Ishte 26 vjeç, nënë e tre fëmijëve, kur e arrestuan vetëm sepse një e njohur i kishte thënë që donte të arratisej. Për 14 muaj, derisa doli në gjyq, jetoi me frikën mos fëmijët ia kishin internuar dhe bashkëshorti e kishte braktisur dhe për gjithë vitet e burgut, me frikën mos nuk dilte gjallë apo e shëndoshë mendërisht për t’u kujdesur për fëmijët. Kujto.al sjell dëshminë e Dete Saliut që shteti e shpalli armike dhe e ndau nga familja edhe pse ajo vetë as nuk e dinte çfarë krimi kishte bërë
Zonja Dete kur keni lindur dhe cila është familja juaj?
Unë kam lindur në 1 shtator të vitit 1950. Jam martuar në moshën 16 vjeç. Pas një viti më ka lindur çuni i madh, pastaj, pas dy vjetëve, goca, Merita dhe, pa i mbushur dy vjet, kam lindur çunin e vogël, Shpendin. Kam qenë nga një familje e varfër, shumë e varfër pothuajse. Kam pasur babanë se nëna më ka vdekur, na ka lënë pesë vjeç. Na ka rritur babai. Babai nuk u martua dhe gjithë kohës pat punuar për ne. Pastaj në moshën 15 vjeç, u fejova, u martova, linda tre fëmijët edhe kur kam qenë 26 vjeç më kanë arrestuar. Atë ditë që më kanë arrestuar, ka qenë data 30 prill e vitit 1977. Punoja më vjehrrin tim, shitëse fruta-zarzavate. Unë kam qenë 26 për 27 vjeç. Fëmijët e mi kanë qenë, i madhi, Afrimi, 10 vjeç, goca, Merita ka qenë 8 vjeç dhe Shpendi ka qenë 6 vjeç. Më thërret përgjegjësi, ka qenë Seit Kasollja edhe vjen e më lajmëron në shtëpi. “Hajde, – thotë, – se kemi mbledhje”. Edhe vajta në mbledhje. Ka qenë mbledhja te magazina nr.3, aty i bënim ne furnizimet. Kur hyj brenda shikoj që ishin mbledhur të gjithë, e fundit pothuajse erdha unë. Filloi mbledhja. Ka qenë shef hetuesie Qemal Meta edhe nja dy burra të tjerë. Ata nuk i njihja, po Qemal Metën e njihja, sepse bënte pazaret në dyqanin tone dhe filloi Qemali, hapi mbledhjen dhe tha: “Është këtu Dete Saliu?”. “Po”, i thashë unë. Thotë: “Në emër të popullit, jeni arrestuar. Ke kryer krime ndaj shtetit”. Edhe erdhën, më vunë prangat dhe më çuan në hetuesi. Në atë kohë, unë dola dhe nuk fola asnjë fjalë. Kur vajta në ambientet e hetuesisë, përjashta, del kryetari i Degës, Gëzim Hila. Atëherë, unë e re, isha e dobët fizikisht, vetë nga natyra. Edhe thotë: “Kalbësirë, do vdesësh në burg. Do të kalb”, thotë. I thashë unë: “Unë do të dal kështu siç më sheh sot, se s’kam bërë asgjë”. “Do ta shohim, thotë, se çfarë ke bërë”. Edhe më marrin, më bëjnë kontrollin personal edhe më fusin brenda në burg. Gjatë gjithë kohës, ndejta me mendjen që unë do dal se s’kam bërë asgjë. Edhe thosha… “Çfarë kam bërë? Pse më kanë futur?”
Ndërkohë, në momentin që ju arrestuan, ju thanë se për çfarë akuzoheshit?
