Dëshmia e rrallë e Idriz Seitit për Mehmet Shehun: U nxi në fytyrë, kur…

 … “Në shtatorin e vitit 1979, pasi u mësua lajmi i vdekjes së Hysni Kapos në një nga klinikat mjekësore të Parisit, ku ai ishte i shtruar prej pak ditësh dhe kurohej nga një sëmundje e rëndë, menjëherë bashkëshortja e tij Vito Kapo, takoi ministrin e Punëve të Brendshëm, Kadri Hazbiun dhe mes lotëve e ngashërimeve iu drejtua atij duke i bërtitur: ‘Pse ma helmuat Hysniun?!’ Pas kësaj akuze shumë të fortë e tepër tronditëse që ajo hodhi ndaj tij, ministri Hazbiu krejt i përmbajtur dhe i qetë iu përgjigj: ‘Çfarë ke që më drejtohesh mua, pse nuk i thua atij…’?! Me fjalën ‘atij’, Hazbiu e kishte fjalën për Enver Hoxhën. Nënteksti i përgjigjies së Kadri Hazbiut, njeriut tepër të rafinuar dhe inteligjent, i cili kishte drejtuar organet e ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Sigurimin e Shtetit që nga viti 1949, ishte më se i qartë për bashkëshorten e Hysni Kapos, që deri në atë kohë ishte numri ‘dy’ i Shqipërisë komuniste dhe konsiderohej, si një nga njerëzit kryesorë dhe më të mundshëm që do të zëvendësonte Enver Hoxhën pas vdekjes së tij.

Dëshmia e rrallë e Idriz Seitit për Mehmet Shehun

“Në gushtin e vitit 1942, kur Mehmet Shehu u lirua nga kampi i përqëndrimit në Francë dhe erdhi në shtëpinë e tij në Çorush, unë vajta dhe e takova të nesërmen e mbrritjes së tij. Pasi u çmallëm gjatë, unë e informova mbi situatën politike në vend dhe i dhashë traktin e parë që kishte hedhur Partia Komuniste Shqiptare që pas formimit të sajë, të cilin e kishte sjellë në Çorush, Kadri Hazbiu. Mbasi Mehmeti e lexoi traktin, ai u nxi në fytyrë dhe duke turfulluar më tha: Kjo punë ka marrë fund, se udhëheqjen e Luftës Antifashiste, e kanë marrë në duar tradhëtarët e popullit shqiptar. Asnjë parti apo qeveri nuk mund ta përcaktojë karakterin e sajë nga emri që i vë vetes. Por ajo duhet të përcaktojë qartë se çfarë merr përsipër të bëjë mbas çlirimit. Kjo parti që është formuar duhet të ketë një program të qartë se çfarë do të bëjë pas luftës, se populli shqiptar ka luftuar dhe kur nuk ka pasur parti fare. Pas këtyre fjalëve Mehmeti më kërkoi stilografin tim “Pelikan” dhe u mbyll në shtëpinë e tij, duke na porositur që të mos e shqetësonim për disa ditë. Kur doli pas pak ditëve nga shtëpia, më thërriti mua dhe më lexoi një program politik, që e kishte shkruar gjatë asaj kohe që u mbyll brenda, të cilin e kishte titulluar: ‘Çfarë do të dalë mbas çlirimit nga kjo luftë që po bën populli’. Atë program e kishte shkruar në një bllok në tre-katër kopje dhe njërën prej tyre ma dha mua, të cilin për afro 40-të vjet e fsheha në vrimat e shtëpisë sime”. Idriz Seiti, një ndër njerzit më të afërt e me lidhje gjaku me ish kryeministrin shqiptar Mehmet Shehu, që nga fëmijëria e deri në natën fatale të 18 dhjetorit të vitit 1981, ish partizan me funksione drejtuese në Brigadën e Parë Sulmuese dhe mbas Luftës ushtarak me detyra të larta në Ministrinë e Brendëshme dhe Sigurimin e Shtetit me gradën e kolonelit dhe i specializuar në Bashkimin Sovjetik, pasi kishte provuar vite të gjata burgimi që nga koha e Monarkisë së Zogut, periudhën e pushtimit fashist të vëndit, ashtu dhe në atë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, na tregonte për mardhëniet me Mehmet Shehun dhe historinë se si e ruajti letrën e famëshme, që ai ja dha në vitin 1942, në të cilën kishte shkruar një skicë-program politik me pikpamje social-demokrate! Për të cilin, Enver Hoxha pas vdekjes misterioze të kryeministrit shqiptar, do të deklaronte se: ‘në kasafortën e Shehut janë gjetur materiale tepër kompromentuese që hidhin dritë mbi të kaluarën e tij agjenturore dhe sabotimin që ai i kishte bërë luftës Nacionalçlirimtare, duke bashkëpunuar me eksponentët e lartë fashistë, të cilët e liruan nga kampi i përqëndrimit në Francë dhe e sollën në Shqipëri për ta futur me mision në rradhët e lëvizjes antifashiste’!

