet, por u lirua më pas me një gjyq tjetër. Në qershorin e vitit 1952, Xani me Demën u arrestuan përsëri, por këtë rradhë akuza ishte për probleme floriri. Ajo ishte vetëm një sebep për arrestimin e tyre dhe pas asaj akuze, atyre u konfiskuan 400 napolona floriri dhe 2000 franga ari. Në atë kohë ato u mbajtën për tre-katër muaj në tortura dhe Dema, nga që nuk duroi dot, u hodh nga kati i tretë i Degës së Brendshme, për të vrarë veten. Pas kësaj atë e nxorrën nga burgu dhe Dema vdiq pas tre muajsh në një hotel, pasi ia kishin shtetëzuar dhe vilën e dyqanin, me paratë e të cilit ai kishte ndihmuar Enverin dhe Luftën.
Po njeri tjetër nga familja Xhepa, a është dënuar atëhere?
Pas arrestimit të Xanit dhe Demës, në vitin 1951, u arrestua dhe djali i xhajës së tyre, Qazim Xhepa, i akuzuar për incidentin e bombës në ambasadën sovjetike. Arrestimi i tij erdhi pasi ai kishte qenë student i Fultz-it dhe u akuzua sikur kishte marrë pjesë me Regjencën e Lartë në kohën e pushtimit. Po kështu në atë kohë që ishte Xani në burg, u arrestua dhe vëllai im, Petriti. Nga torturat që iu bënë, Petriti kaloi në një depresion të thellë dhe ashtu jetoi deri sa vdiq në vitin 1972, duke qëndruar, sa në shtëpi dhe sa në spitalin psiqiatrik. Por nga familja jonë, persekucionin më të rëndë prej regjimit komunist e pësova unë, dukë u arrestuar dhe dënuar katër herë dhe të gjitha arrestimet e dënimet e mia, u bënë direkt me porosi të Enver Hoxhës.
Po si e shpjegoni, përse ndodhnin të gjitha këto, si ndaj familjes suaj ashtu dhe ndaj jush personalisht?!
I gjithë ai persekucion i egër që u bë ndaj familjes sonë, erdhi si pasojë e hakmarrjes që bëri Enveri ndaj të gjithë atyre që e akuzuan si përgjegjës për vrasjen e Qemalit.
Përveç familjes suaj, kush e vuajti tjetër dhe kush u persekutua për atë ngjarje të 5 majit 1942?
Të gjithë ata që e akuzuan Enverin që kishte gisht në vrasjen e Qemalit, u ekzekutuan apo eliminuan prej tij në periudha kohe të ndryshme. Po kështu dhe të gjithë ata komunista që ishin atë ditë në shtëpinë ku u vra Qemal Stafa, pa përjashtim, përfunduan burgjeve dhe internimeve. Të gjitha këto Enveri i bëri për të fshehur gjurmët e krimit që kishte bërë me vrasjen e shokut të tij, Qemal Stafës, të cilin ai e shihte si pretendentin kryesor që mund t’i zinte vëndin në krye të Partisë.
Më konkretisht, si u hakmorr Enveri ndaj këtyre personave që thoni ju?
I pari që ra viktimë e intrigave dhe kurtheve që ngriti Enveri për të bërë të besueshme alibinë e tij që nuk kishte gisht në vrasjen e Qemalit, ishte komunisti i Grupit të Shkodrës, Zef Ndoja, të cilin siç ju kam thënë më lart, Enveri e ekzekutoi që në vitin 1944 në fshatin Priskë. Pas tij, me urdhër të Enverit, Liri Gega vrau pas shpine, Mustafa Gjinishin, mikun më të ngushtë të Qemalit dhe njëkohësisht të babës sim. Pas vrasjes së Gjinishit, baba im, i’a pat thënë copë Enverit, që atë e kishin vrarë shokët e tij me urdhër, por Enveri i’u përgjigj se nuk ishte e vërtetë ajo gjë. Më pas, serinë e eliminimeve, Enveri e vazhdoi me Hasan Reçin, të cilin e ekzekutuan në vitin 1946, kur ai punonte në Ministrinë e Arsimit, ku merrej me bursat e studentëve. Pak kohë para se të hynte baba në burg, aty nga fillimi i vitit 1945 kur unë akoma nuk isha kthyer në Shqipëri nga kampi i internimit të Mat’hauzen-it, Hasan Reçi kishte ardhur në shtëpinë tonë dhe i kishte folur Xanit për ato që po bënte Enveri.
Çfarë i tha babai juaj?
