Pushkatimi i Hito Çakos dhe dy gjeneralëve të tjerë pasditen e 5 nëntorit 1975, diku përskaj kodrave të Linzës, në gjunjët e Dajtit, mbeti i burgosur për shumë vite në kujtesën e një grushti njerëzish, të cilëve regjimi u besoi aktin e fundit të tragjedisë monstruoze.
Më në fund, vetëm njëri ndër ta, pas një mëdyshjeje tunduese, kohë më parë mundi të thyejë heshtjen, duke kapërcyer përbetimin e dikurshëm se për gjëra të tilla do të rrëfehej vetëm në varr. U desh një odise e tërë me telefonata e ndërhyrje të shumta, për t’u ulur para disa kohësh te kafja e tij e preferuar në Rrugën e Durrësit. Po si e kujtonte ai historinë e atyre momenteve fatale të gjeneralëve të famshëm…
Ju kujtohet çasti kur morët për të ekzekutuar gjeneralët…?
Si me jua thënë. Kanë kaluar vite qysh atëherë. Pastaj mosha, sëmundja, kanë bërë punën e vet.
E mbani mend kush jua komunikoi urdhrin?
Urdhri, detyra speciale, siç i thoshim atëherë, për të tilla raste jepej drejtpërdrejtë nga ministri i Brendshëm. Vetë Kadri Hazbiu na i precizoi detyrat deri në detaje…
Ju thirri në zyrë?
Na dha detyrën, me atë mënyrën e tij. Kuptohet, ishim të zgjedhurit, të besuarit e tij. Kadri Hazbiu nuk e vinte lapsin kot. Prandaj…
Sa veta ishit që e morët këtë detyrë?
Një rreth i ngushtë, tepër i ngushtë zyrtarësh dhe shoferi. Në fund të fundit, çfarë duheshin të tjerët? Pastaj, veçoria e detyrës, shkalla e sekretit e kërkonte, që ngjarja të mbetej vetëm te pak njerëz.
E mbani mend kohën, ishte dimër apo verë?
Vjeshtë besoj ishte. Më kujtohet që kur u kthyem, këpucët i kishim bërë tërë baltë. Një natë më parë kishte rënë shi i rrëmbyeshëm.
Në procesverbal thuhet se ekzekutimi u bë në vendin e caktuar…
Po, aty u bë. Në orën dhe zonën e caktuar.
Kush e kishte caktuar?
Organi kompetent. Në urdhrin e Kadri Hazbiut saktësohej ora 16:00 dhe fjala “vendi i caktuar”. Sa për këtë të fundit, ishim njohur më parë, madje e kishim shkelur me këmbë pëllëmbë për pëllëmbë.
E mbani mend makinën me të cilën transportuat tre të dënuarit me vdekje?
Një gaz tip BC, në mos gaboj. Nga ato shtatëvendëshet. Me xhama të errët.
Si reaguan gjeneralët kur u nisët për te vendi i ekzekutimit?
Atë ditë e kishin humbur fare. Vetëm në pak orë ishin bombarduar me tre lajme të tmerrshme. Në mëngjes gjykata u komunikoi dënimin me vdekje (me pushkatim). Në drekë prokurori i njohu me përgjigjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, që refuzonte kërkesën e tyre për t’u falur jetën. Pasdite doli urdhri për t’i çuar te vendi i ekzekutimit…
Pra, brenda një dite u mor vendimi i gjykatës, u bë apeli për falje, u kthye përgjigjja negative dhe u bë ekzekutimi i gjeneralëve… Të paktën, unë kështu e kam fiksuar. Sidoqoftë, ka shkresa për këtë. Aty janë ruajtur të gjitha me korrektësi. Nejse, ju ishit i pranishëm kur gjeneralët i hipën në makinën e ekzekutimit… Kam qenë i detyruar ligjërisht, që këtë procedurë ta ndiqja nga fillimi deri në fund. Atëherë nuk bëhej shaka, ca më tepër me detyra të kësaj natyre, që ishin shumë delikate.
Ju kujtohet reagimi i gjeneralëve kur i njohët me urdhrin për ekzekutim?