“Ke kryer krime ndaj shtetit”, por nuk më thanë se çfarë krimi kisha bërë. Hyj në birucë dhe aty, pas nja gjysmë ore vjen hetuesi, hapet dera, më nxjerr polici përjashta dhe më thotë: të kërkojnë në hetuesi. Hetuesi quhej Ziqiri Mançka, ishte nga Bilishti i Korçës. M’u prezantua. “Unë, – tha, – jam hetuesi yt edhe bashkë do t’ia kalojmë mirë, në qoftë se ti do të tregohesh e sinqertë. Ti akuzohesh se ke kryer krime ndaj shtetit, pse ke fshehur armiqtë”, tha. Thashë unë: “Çfarë armiqsh?” “Ti ke fshehur armiqtë, – tha, – se ti e ke në gen armiqësinë”. Edhe po më tregonte: “Ti je e mbesa e Muharrem Ymerit, je e bija i Isuf Ymerit, je e kushërira e Ali Ymerit”. Thashë: “Po, e këtyre jam.” “Ata, janë armiq, -tha, – dhe ti e vazhdove veprimtarinë tënde armiqësore. E ke në gen ti armiqësinë”. –“Po unë nuk kam bërë asgjë”. “Po ke bërë. Çfarë lidhjesh ke me Flutura Bajramin?” Thashë: E kam shoqe. –“Kur je njohur me të?” Thashë: E kam njohur kur kam lindur çunin e madh, Afrimin. E kam lindur shtatanik, edhe gjatë asaj kohe, kjo ishte infermiere në maternitet, më kujdesonte çunin, ndërkohë ajo vinte në dyqan për të marrë ndonjë zarzavate më të freskët, më të mirë edhe në këto rrethana jemi njohur.-“Çfarë veprimtarie armiqësore ke zhvilluar me Fluturën?” Thashë: Nuk kam zhvilluar asnjë veprimtari armiqësore. “Ti ke zhvilluar, – tha, – edhe ne i dimë të gjitha, por më mirë bjeri drejt, se ne do të ndihmojmë. Pavarësisht nga prejardhja që e paske ti, nga xhaxhai, a nga dajallarët dhe nga babai, në fund fare, ti je e re dhe ne do të ndihmojmë. Dhe për sot, kaq, herë tjetër do të vazhdojmë.”
Gjatë dy javëve në birucë, nuk më morën në pyetje. Hapte sportelin, thoshte: “do të vinë, do të marrin do të pyesin.” Prisja nga dita në ditë që të dilja se thosha: “çfarë veprimtarie armiqësore kam bërë që po më thonë? Çfarë bisede kam zhvilluar me të?” Ngjitur me birucën time, ka qenë ajo që unë akuzohesha që kisha fshehur, Flutura Bajrami dhe e dëgjoja që bërtiste, dëgjohej zhurma te muri, që e rrihnin, e lidhnin, e merrnin orë pas ore në hetuesi, se dëgjohej, kur hapej, kur mbyllej dera. Kurse në anën tjetër përballë, kisha hetuesinë. Edhe kur shkonte ajo në hetuesi, unë prapë e dëgjoja. Ajo thoshte: “s’i kam thënë gjë, s’i kam thënë gjë.” Si duket dhe ajo nuk tregoi ditët e para, pastaj ajo tregoi. Edhe tha: “Po, – tha, -i kam thënë që unë do arratisem.” Për momentin nuk e dija se çfarë tha, por këto biseda pastaj i kemi bërë kur unë bëra ballafaqim me Fluturën. Më merr prapë hetuesi më thotë: “Dete, qysh do ia bëjmë bashkë?” I thashë: “Po çfarë të them unë, qysh do ia bëjmë?” “Dëgjo, – tha, – ti ke qenë në dijeni tha që Flutura do arratisej me Jetullah Gashin. Dhe kjo përbën krim, – tha. I ke fshehur armiqtë. Ata janë armiq, – tha, – dhe ti i ke fshehur.” Thashë: “Zoti hetues unë nuk jam nisur për t’i fshehur. Unë Fluturën e kam njohur për çunin dhe nuk kam dashur ta denoncoj se më ka rritur fëmijën, qysh të dal tani e të them …Pastaj, thashë, një llaf goje…”E pashë që nuk kisha se çfarë të shtoja. Do më merrte një herë, dy herë, tri herë. Atë dite më la. Tha: “Ik e mendohu prapë”. Pas ca kohësh më mori, me gjithë një hetues tjetër që ishte nga Ministria. Ai quhej Luan Bega. Çuni i ri ishte dhe ai në atë kohë edhe tha: “Të kam parë, – tha, – që ditën që je arrestuar, të kam parë nga biruca. Ky nuk është vend për ty. Ti je e re. Mbase nuk e ke fort dijeninë, se