Publikohet historia e panjohur të Prenk Jakovës, me origjinë nga Gjakova, por i lindur dhe i rritur në qytetin e Shkodrës. Në moshën shtatë vjeçare, i nxitur nga i jati, ai u aktivizua në disa shfaqje teatrale me shoqëritë artistike “Bogdani” e “Vllaznia”, dhe kur nuk ishte më shumë se 18-vjeç, ai u bë drejtuesi artistik i bandës muzikore të Liceut “Illyricum” dhe nxënësit e tij të parë ishin: Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni, Tonin Rrota, Zef Gruda etj.
Në shtatorin e vitit 1942, Prenka shkoi për studime në Itali, ku u regjistrua në Konservatorin e Muzikës “Santa Cecilia” të Romës, në degën e klarinetës, të cilin e përfundoi me rezultate të larta” dhe kur u kthye në Shqipëri, pak pas mbarimit të Luftës, ai u arrestua dhe u mbajt disa kohë në burg, pasi një vëlla i tij, ishte vrarë duke luftuar kundra forcave komuniste.
Suksesi i madh i Prenkës me vënien në skenë të operas së parë shqiptare, “Mrika” ku asistoi vetë Enver Hoxha në shfaqjen që u dha në Tiranë në Institutin e Lartë të Arteve, ku doli në skenë ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu dhe kur Enveri e përgëzoi për atë punë kolosale që kishte bërë dhe i kërkoi të bënte dhe një opera tjetër për Skënderbeun, Prenka iu përgjigj: “Shoku Enver, operat nuk janë si bukët që i fut në furrë…”?!
Por edhe pse i dha atë përgjigjie, Enver Hoxhës, Prenka iu vu punës dhe e shkroi operan “Skënderbeu”, por kur e solli në Tiranë për t’ia miratuar, i sollën shumë pengesa duke i kërkuar të hiqte disa pjes prej saj, gjë të cilën ai nuk e pranoi, kjo i solli shumë shqetësime, saqë më datën 9 shtator 1969, ai i dha fund jetës në mënyrë tragjike…?!
Shkruan operën e parë
Një nga kulmet e krijimtarisë së kompozitorit të famshëm Prenk Jakova, është konsideruar opera e parë shqiptare “Mrika”, e cila u shfaq për herë të parë në vitin 1958. Po si e ka zanafillën kjo opera dhe si arriti Prenka ta shkruante atë? Për këtë ngjarje të madhe të kulturës shqiptare, i vëllai i tij, Çesku, në kujtimet e tij midis të tjerash ka shkruar: “Në prag të çeljes së Festivalit të vitit 1952, ishin formuar kushtet që në muzikën shqiptare të hidheshin hapa të mëtejshëm, të cilat duhet ta kalonin pragun e këngës. Kjo gjë vinte pasi ishin krijuar rrethanat me solistë të aftë dhe të përgatitur dhe me orkestër me formacion simfonik. Kështu në qershorin e vitit 1952, u thirr poeti Llazar Siliqi që të shkruante diçka mbi Hidrocentralin që po ndërtohej mbi lumin Mat. Në fillim ajo nisi si këngë dhe më pas mori formën e një veprimi me dy tablo të titulluar “Dritë mbi Shqipëri”, e cila u shfaq në korrikun e vitit 1952 në Tiranë.
Kjo ishte dhe embrioni i operës së parë shqiptare “Mrika”, që i filloi përgatitjet që nga data 2 maj e vitit 1958, ndërsa vënia në skenë filloi 12 nëntor të vitit 1958. Provat për atë shfaqje bëheshin paralelisht në Shtëpinë e Kulturës, në Teatrin e vjetër dhe në Teatrin e ri “Migjeni”, pas orës 15.00, të cilat vazhduan deri në datën 27 nëntor që u dha prova e përgjithshme. Pas kësaj pune të lodhshme, më 1 dhjetor 1958 u shfaq premiera e saj në Teatrin “Migjeni” dhe pas disa shfaqjesh në atë qytet, më 27 e 28 dhjetor ajo u dha në sallën e Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë. Në atë shfaqje asistoi dhe Enver Hoxha së bashku me pjesën më të madhe të udhëheqjes e trupin diplomatik të akredituar në Tiranë. Në fund të shfaqjes doli në skenë Kadri Hazbiu, i cili pasi falenderoi të gjithë artistët e saj, ngriti një dolli të veçantë për Prenk Jakovën. Vënia në skenë e operas “Mrika”, pati një jehonë të madhe edhe jashtë Shqipërisë, si në Itali, Suedi, Çekosllavaki etj, gjë e cila u mësua prej letrave e telegrameve të shumta që i erdhën Prenkës nga këto shtete. Një personalitet i artit nga Praga që merrej me historinë e operas botërore, me anë të një letre e përgëzoi Prenkën për suksesin e arritur me amatorët shkodranë dhe i kërkoi atij t’i dërgonte pamfletin, afishet, fotografitë e reklamat e shfaqjes”, ka shkruar në kujtimet e tij për suksesin e operas “Mrika”, i vëllai i Prenkës, Çesku.