Më kujtohen vetëm disa psherëtima të tyre në çastet kur i nxorëm në korridor e u hoqëm skafandrat.
Pra, një lloj proteste…
Nuk ishte protestë. Më shumë një reagim nga befasia që shkaktoi te ta rrëmbimi i papritur. Njëri ndër ta, Beqiri, në mos gabofsha, psherëtiu nën zë në vesh të Hito Çakos “Ku na çojnë?”. Pastaj ky i fundit ia ktheu me njëlloj ironie “Në dasmë, nuk e sheh ku na çojnë”. Vetëm kaq, fjalën “dasmë”, “dhëndër” dhe njëlloj skërmitje të dhëmbëve të Hito Çakos mbaj mend nga ai çast. Sidoqoftë, kjo vetëm në një moment, se veprimet duheshin bërë shpejt dhe ata i hipën në makinë për t’i çuar për te vendi i ekzekutimit.
Ku i çuat për t’i ekzekutuar?
Te vendi i caktuar, thoshte urdhri, aty duhej t’i çonim patjetër.
Ku ishte ky vendi i caktuar?
Një copë vend, diku në një pyll të maskuar, i ruajtur nga afër e në distancë me masa të rrepta sigurie dhe…
Ju mendoni se ende mbetet sekret vendi i ekzekutimit të gjeneralëve?
Sekret ishte për atë kohë. Për tani, unë si me dëftye. Nejse, gjeneralët u pushkatuan diku në Linzë, në një kodër sipër zonës së “Rrapit të Treshit”. Ndanë një përroi e në krah të një borige të veshur me koçimare…
Mbërritët aty, cili ishte komunikimi i fundit me të dënuarit?
Komunikimi i fundit, thotë ky. Nuk shkuam për Kuvend aty. Do të zbatonim një vendim gjykate dhe vetëm kaq. Në rastin konkret ata ishin viktima dhe dihej se çfarë i priste. Të gjitha veprimet tona deri tek imtësia më e madhe, ishin përcaktuar në urdhrin dhe udhëzimet e Kadri Hazbiut.
I mbani mend porositë e Kadri Hazbiut që zbatuat atë ditë?
Gjëra teknike më tepër që kanë të bëjnë me mënyrën e ekzekutimit, me llojin e armës dhe distancën nga viktimat. Vetëm kaq.
Nuk kishte ndonjë porosi të veçantë?
Janë në letra ato, me hollësi nuk më kujtohen të gjitha. Nga porositë e Kadri Hazbiut, mbaj mend këmbënguljen për të regjistruar me korrektësi fjalët e gjeneralëve para pushkatimit. E kishte veçuar këtë edhe në urdhrin që kishte bërë me shkrim… Me një fjalë, para se t’i ekzekutonit, u kërkuat që të shpreheshin… Të dënuarve ua komunikoi këtë Nevzat Hazdenari. Ishim porositur t’i linim për t’u shprehur vetëm pesë minuta. Sa u urdhëruan për fjalën e fundit, ata filluan njëri pas tjetrit të shqiptonin çfarë u vinte në mend aty për aty. Pastaj, tre breshëri shtrinë përdhe tre gjeneralët e shpallur. I pari ra Petriti, pas tij Hito e në fund Beqiri Balluku, që dukej sikur fjalët e fundit i kishin mbetur në grykë…
I mbani mend fjalët e fundit të gjeneralëve?
Aty nuk kishte kohë për shumë gjëra. Ideja ishte për të marrë ndonjë mesazh, që nuk e kishin shprehur gjatë procesit. Më kujtohet që Beqir Balluku nuk foli fare. Petrit Dumja u shpreh “të rrojë Partia e Shqipëria”. Ndërkaq, Hito Çako, me një pamje të egërsuar, tha vetëm dy fjalë: “mirë, bini, ç’prisni”…
Pastaj u kthyet e raportuat…
Kadri Hazbiu, me sa më kujtohet, kërkoi raport me shkrim për fjalët që kishin thënë gjeneralët para pushkatimit. Na thanë të ishim të kujdesshëm, se këtë e kërkonte i madhi lart. Kam vrarë mendjen gjatë në atë kohë për këtë kërkesë të pazakontë, po…/panorama.com.al