çfarë është armiku, se çfarë është veprimtaria armiqësore, por dëgjo, po ta them sikur t’ia them motrës sime: thuaj dy llafe që ke për të thënë, mos e mundo më veten. Do t’i thuash, më mirë t’i thuash tani në fillim, sesa t’i thuash më vonë.” I thashë unë: ato që di unë do t’i them, po nuk e di, – thashë, – edhe nuk më hiqet nga mendja, qysh quhet kjo veprimtari armiqësore. “Atëherë hajde të flasim”, – tha Ziqiriu. Edhe ishin të dy, ai dëgjonte, hetuesi Ziqiri Mançka shkruante. “Tani, – tha, – si ka ndodhur?” “Po, – thashë, – kam qenë për vizitë te Flutura Bajrami se kishte qenë shtruar në spital dhe unë për respekt shkova në shtëpi. Kam shkuar me gjithë burrin tim dhe në momentin që unë po bëja muhabet me atë, në kuzhinë, ajo më tha që “Unë do arratisem. Nuk mund të rri dot këtu. Do arratisem me Jetullah Gashin”. I thashë: “Je në vete ti? Çfarë flet ti? Ku do shkosh ti? Ke dy fëmijë.” Ajo e pa siç duket që unë nuk ia miratova edhe tha: “Jo moj jo, tha, po ashtu i kam thënë atij”. I thashë: Ia ke thënë njeriu tjetër këtë muhabet? “Jo, – tha, – vetëm ty ta kam thënë. Ia kam thënë dhe Nadire Savës, por asaj do ia mohoj unë.” Thashë: Dëgjo, unë nuk do tregoj se mua më vjen keq, – i thashë, – se më ke kujdesuar Afrimin, të kam shoqe, po, hiq dorë nga këto gjëra. “Jo, jo, – tha ajo, – nuk bëj gjë.” Vetëm kaq qe. Kjo, edhe u ndamë. ” Që prej asaj dite unë s’e takova më Fluturën. Një ditë, siç më tregonte dhe hetuesi, që te teatri Skampa, kjo paska kaluar rrugës edhe i kam thënë: “Mirë je?”. “Mirë, -ka thënë kjo, – gjallë jam akoma, nuk kam vdekur, prandaj ke ardhur ti të më shohësh?”. “Jo, – i thashë, – se s’kam pasur kohë”. Edhe u ndamë. Thashë: “qysh prej asaj dite nuk kam bërë asnjë bisedë. Kjo është. Në qoftë se kjo quhet veprimtari armiqësore, këtë bisedë e kam bërë, por asnjëherë nuk i kam thënë Fluturës, që të arratisej, që ta nxisja, ta inkurajoja, përkundrazi … Megjithatë këto muhabete do jua thotë vetë Flutura”, – u thashë. E nejse, më la ai. Si të thuash edhe unë disi u qetësova se s’kisha se nga t’ia mbaja. “Tani jam e qetë, thashë, se çfarë kisha për të thënë, ua thashë”. Kaluan tre muaj, nuk më morën fare në hetuesi. Vinte hetuesi hapte sportelin. Thoshte: “Mirë?”. “Mirë”. “Hë do më thuash ndonjë gjë? “S’kam çfarë të them,- i thosha unë, -ato që kisha jua thashë, tani nuk kam më”. Edhe më mori pas tre muajve si duket edhe Flutura, po këto tha, se s’kishte çfarë të shtonte as ajo më. I tha që “po, e kam zhvilluar”. Ata kërkonin më: “Po mirë me Vjollca Lumnikun ke bërë ndonjë bisedë ti? Po me Myrvete Kusin, nuk ke bërë ndonjë bisedë? Po me Nadire Sangon, Dapi që e kishte ajo nga i shoqi?” “Jo, – i thashë, -unë me ato nuk kam bërë bisedë fare. Mua ma tha Flutura, jua thashë përgjigjen që i dhashë dhe nuk e kam diskutuar me asnjëri.” Më shumë pastaj merrnin Fluturën në hetuesi. Me mua rrallë. Sa vinin, thoshin: “Mirë je? Hë, ke për të na thënë ndonjë gjë…?” Iknin, vazhdonin …Tani që u bëmë si gjysmë profesioniste mendoj që donin t’i vendosnin mirë ato fjalët që kishte thënë Flutura dhe unë. Siç duket s’kishte njeri tjetër prezent, dëshmitar tjetër dhe çfarë bënë? Na krijuan mundësinë që ne të dyja me Fluturën, të komunikonim me letra. Edhe thotë Flutura: “sot të kam lënë një letër te biruca, filan vend e ke”. Edhe unë, kur dalim në banjë, e marr letrën. Flutura, te ajo letra, shkruante: “Më fal se të kam marrë në qafë edhe