Dëshmia rrëqethëse: Edhe pse mund ta kapnin të gjallë e qëlluan dhe e lanë të vdekur në vend…

Dëshmia e ish-të burgosurit: Ismail Çeprati
Foto ilustrim

Mark Frrokun, një i burgosur fare i ri, 22 a 23 vjeç, mund ta kishin kapur kur tentoi të arratisej nga kampi i Laçit, por polici e qëlloi dhe e vrau. Rustem Berisha, me origjinë nga Kosova, i burgosur politik për tentativë arratisje në këtë rrëfim kujton ngjarjen e dhimbshme dhe shumë të tjera që kanë shenjuar vitet e tij të burgut.

Dëshmia e plotë:

Zoti Rustem kur keni lindur dhe cila ka qenë familja juaj?

Me 30 mars 1939, lindja.

Familja, prindërit?

Uka, babai, nëna dhe 6 vëllezër e një motër.

Me çfarë origjine, nga jeni me origjinë?

Familje e varfër kosovare.

Kosovarë të ardhur. Dhe kur keni ardhur në Mamurras?

Në 1917, kanë ardhur pleqtë.

Kanë ardhur prindërit e tuaj përpara.

Po, prej Kosove.

Prej Kosove.

Ne kemi lindur këtu.

Ju keni bërë burg në kohën e diktaturës komuniste. Në çfarë viti keni rënë në burg?

Më 24 prill 1958.

Për çfarë arsyeje?

Për tentativë arratisjeje.

Si ka qenë puna, a të kujtohet?

Po, biseda të lira me Mark Alijan, Javer Hotin. Na u mërzit regjimi, duke parë fotografi varur, ku kam punuar, për shembull në Erzenat, vetëm të Enver Hoxhës. Babai ka pas punuar shumë, asnjëherë nuk e merrnin fotografinë me e varur atje, nuk interesohej njeri, vetëm udhëheqësi  ynë i dashur. Filluam me Javerin duke i gjuajtur ato fotografitë e duke i shqyer, me Javer Hotin në Erzenat, atëherë u bashkuam edhe me Mark Alijan.

Çfarë pune bëje o Rustem?

Rrota karrocash, karropunues kanë qenë quajtur ata, artizanati.

Drejtor kemi pasur një Feriz Gashin, kosovar, edhe ai nuk e ka pasur qejf si regjim edhe punonte me sigurimin e shtetit ai Ferizi, e çoi Shqipëria në Kosovë, me marrë informata atje. Atëherë u lidhëm edhe me këta, dikur na u mbush mendja një mbasdite, i hipim makinave e nisemi të shkojmë për në Mal të Zi me këta.

Na kapën atje në Grillë, në fshatin Grillë, duke na ndjekur sigurimi i shtetit mbrapa me anë të Gjok Zefit e kishim si punë spiuni. Na çuan atje në kamp, në gjyq, atje në burg të Tiranës, në Krujë njëherë. Muhedin Gërxhelliu ishte kryetar Dege edhe solli vëllain e tij hetues, Nuredin Gërxhelliu. Ai nuk na torturoi në fakt, sikur e kanë zakon hetuesit, na pyeste tamam si burrat. Nuk kishim konflikte as me Markun as me Javerin, se “më ka futur Marku, më ka futur Javeri, më ka futur Rustemi”, këto nuk kanë pas ekzistuar, këto fjalë.

U çuan e na dënuan, Javerin 10 se kishte xhaxhain në burg edhe babin, 8 (drejton dorën nga vetja), 6 (nënkupton Mark Alijan), e na çuan në burgun e Tiranës. Aty gjetëm mbështetje te mamurrzakë: Hamdi Kasmi, Beg Hajdari edhe ndonjë tjetër. Kemi ndejtur, na kanë trajtuar ata me mos bërë sherre, mos me u lidhë me horra, me grupe të poshtra. Kaluam nja…për të na ndarë tani, si më të rrezikshëm quajtën Javerin se kishte babain dhe xhaxhain në burg, xhaxhain atje në Kosovë s’di si qe puna Zeqirit.

U çuan e na ndanë, neve të dyve na prunë në kampin e Thumanës këtu në Bushnesh. Duke punuar, filluan kanalet pastaj, ia kemi nisur në Borizanë në kanale e deri në Milot, si i thonë lumi Mat, duke punuar aty. Ose të tregoj një bisedë të Rinasit: na çuan në Rinas fillimisht, në fushën e aviacionit mua dhe këtë (e ka fjalën për Mark Alijan).

Edhe aty donin të iknin dy, tentuan për të ikur dy të burgosur, ishte çakëll, kur bënim Rinasin i vendosnin çakëll që mos të shkelej, e për ta bërë gropë betonin, ne u shtrimë me shpinë kur filluan të gjuanin me automatik ata, nga truprojat. Ramë me shpinë kështu, me fytyrë për lart, kur na ngritën, kur ikën ata u futën në misër, ikën e s’mundeshin me i kapë. Na çuan, kur ja shoh shpinën Markut i ishin ngulur ata gurët me çakëll në shpinë: plot shpina. Duke ia fshirë shpinën tha: “Pse po ma fshin?” I thashë: “Shif ça ke në shpinë.” Tha: “Po ti shife shpinën tënde”. Unë e fshiva këtë, ai më fshiu mua, gurët kaq (bën me shenjë se guri ishte i madh sa gjysma e gishtit) në shpinë na ishin ngulur.

Prej frikës nuk guxonim as për të folur me njëri-tjetrin, e kështu shkoi puna pastaj na sollën në Bushnesh. Nëpër kanale shkuam nja 4-5 vjet e në ndërtim në Laç  për të bërë Laçin e ri, na çuan pastaj në burg, në kamp, Tiranë prapë, blloku Puna. Edhe atje kaluam disa ditë. Më mirë atje, na trajtonte më mirë atje, një farë Hasbi Lamçja, se Vangjel Rrëmbeci thoshte: “Vetëm doni me ju mbyt, se, nga 10 në ditë, se pak e keni”.