Po përse Mehmet Shehu i sapoardhur në Shqipëri nga kampet e internimit të Francës, i akuzoi si tradhtarë të popullit shqiptarë udhëheqjen e lartë të Partisë Komuniste Shqiptare?!

Si ishte konceptuar programi politik i tij dhe përse ai e shkroi atë pikërisht, pasi u njoh me traktin që kishte lëshuar PKSH-ja që me formimin e saj?!

Kush ishin personat e tjerë që kishin dijeni mbi atë program politik dhe përse Idrizi, ia riktheu atë kryeministrit shqiptar pas afro 40-të vjetësh?

Përse Mehmeti e korrigjoi titullin e atij programi që më pas do të bëhej “karta kryesore” në dorën e Enver Hoxhës për të goditur atë si “poliagjent” dhe njëkohësisht Idrizin, bashkëpuntorin e tij më të ngushtë?!

Idriz Seiti dhe lidhjet e tij me familjen Shehu

Idrizi ka lindur në fshatin Çorush të Mallakastrës në vitin 1918-të, prej nga është dhe origjina e familjes së tij e cila për disa breza kishte emigruar në Turqi. Duke qenë nga ai fshat, Idrizi pati fatin të njihte që nga fëmijëria e tij Mehmet Shehun dhe të krijonte me të një miqësi që do të vazhdonte gjatë. Lidhur me këtë Seiti dëshmon: “Duke qenë se kishim edhe lidhje gjaku, nëna e tij Sulltana, shpesh na vinte bashkë me Mehmetin për të fjetur. Shtëpie e madhe e Shehajve, e cila nuk ishte shumë larg nesh, ishte e ndarë në dy blloqe, me disa dhoma të cilat përdoreshin nga të zotët e shtëpisë për miqtë, fukarenjtë, jetimët, hallexhinjtë dhe për ata që i zinte nata jashtë e flinin aty. Shehajt ishin të pasur dhe shumë bujarë. Në shtëpinë e tyre jetonin shumë fukarenj dhe fëmijë jetimë të cilët Sulltana, nëna e Mehmetit, i merrte nga shkolla dhe i mbante me bukë aty. Në atë shtëpi kishte dhe një bibliotekë shumë të pasur, nga ku unë merrja librat e Naim Frashërit dhe i lexoja kur shkoja me dele. Mehmeti që i vogël njihej si djalë tepër i zgjuar në të gjithë krahinën dhe atë nuk e shihje kurrë pa libër në dorë. Mbaj mënd Bektash Haxhi Çorushin, i cili kishte qenë në kurbet në Amerikë dhe ishte njeriu më i pasur i gjithë zonës sonë, duke qenë dhe deputet i Qarkut të Beratit në disa legjislatura të Parlamentit në kohen e Zogut. Ai vinte shpesh në shkollën fillore të fshatit tonë për tu takuar me mësuesit nga që kishte dhe fëmijët e tij aty. Bektashi ndonëse nuk kishte mardhënie të mira me Sheh Ismailin, (babai i Mehmetit) shpesh herë rrinte me Mehmetin dhe njëherë para shkollës, i’u drejtua mesuesëve duke ju thënë: Dëgjoni, ku djali i Shehut ka për të bërë emër të madh në jetën e tij’. Më kujtohet gjithashtu njëherë kur ishim të vegjël, bashkë me shokët shpallëm dëshirat tona. Mehmeti tha se kishte dëshirë që të jetonte tek bregu i Gjobarit (vend në fshatin tonë) dhe aty të lexonte gjithë librat e botës. Një tjetër, tha se kishte dëshirë që të shkonte tek shkëmbi i Ylinecit për të zbuluar thesaret që ishin aty. Mehmeti ju drejtua atij, duke i thënë: ‘Ato janë përralla, aty nuk ka asnjë thesar. Por unë do kisha dëshirë që aty të bëja një mur dhe të ktheja ujin për të vaditur gjithë tokat deri në Fier dhe të ndërtoja aty një central elektrik që të kishim drita’. Pas kësaj, disa prej nesh thamë se Mehmeti ishte i çmëndur, apo se ai ishte budallai i Shehut. Dëshirën e tij Mehmeti deshi ta bënte realitet, sepse aty nga viti 1932, kur studjonte në Shkollën Teknike-Bujqësore të Fultz-it, solli një inxhinier nga Tirana dhe bashkë me të gjithë ditën shikonin atë pjesë të lumit tek shkëmbi i Ylnecit”, kujtonte Idrizi fëmijrinë e tij dhe lidhjet me Mehmetin, djalin e zgjuar të Shehajve.