më vjen keq se ti je e vetmja nga shoqet që më pate këshilluar për të mirë, por mua më pati marrë koka erë, se ashtu i kisha punët. E mora vesh që e ke treguar, por mua na ka denoncuar Reja, se ti s’ke bërë më bisedë me njeri.” Edhe Flutura thoshte: “Më kthe përgjigje”. Edhe unë i shkruaj përgjigje: “më trego çfarë ke bërë tjetër, që t’ia them hetuesit, sepse nuk po e duroj dot më, që të bie dhe unë rehat se më merrnin në 1.00 të natës”. Ndonjëherë thoshin: “Hë Dete, ke për të thënë gjë?” Jo, -thosha unë, – nuk di gjë tjetër. “Kujtohu, kujtohu.” Kaq ai dhe më linte të ikja, në 1.00 të natës, në 2.00, në 3.00 të natës, kur ta shikonte ai të arsyeshme… Ajo nuk më ktheu më përgjigje, nuk më çoi më letra. Edhe një natë më mori hetuesi në hetuesi edhe thotë: “Hë, Dete”, thotë. Se i kisha shkruar: “hetuesi më ka rrahur, më ka lidhur” se m’i vunë dhe hekurat deri në zero dhe një natë ishte shefi i hetuesisë, Qemal Meta, roje dhe tha: “kjo, është kokëfortë kjo”. Pastaj tha: “Ziqiri, e di mirë kush është kjo? Kjo e ka në gen. Brez pas brezi, kjo është armike.” Edhe thotë Ziqiriu: Dete, thotë, te ato letrat na kishe sharë një çikë, ë, që “ma ka rrahur hetuesi, më ka lidhur, por unë nuk di gjë.” “Po, thashë, e kam shkruar, ia kam çuar Fluturës” Se e pashë që i kishin kapur letrat, por për momentin nuk ma mori mendja që e kishin bërë kastile që unë të flisja. Thashë rastësisht e kapën policët dhe ua ka dhënë letrat. E nejse, m’i vuri hekurat ky, deri në zero. Në atë kohë hyn Luan Bega me gjithë një Shefqet Meça. Edhe thotë: “Çfarë po bën, po e lidhni këtë? Jo, – thotë, – kjo është fëmijë, kjo nuk ka nevojë, unë e njoh se vija bëja pazare te kjo, kjo nuk do hekura, kjo flet pa hekura. Zgjidhja!”. Edhe në atë moment, shefi i hetuesisë, Qemal Meta, hetuesi im, ky Luan Bega dhe ky thonë… “Çfarë ke për të folur tani, – thotë Shefqet Meçe, – foli, po të them si vajzën time. Ne që të prumë deri këtu, ti e kupton që diçka ka. Të kanë denoncuar shkurt muhabeti, prandaj fol, çfarë ke për të folur, pastaj na lër ne të gjykojmë dhe unë, – tha, – të jap fjalën që do të ndihmoj. Do të ndihmoj se më vjen keq, ta njoh familjen, njoh vjehrrin tënd, njoh burrin tënd, më vjen keq je nënë me tre fëmijë, do të ndihmoj. Çfarë varet nga unë, do të ndihmoj.” I thashë unë: “I kam thënë të gjitha.” Edhe ika nga hetuesia. Vazhdoi akoma, do bëhet gjyqi sot, do bëhet gjyqi nesër… Mbas 12 muajsh, mbas një viti na kanë bërë ballafaqim: mua vetëm me Fluturën. Flutura sa më pa mua filloi të qajë: “të mora më qafë”, tha. “Zoti hetues, – tha, – ta kam thënë dhe në hetuesi dhe po ta them prapë: vetëm për Deten më vret ndërgjegjja se është më e reja, ka tre fëmijë, i ka fëmijët e vegjël dhe unë u bëra shkak që e prura këtu”, tha. Edhe ia tregoi ajo, ato që kisha thënë dhe unë: “këtu jemi takuar, kjo bisedë është bërë, -këto tha dhe Flutura, -dhe gjë tjetër nuk kam zhvilluar më me Deten”. Mbas 12 muajsh, sa u bënë gati letrat, u mbyll procesi hetimor dhe na nxorën në gjyq. Në gjyq i morën dhe pjesëtarët e familjes. Ishte burri im, vjehrra…vjehrri, ka qenë im vëlla dhe gjatë kohës së hetuesisë, kuptohet presionet, thoshin: “ti do vdesësh në burg, fëmijët t’i kemi internuar …”Shikoja ushqimet kur më vinin dhe ngaqë ishin të kufizuara, unë mendoja që nuk më vinin edhe i shikoja ato ushqimet e thosha: “Më duket se më paska braktisur…”
Gjatë kohës që qëndronit në burg, si ishin kushtet?