Baba i kishte thënë: “Mos fol shumë se s’ta bën të gjatë ai”. Sikur ta dinte baba që edhe Hasan Reçi do shkonte në plumb. Pas këtyre dhe babës sim, Xanit, të cilët e kishin akuzuar direkt Enverin për vrasjen e Qemalit, Enveri e vazhdoi hakmarrjen me Kristo Themelkon, Gjystina Satën, Marije Lezhjen e deri tek ish e fejura e Qemalit, Drita Kosturi, të cilët përfunduan burgjeve dhe internimve. Të gjithë këta Enveri i dënoi që të mbyllnin gojën për ngjarjen e Qemal Stafës, gjë e cila si duket e mundoi atë për gjithë jetën, si një fantazmë e keqe. Kjo gjë shpjegohet edhe me faktin se Enveri në vitin e fundit të jetës së tij, kur po e shihte se po ikte nga kjo dynja, u kujtua që të botonte kujtimet ku bënte fjalë për vrasjen e Qemalit dhe aty ai përsëri nuk thotë të vërtetën.
Përse konkretisht?
Enveri aty thotë se: me Qemalin është takuar në datën 4 maj, një ditë para vrasjes, në një bazë në Rrugën e Shëngjergjit. Në fakt nuk është kështu, se Qemali nuk ka dalë fare nga ajo shtëpi që disa ditë më përpara. Për këtë po të doni shkoni dhe pyeteni Gjystina Satën (ose Flora Dishnica) një nga ato komunistet që jeton akoma dhe ka qenë atë ditë me Qemalin e dy shoqet e saj në atë shtëpi.
Po ndaj jush, si u hakmor Enver Hoxha?
Persekucioni ndaj meje filloi që në vitin 1951, kur unë punoja në Zyrën Konsullore të Ministrisë së Jashtëme. Aty më provokuan për bombën në ambasadën sovjetike dhe unë u thashë se ajo ishte bërë vetëm për të hequr qafe disa njerëz. Pas kësaj unë fillova punë në Ministrinë e Komunikacioneve dhe në vitin 1952, pa bërë fare lutje, Gogo Nushi më futi në Parti. Në vitin 1952, më propozuan të më fusnin në një zyrë sekrete në Ministrinë e Brendshme, por unë nuk pranova, se e dija që ishte kurth për të më dënuar. Pas 7 muajsh, më 22 korrik 1953, më arrestun duke dalë nga stadium “Qemal Stafa”. Kjo erdhi pas provokimit që më bëri koloneli F. S. (Shef i Sigurimit Fizi dhe Ruajtjes së Udhëheqjes), me të cilin u konfliktuam dhe fizikisht. Pasi më torturuan për 24 orë, më liruan se u ankua organizata ime e Partisë ku punoja. Pas kësaj unë u ankova me letra tek Enveri, Mehmeti, Fiqretja dhe Prokurori i Përgjithshëm. Mehmeti më dha të drejtë dhe e transferoi F.S. në Kukës për dy vjet dhe H.XH. që më rrahu bashkë me të, u dërgua në Gjirokastër.
Po Enveri iu ktheu përgjigjie?
Pas shumë letrash, ai më priti në zyrë ku unë i tregova gjoksin e gjakosur, duke i thënë se atë nuk ma kishin bërë as në Mat’hauzen. Ai më tha: “Lere, lere se edhe ti e ke hapur gojën pak si tepër…”! Pas asaj unë i thashë: “Është e kotë që po ankohem tek Partia, se kjo qënka porosi….” dhe ika pa i dhënë dorën.
Po arrestimet e tjera si ndodhën?
Pasi mbarova Fakultetin në Universitetin e Tiranës për Histori, unë punova në Kinostudion “Shqipëria e Re” nga viti 1962 deri në 13 nëntor 1970, kur dhe u arrestova duke u akuzuar për “agjitacion e propaganda” dhe pas 17 muajsh hetuesi, u dënova me 8 vjet burg.
Si ndodhi kjo?
E gjitha kjo erdhi pas takimi të rastësishëm që pata me Enverin kur ai bëri një vizitë në Kinostudio dhe më më pyeti: “Hë… ç’thotë Xani”? (Ja ku i kam këto dy fotografitë që jam unë duke biseduar me Enverin). Unë i thashë se ai kishte vërejtje nga që i vinin katunarët dhe i kërkonin me ju ble bukë. Pas kësaj, ai më tha që ato t’ja shkruja me një letër. Në letrën që i bëra, unë i’a shkrujata të gjitha, duke i thënë se ishte fatkeqësi e madhe që fshatarët vinin për të kërkuar bukë në qytet. Atë letër që ia nisa me postë, ma quajtën anonime dhe më dënuan si përfundim me 6 vjet burg. Ndërsa kisha dy muajt e fundit të burgut në Ballsh, më 15 korrik 1976, më arrestuan përsëri me të njëjtën akuzë dhe gjykta e Fierit më solli për ekzaminim në Psiqiatrinë e Tiranës.