Jakomoni liroi Mehmetin nga internimi në Francë

Ndërsa Idriz Seiti qëndronte i fshehur maleve si kaçak, pasi ishte person në kërkim nga qeveria, ai u njoftua se në Çorush kishte ardhur nga Franca, shoku i tij Mehmet Shehu. Lidhur me këtë, Idrizi kujtonte: “Që kur Mehmeti ishte i internuar në kampet e Francës, ai i shkruante letra shtëpisë, që ata të ndërhynin në rrethin e tyre miqësor që kishte influencë në qeverinë fashiste, për të bërë të mundur lirimin e tij nga internimi. Nëna e Mehmetit, Sulltana, shpesh herë ato letra m’i jepte dhe mua për t`i lexuar. Kështu, babai i Mehmetit Sheh Ismaili, që ishte njeri tepër i njohur dhe me influencë të madhe në qarqet politike, ndërhyri tek disa miq të tij dhe funksionarë të lartë shtetërorë, si: Sheh Karbunara, Ferid bej Vokopola, (deputet i Beratit) Pasho Hysi, si dhe tek dajoja i Mehmetit, Gani Aliko, i cili kishte miqësi të ngushtë me Qazim Koculin, një nga katër Komisarët e Lartë të Shtetit. Siç dëgjuam atëhere, me anën e këtyre miqëve të familjes Shehu, të cilët ndërhynë deri tek Jakomoni, Mëkëmbësi i Mbretit Viktor Emanueli, u bë e mundur lirimi i Mehmetit nga kampi i përqëndrimit në Francë dhe sjellja e tij në Shqipëri. Mehmetin e sollën nga Italia me traget në portin e Durrësit, të lidhur dhe të shoqëruar me policë. Aty autoritetet italiane ja dorzuan milicisë fashiste, të cilët e mbajtën për disa kohë në burgun e Durrësit, ku në qeli i futën dhe disa provokatorë. Mehmeti si njeri tepër i zgjuar që ishte, u hoq sikur nuk do të merrej më me politikë kundër fashizmit. Pas kësaj, me ndërhyrjen e miqëve të rrethit familjar që bënë të mundur lirimin e tij nga kampi i internimit i Francës, Mehmeti u lirua dhe nga burgu i Durrësit, e u kthye në shtëpinë e tij në Çorush, në gushtin e vitit 1942″, kujtonte Idrizi, ardhjen e Mehmetit nga internimi, gjë e cila u bë e mundur me ndërhyrjen e Jakomonit.