Çfarë të them! Ishin dy batanije. Ato dy batanijet mund t’i shtroje si të doje: o poshtë, o t’i hidhje sipër. Nuk na lejonin që të na binin nga shtëpia, familjarët. Një herë, mbaj mend që u sëmura nga veshkat dhe tha hetuesi: “me serum do të mbajmë ty, – tha, – çfarë kërkon?” Thashë unë: “Thuajuni atyre të shtëpisë të më bien një dyshek, a një jorgan se unë jam sëmurë nga veshkat”. “Mirë, – tha ai, – do bisedoj unë”. Dhe më kanë sjellë një dyshek atëherë dhe një batanije leshi.
Asnjë komunikim me familjarët?
Komunikim me familjarët unë kam bërë pas 14 muajsh, pasi më ka ardhur vendimi i gjykatës. 14 muaj pa ditur asnjë gjë dhe mendoja: mirë unë, po ç’faj kanë fëmijët, që të internohen?
Ju mendonit që familjen jua kishin internuar?
Po.
Erdhi momenti, mbas 14 muajsh ju keni dalë në gjyq.
Mbas një viti janë mbyllur hetimet. Mbas 14 muajsh kemi dalë në gjyq.
Cila ishte aktakuza dhe cili ishte vendimi i gjykatës?
Akt-akuza ishte që “ke qenë në dijeni për veprimtarinë armiqësore që zhvillonte Flutura Bajrami me Jetullah Gashin dhe nuk ke denoncuar”.
Prokurori, cili ka qenë?
Prokuror ka qenë Shefqet Meçe.
Sa burg kërkuan ata për ju?
Ata për mua kanë kërkuar 8 vjet.
Dhe cili ishte vendimi i Gjykatës?
Dhe vendimi i Gjykatës po tetë vjet. Kurse ky Shefqet Meçe, prokurori, më tregonte një nga ata policët që kishin qenë më afër, 5 vjet e dha pretencën për mua, kurse gjykatësi e la tetë vjet.
Kush ishte gjykatës?
Gjykatës ishte Hys Zaja edhe Tamara Malaj. Edhe pesë ia lanë Vjollcës, dhjetë vjet ia lanë Myrvete Kusit se ajo kishte bashkim nenesh, kishte për aborte, kishte moskallëzim dhe mua pastaj.
Vendimi juaj…
Vendimi im qe tetë vjet.
Ç’ndodhi mbasi u mor vendimi i gjykatës? Ku ju dërguan?