Po përse ju sollën në atë spital…?!
E gjitha ajo bëhej për të më nxjerrë mua të papërgjegjshëm, kjo ishte skemë e njohur. Por me gjithë insistimin tim për të mos ma dhënë atë diagnozë, Dr. Afrim Dangëllia ma firmosi atë, duke më thënë që më mirë ashtu, se të haja 10 vjet burg. Pas tetë muaj hetuesie më liruan në 25 nëntor 1977.
Pasi dolët nga burgu, ku punuat?
Për disa vjet ma lanë me shit cigare në Rrugën e Kavajës dhe për herë të katërt më arrestaun më 28 nëntor 1986, me akuzën e agjitacion e propagandës dhe pas 6 muaj hetuesie, gjykata vendosi të më çonte përsëri në Psiqiatri, nga ku unë u lirova më 16 tetor 1987.
Me çfarë akuze u arrestuan?
Ky arrestim i imi erdhi pasi Sigurimi Shtetit kishte futur në shtëpinë tonë të vjetër një person për të kontrolluar në se kisha letra anonime dhe për disa relike të Qemal Stafës që m’i kishte kërkuar Muzeu Historik dhe unë nuk i jepja. Gjatë kontrollit nga Sigurimi, mua më gjetën një album dhe bust të Zogut, si dhe disa antikuare të vjetra e ikona. Po kështu, mua më gjetën dhe 40 kg sheqer që m’i kishin sjellë njerzit për vdekjen e babës. Ato m’i quajtën të vjedhura dhe mezi shpëtova nga ajo akuzë.
Po reliket e Qemalit, t’i morën?
Jo ato nuk i gjetën, sepse i kisha futur në tokë. Unë e dija se për ato më arrestonte Sigurimi Shtetit, për t’ë m’i marrë, se ato ishin dokument i gjallë që unë kisha pasur lidhje me Qemal Stafën. Opingat e Qemalit që i pat punuar Ramazan Balluku, dy stilografët dhe revolverin e tij, si dhe hirin vëllait të Gogos, Kozma Nushit, me të cilin kam qenë i internuar në Mat’hauzen, unë i ruaj edhe sot si pasurinë më të madhe të jetës sime. Ja shikojini, këto janë.
Dëshmia e Enverit në kujtimet e tij për vrasjen e Qemalit
“Dita e fundit e pjekjes sime me Qemalin, ishte më katër maj. U poqëm në bazën numër 66 në Rrugën e Shëngjergjit, në shtëpinë e Hysen Dashit. Me Qemalin ndenjëm tërë ditën brenda në dhomë dhe punuam. Plaku na solli të hanim. Unë po përgatisja një leksion për Ushtrinë e Kuqe, Qemali përgatitej se të nesërmen, që në mëngjez duke gdhirë 5 Maj, do të nisej për në Vlorë. Ramë e fjetëm afër njeri-tjetrit, në një minder të mbulura me batanije. Në mëngjez u përqafuam dhe u ndamë. Ai u nis për në Vlorë, unë për një mbledhje me shokët. Sido që ne bartnim çdo herë, si thotë populli, “me qefin në kokë”, me kobure në brez dhe me bomba në xhepa, as nuk mendonim për vdekjen që na priste në çdo qoshe rruge. Si mund të mendoja unë se e putha dhe e shtërngova për herë të fundit në kraharorin tim, shokun nga më të mirët e Partisë, shokun dhe bashkëluftëtarin tim të dashur, Qemal Stafën?! Në bazën ku isha, erdhi një shok dhe, duke qarë më tha: Armiku na vrau Qemal Stafën! Vura duart në kokë dhe nuk i mbajta dot lotët. Ku e vranë? I thashë. Në Tiranë, më tha shoku, në një shtëpi në bregun e lumit të Tiranës. U ngrita në këmbë dhe me shpresë i thashë: S’duhet të jetë e vërtetë, Qemali që në mëngjez u nis për në Vlorë. Për këtë jam i sigurtë, mos e besoni se armiku hap parrulla. Mjerisht, – më tha shoku, – kjo është e vërtetë. Qemali ra duke luftuar heroikisht dhe mbrojti tërheqjen e shokëve që shpëtuan. Ai harxhoi të gjithë municionin që kishte. Dhe më tregoi tërë historinë e ngjarjes që ka përshkuar historia”.
(Kjo pjesë është shkëputur nga kujtimet e Enver Hoxhës, të botuara në librin “Për shokët e mij pionerë”, Tiranë, 1985)