Hartimi i programit politik nga Mehmeti

Lidhur me kthimin e Mehmet Shehut në shtëpi, Idriz Seiti kujtonte: “Ardhja e tij pati jehonë të madhe jo vetëm në fshat, po dhe në të gjithë Mallakastrën, pasi atij i kishte dalë nami si një trim i madh, që kishte shkuar të luftonte në Spanjë. Më kujtohen si tani përgatitjet që bëri Mehmeti për të shkuar në Luftën e Spanjës, të cilat i motivonte, sikur do të shkonte për studime universitare në Paris. Në atë kohë ai i mori borxh tre napolona e gjysëm ari, bashkfshatarit tonë Muharrem Hyseni, duke i lënë peng disa sende personale me vlerë. Që ditën e pare, në shtëpinë e madhe të Shehajve në Çorush, filluan të vinin me dhjetra miq e të afërm për t`i uruar ardhjen e tij. Ditën e dytë të ardhjes së tij, shkova edhe unë në shtëpinë e tij dhe pasi u çmallëm gjatë, duke i treguar njeri-tjetrit për ato vite që nuk ishim parë, unë e vura në korent mbi situatën politike që mbizotëronte në Mallakastër dhe në gjithë vendin. Që ditën e parë që ai erdhi në shtëpi, Mehmeti kujtonte se policia do të ishte penduar që e kishte liruar nga burgu dhe për këtë, ditën ne kishim vendosur roje, kurse natën flinim bashkë nëpër shkurret e kodrave përreth fshatit. Mehmeti u informua mirë për gjithë situatën politike që mbizotëronte në vend edhe nga shumë njerëz të tjerë që ai i dërgoi në disa qytete, si Fier, Durrës, Tiranë etj. Pak ditë pas ardhjes së tij, aty nga fundi i gushtit 1942, unë i dhashë Mehmetit traktin e parë që kishte hedhur Partia Komuniste Shqiptare që me krijimin e saj, të cilën e kishte sjellë nga Vlora Kadri Hazbiu, që para gjashtë muajsh. Ato trakte dhe të tjera, Kadriu i kishte lënë në Çorush tek shtëpia e Xhelal Bilal Velajt, të cilin e kishte në rrethin miqësor. Mbasi Mehmeti e lexoi atë trakt, ai u bë sterr në fytyrë dhe duke turfulluar më tha: ‘Kjo punë ka marrë fund, sepse po të jetë kështu siç po shoh dhe dëgjojë unë, kam shumë frikë se udhëheqjen e Luftës Antifashiste, e kanë marrë në duar tradhëtarët e popullit shqiptar. Asnjë parti apo qeveri nuk mund ta përcaktojë karakterin e sajë me emrin që ajo i vë vetes, por ajo duhet të përcaktojë qartë se çfarë merr përsipër të bëjë mbas çlirimit. Kjo parti që është formuar duhet të ketë një program të qartë se çfarë do të bëjë mbas luftës, se populli shqiptar ka luftuar dhe atëhere kur nuk ka pasur parti fare’. Pas këtyre fjalëve, Mehmeti më kërkoi stilografin tim “Pelikan” dhe pasi na porosti që të mos e shqetësonim për disa ditë, ai u mbyll brenda në shtëpinë e tij. Ato pesë-gjashtë ditë ai nuk doli fare as për të pritur dhe njerzit e shumtë që vinin për ta uruar, pasi ishte kthyer shëndosh nga internimi. Pas disa ditësh kur doli nga shtëpia, më thërriti mua dhe më lexoi një program politik që e kishte shkruar gjatë asaj kohe që u mbyll brenda, të cilin e kishte titulluar: ‘Çfarë do të dalë mbas çlirimit nga kjo luftë që po bën populli’. Në atë program, nuk thuhej asnjë fjalë për Partinë Komuniste Shqiptare dhe rolin e saj në luftë. Aty bëhej fjalë për mënyrën e funksionimit të shtetit të ardhshëm shqiptar, që do të dilte nga lufta dhe në disa prej pikave të atij programi, thuhej se: ‘pas lufte, populli do të gëzonte të gjitha liritë demokratike, me lirinë e votës, fjalës, shtypit, grevës si dhe do të lejohej krijimi i partive me karakter demokratik’. Atë program ai e kishte shkruar në tre-katër kopje në bllokun e tij dhe njërën prej atyre kopjeve ma dha mua. Shpesh herë kur rrinim bashkë ai ma rilexonte atë, por unë nuk dija çfarë mendimi që t`i jepja, pasi jo vetëm që nuk kisha haber nga ato që kishte shkruar ai, por përpara tij unë isha si kalama”, kujtonte Idriz Seiti, ardhjen e shokut të tij Mehmetit nga Franca dhe programin politik që ai shkroi mbas njohjes me traktin e parë të Partisë Komuniste Shqiptare./Memorie.al

Lexo edhe:

Historia e dhimbshme e njeriut që u thinj në internim…

ObserverKult