Pas vendimit të gjykatës, na kanë çuar në Kosovë të Belshit. Mbas 17 muajsh, se sa erdhi vendimi nga Tirana. 17 muaj unë kam ndejtur në birucë. Pas 17 muajve kam shkuar në Kosovë të Belshit. Kur shkuam atje, na lanë nja një javë pushim, pastaj më thanë që duhej të dilja të punoja në fushë. Mirëpo ngaqë kisha bërë shumë hetuesi, nuk kisha fuqi të ecja. Edhe atëherë, bëheshin tarracat, vreshtat, duhej t’i kapërceje tarracat, të ngjiteshe…Edhe më kujtohet nuk kisha fuqi, më dhimbnin këmbët, nga veshkat po isha e sëmurë. Edhe ka qenë një kosovare ajo, nga Durrësi, Sanije Fejzullai. Ajo thoshte: “Vëri këmbët e tua te këmbët e mia që të ngjitemi te tarracat”. Pastaj, u sëmura prapë, më zunë krizat e veshkave dhe më lanë që të ndaja ujë. Merrja dy bidona me ujë dhe u jepja ujë punëtorëve. Nuk më lanë të dilja më se ishte punë e rëndë, por nja dy vjet vazhdova dhe unë në fushë, bëja qilizëm, bëja kanal, në Çerragë, në Dragot, në Kajan, ku të ishin…
Si ishin kushtet e burgut?
Kushtet e burgut ishin më të mira sesa të birucës, por prapë, mua më ndihmonte familja. Më vinin ushqime, një herë në dy javë, një herë në tri javë, por sidomos një herë në muaj edhe nuk hiqja shumë siklet, por kishte të tjera që s’kishin ndihma, ato vetëm çfarë u jepte burgu: Në mëngjes, të jepnin supë. Po ajo supa, po ta kapje kokrrën e orizit, thoshe: “shyqyr që e kapa”. Në drekë, zakonisht ne që punonim, kishim fasule me mish, pastaj në darkë, çaj. Për të gatuar, gatuanim, merrnim dru të vogla nga fusha ku punonim, ndiznim aty, ishte një sallë që ishin bërë nja 20 vende gjoja për të gatuar, edhe gatuanim vetë…
Sa veta rrinit në fjetinë?
Ishte një sallë e madhe se ne ishim të ndara veç nga ordineret, ne ishim armike dhe aty ishim 70 gra.
Në një sallë?
Në një sallë. Ishte vetëm një si punë aneksi, aty rrinin vetëm ruset. Ato ruset kanë qenë gjashtë a tetë veta që rrinin këtej dhe gjithë ne të tjerat pastaj rrinim këtej matanë. Unë e kam pasur krevatin afër dritares dhe afër dhomës së atyre ruseve. Poshtë kisha të motrën e Petrit Dumes, Myrveten edhe sipër përballë kishim gocën e Petritit, Besa Dume edhe ajo ishte dënuar për të atin: ke qenë në dijeni dhe ti…agjitacion dhe propagandë. Ajo thoshte: “Unë s’kam folur as me një”. Kishte pasur këtë Luan Begën që ishte i Ministrisë. “Dhe jam dënuar, thoshte, vetëm se kam shprehur keqardhje për babanë tim”.
Ndërkohë ju ishit në burg, sa vjet qëndruat në Kosovë?
Unë në Kosovë, kam qëndruar deri ditën që jam liruar.
Në vitin?
Në fund të marsit, më 30 mars të ’84-ës.
Ndërkohë ç’ndodhte me familjen tuaj gjatë kohës që ju ishit në burg? Si e përballonte jetën bashkëshorti juaj me tre fëmijë?
Bashkëshorti im me tre fëmijë hoqi shumë siklet. Në atë kohë ishte shofer, në repart të industrisë, kur jam arrestuar unë edhe ia hoqën dhe makinën, e hoqën dhe nga puna duke i thënë që “ti nuk mund të mbash makinë të re, ti nuk mund të punosh dot më shofer, se ti ke gruan në burg”. Vjehrri që ishte shitës, edhe atë e hoqën, edhe vjehrrën. Domethënë kur punonte im shoq në atë kohë, ushqeheshin. Tre fëmijë. Kemi pasur dhe një plakë tjetër, ajo ishte kushërira e vjehrrës sime, ajo nuk kishte as fëmijë as një gjë, edhe ajo pa pension, edhe vjehrri pa pension, ja ashtu me siklet domethënë. Merrnin lekë borxh sa te njëri, sa te tjetri, sa mezi. Mbas nja dy vjetësh pastaj, filloi punë im shoq shofer dhe e përballoi, por me shumë siklet. E jo vetëm nga ekonomia, por edhe opinioni. Goca ishte shumë mirë me mësime, çuni i madh, po ashtu. Nuk ia përmendin emrin…Kishte dhe mësues të mirë, më tregonte Afrimi pas burgut: “Ishte Cen Peja. Kur vinte momenti për të marrë të dhënat thoshte: Afrim ulu, ulu se i di vetë”, se thoshin: “Ti ke nënën në burg, ty nuk mund të japim të drejtë studimi, ty nuk mund të japim shkollë, ti nuk je e para se nëna jote është armike” dhe sidomos gocën ma kanë sulmuar shumë.