Shokët e pasionet e Prenkës
Ish-nxënësit e Prenkës, Zadeja, Harapi, Gruda, Rrota, Daija etj., që më vonë u bënë mjeshtrit më të mëdhej të muzikës shqiptare, në kujtimet për mësuesin e tyre, kanë treguar se Prenka ka qenë një njeri shumë i thjeshtë dhe në vitet 1945-‘49 ai pati disa oferta për të shkuar në Tiranë, por i refuzoi ato sepse nuk ndahej dot nga Shkodra dhe Shtëpia Kulturës e atij qyteti. Po kështu ai e refuzoi edhe ofertën që iu bë në vitin 1953 për të ardhur si dirigjent në Tiranë. Disa vite më vonë Prenka refuzoi edhe disa oferta për të vazhduar studimet e larta në Pragë apo në Moskë. Sa herë që ai kthehej nga ndonjë turne i zhvilluar jashtë shtetit, në valixhen e tij gjeje vetëm albume muzikore dhe partitura, si dhe grepa peshku për shokët e tij amatorë të gjuetisë me të cilët ai shkonte shpesh në Bunë dhe Liqenin e Shkodrës. Prenk Jakova gjithashti ishte i pasionuar pas futbollit shkodran dhe kur u ndërtua stadiumi “Vojo Kushi”, ai shkroi marshin e Sport-Klub “Vllaznisë”, të cilin e këndonin shpesh tifozeria e zjarrtë shkodrane. Ndonëse në mosha të ndryshme, shokët e miqtë më të ngushtë të muzikës për Prenkën, ishin: Kolë Jakova, (klarinetist e mësues), Loro Kovaçi, (ish-klarinetist) Gjon Karma, (ish-flautist) Pjetër Gjoka, (tenor dhe aktor) Ndoc Shllaku, (violinist) dhe Pjetër Gjergji, kitarrist e këngëtar. Më pas shokë dhe bashkëpuntorë të ngushtë të Prenkës u bënë dhe dirigjenti Mustafa Krantja, kompozitori Tonin Harapi dhe sidomos poeti Llazar Siliqi.
Kërkesa e Enver Hoxhës ndaj Prenkës
Pas suksesit të madh që u arrit me vënien në skenë të operas së parë shqiptare “Mrika”, gjatë një vizite që bëri në qytetin e Shkodrës Enver Hoxha, u takua me Prenkën dhe i tha atij se i kishte premtuar për të bërë dhe një opera tjetër për Skënderbeun. Një nga funksionarët e lartë të qytetit të Shkodrës, i cili ka qenë prezentë në atë bisedë të Prenkës me Enver Hoxhën, dëshmon: “Pas atyre fjalëve të Enver Hoxhës, Prenka iu përgjigj: ‘mor shoku Enver, puna e operas nuk është si bukët që i fut kur të duash në furrë’. Pas përgjigjies së Prenkës, Enver Hoxha filloi të qeshte dhe dha porosi që t’i plotësoheshin të gjitha kushtet Prenkës, me qëllim që ai të vinte në skenë operën “Skënderbeu”, kujton ish funksionari i lartë lidhur me bisedën e Enver Hoxhës me Prenkë Jakovën. Pas atij takimi, Prenka filloi duke punuar nga mëngjesi deri në orët e vona të natës, për të realizuar atë që i kishte vënë si detyrë Enver Hoxha.
Ai e shkroi të gjithë muzikën e operas “Skënderbeu” dhe për disa muaj me rradhë u mor vetëm me ndarjen e muzikës turke nga ajo arabe, gjë e cila deri në atë kohë konfondohej nga shumë kompozitorë. Kur e përfundoi muzikën e saj dhe e solli për miratim në Tiranë, Prenkës i nxorën shumë pengesa dhe ata që ishin ngarkuar për vlerësimin e saj, i kërkonin të shkurtonte disa pjesë që sipas tyre stononin. Prenka refuzonte në mënyrë kategorike për ta bërë atë dhe i vetmi që i doli në mbrojtje ishte Fadil Paçrami, i cili në atë kohë kishte dalë hapur kundër metodave të vjetra e konservatorizmit. Ndonëse opera “Skënderbeu” u shaq dhe pati sukses të madh, e Prenka pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtërore të tij. Kjo gjë ndodhte në një kohë, kur Prenka kishte nënën e tij të paralizuar në shtëpi, e cila ia rëndoi së tepërmi gjendjen e tij shpirtërore.
Vdekja tragjike e Prenk Jakovës
Nga këto strese që iu krijuan, më 9 shtator të vitit 1969, kompozitori i famshëm Prenk Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës. Në ceremoninë e varrimit të tij mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës, kurse nga Tirana u dërgua vetëm Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. I vetmi favor që iu bë atij nga shteti komunist ditën e varrimit, ishte dhënia e lejes që ai të varrosej nën tingujt e bandës muzikore të qytetit, të cilën ai e kishte krijuar vetë katër dekada më parë. Krijimtaria muzikore që la Prenk Jakova, është shumë e pasur e konsiston në dhjetëra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzkë filmash e deri tek operetat e operat. Nisur nga virtuoziteti i tij dhe krijimtaria e larmishme muzikore, Prenk Jakova konsiderohet si një nga kolosët më të mëdhej të muzikës shqiptare për të gjitha kohërat. /Memorie.al