Ndërkohë ju ishit në burg dhe bashkëshorti juaj me të afërmit vinin për të takuar. A patën ardhur fëmijët për t’ju takuar?
Po, fëmijët vinin dhe atëherë unë u binda që nuk i kanë internuar. Më vinin në takim. Më vinte vjehrra, më vinte vjehrri. Më vinte vëllai. Dhe më shumë ma ka ndihmuar vëllai i dytë, Tefiku. Ai një herë në muaj, i linte lekët së shoqes, se vetë punonte larg dhe i thoshte: këto janë ushqim për Deten.
Çfarë ndjesie ke provuar kur të kanë ardhur fëmijët, të kanë takuar në burg?
Kam menduar që “të dal gjallë dhe të jem mirë nga ana mendore”. Të paktën fëmijëve të mi, mos t’u thonë që…mirë e keni pasur nënën në burg, por mos të thonë as që iu vdiq në burg, as që doli e çmendur.
Ju u liruat nga burgu më… ?
30 mars të 1984-ës
Ç‘ndodhi me ju më pas? Ku punuat?
Më pas dola dhe punononte vetëm im shoq. Vjehrri me vjehrrën ishin pa pension, pa gjë dhe shumë herë u thoshte prindërve që “mua dhe Detes na hidhni në një pjatë”. Dhe thoshte: “hajde të të marr me vete që dhe mos të rrish mbyllur në shtëpi”. Po shumë kurajë më kanë dhënë vjehrri me vjehrrën, më kanë dhënë njerëzit e mi të afërt se babanë nuk e gjeta, vdiq kur unë isha atje, kur isha në burg. Më kanë dhënë vëllezërit, motrat, që më kanë mbajtur afër, por sidomos vjehrra dhe vjehrri më kanë ndejtur shumë afër. Asnjëherë nuk ma kujtuan. Më thoshin: “nuk ke bërë asnjë gjë, kushdo që të ishte në vendin tënd ashtu do vepronte, ne nuk e kemi në gen që të kallëzojmë të tjerët, t’i marrim të tjerët në qafë, t’i fusim në burg, e pate shoqe, të pa fëmijët, s’ka gajle. Jeta fillon që tani e këtej”. Pastaj, pas nja dy vjetësh, fillova punë në NPA, te fijet e gomës. Ka qenë drejtor Refik Olldashi. Ngaqë im shoq punonte aty, shofer në NPA dhe i tha që kështu-kështu. Ai u tregua shumë njeri i mirë. “Thuaji nesër, – tha, – të vijë në punë, të fillojë punë”. Vajta mora letrën te kryetari i Këshillit dhe fillova punë, punova nga ’85-a kur kam filluar deri në ’90-ën. Pastaj në ’90-ën, u shkri reparti i gomave, ndejta pa punë, deri në ’93-shin.
Si e keni përjetuar ardhjen e demokracisë në Shqipëri?
Kemi thënë që shyqyr që erdhi demokracia që të paktën nuk do na fusin në burg për një llaf goje. Thoshim që mbase nuk do bëjnë asgjë për ne, por të paktën në burg s’do na fusë njeri, do flasim lirisht. Unë kur dola nga burgu, edhe zërin nuk e ngrija. Më thoshte vjehrra ime: “po fol moj.” “Jo, -i thosha, – kam frikë mos më dëgjon ndonjë edhe më fut prapë”. Këtë kam përjetuar për demokracinë, të paktën nuk do na thonë më: “armike”./kujto.al
Nga arkiva e familjes Doko
———————-
Lexo edhe:
KUSH ISHTE I RIU QË KALOI 27 VJET NË BURGJET KOMUNISTE?
ObserverKult