A të kujtohet ndonjë ngjarje e dhimbshme gjatë kohës që keni bërë burgun?

Po më kujtohet për shembull në Laç, unë e ky (Mark Alija)  ishim, flinim bashkë, dy mirditas tentuan për të ikur në Laç. Iu turr një Ali Saiti me kalë atyre, ikën ata. Iu turr me kalë dhe i ka vrarë me pistoletë, një Mark Frrokun e vrau, e mbyti të vdekur. Ai më mirë ishte, me pas qenë një njeri, ta kapnin, ta mbanin aty e me e dënuar prapë e jo për ta vrarë tjetrin, djalë i ri 22-23 vjeç. E mbaj mend si sot Mark Frrokun, kemi ndejtur bashkë me Markun me të, disa vite. Ku kishte më krim se për të parë shokun e vdekur atje.

Vetë a ke pasur ndonjë ngjarje të dhimshme, kur kanë përdorur ndonjë dhunë? Marku më ka treguar një histori kur ke dashur për të parë dy veta duke ikur.

Këtë ta tregova një herë, po po ta tregoj prapë: Në Thumanë po bënim kanal një bërryl atje e pamë babën tonë kur na çuan aty. Uka punonte në fermë duke bërë stalla lopësh sipër, e njihnim ne, e pamë atje lart, ata ishin jashtë rrethimit.

U turrën për të ikur këta dy, filluan grushtat njëherë, flinin afër nesh, filluan grushtat njëherë deri tek tabelat. E para, shikuan një misër që e kishin përpara nja 200 metra se kishin më, misër i madh, në Thumanë e ke parasysh ti. Deri kur hynë atje, shkuan, ecin e u gjuanin ata në kanal se ishin të zotët, kishin bërë shkollën e sigurimit ata, njëri prej tyre.

Duke ecur i gjuanin, nuk e kapi asnjë plumb hiç. Kur më në fund unë duke dashur, se ishim në kanal thellë, u kacavora shumë lart, me mendt e mia që t’i shikoj se çfarë po bëhej me ta. Më ngriti ky (Mark Alija), kishte qenë duke më rënë me bisht beli se s’kishte shkopa gome që kanë tani. Më gjuajti në kanal. I thashë: “ Çfarë po bën o burrë?” Tha: “I sheh ata, ec ere se ta ndajnë kokën me bisht të belit ata”, Marku. E të më binte për Zotin, nuk isha as 18 vjeç, copash më bënte. Ika e u bashkova me këtë dhe rrija urtë se nuk doja të më shihte më ai, Ali Rama se ishte i rrezikshëm fort.

Sa vjet kaluat në burg?

Pesë vjet e gjysmë.

Ku e mbyllët burgun?

Unë e kam mbyllur në Rubik.

Ndërkohë çfarë ndodhte me familjen tuaj gjatë kohës që ishit në burg?

Kam pasur 6 vëllezër unë. Në punë, vëllain më të vogël që kam pasur, ka qenë i shkathët i ecte puna, as brigadier nuk e linte Hamza Martini me u bë, një Hamza Martini në fermën e Thumanës: “E ke pasur vëllain në burg, Rustemin”.

Ai saldonte. E kanë pas çuar një herë në 6 muaj në këtë hidrocentralin e parë, atë të Vaut të Dejës. “Saldoja- thoshte- i lidhur përpjetë duke salduar”. Ata e dinë vetë punën, duke salduar ato turbinat, punuar atje si hero.

Zoti Rustem mbasi mbaruat burgun, si rodhi jeta juaj, ku punuat?

E kam pasur një vëlla, Qerim, vëllai i madh. Si u lirova prej burgut, paska pasur shoqëri me një drejtorin e tregtisë Mamurras, Imer Brahimi edhe i thotë ai shoqërisht: “Sonte me ardhë për darkë se më ka dalë vëllai nga burgu. A mundesh me ardhë?”.  “Po – i thotë- me kënaqësi”. Erdhi me Nikoll Zimin, Imer Brahimi për darkë, e nejse pyeti: “ Çfarë ke punuar?” “Kam punuar kështu andej-këtej.

Më tha: “Do të të marr marangoz në tregti, mirëmbajtje të lokaleve”, ky Imer Brahimi. I thashë: “Vij unë”. Të nesërmen  më mori në punë e më regjistroi në mënyrë definitive. Bajram Sulaj ishte ish-sekretar partie dhe shef kuadri. I thotë Imerit: “Ky ka qenë në burg”, se e kam pasur shok, e kam pasur Bajramin, shefin që na bënte stërvitjen ushtarake. Thotë: “Ka qenë, s’ka qenë në burg, përgjigjem unë se unë jam drejtor ndërmarrjeje edhe të tëra i mbuloj unë”. M’i bëri  letrat e rregullta në punë e më futën në punë aty.

Keni punuar marangoz deri në çfarë viti?

Deri në përmbysje që u ndërrua sistemi.

Kur u ndërrua sistemi si e ke përjetuar, si e prite?

Kur ne, ne thonim, si s’e pritnim ne?, ne për atë se nuk e kishim qejf kur i shihnim, të thashë edhe një herë, fotografitë e atyre krejt një faqe muri, byroja politike. Ukë Delinë që ka pas punuar fort, e din edhe Marku, ka qenë punëtor i mirë, i ndershëm, s’ka ditur edhe rrushin: dilte përmes vreshtit të rrushit nuk e merrte një bistak rrushi, Uka, i jepnin rojet vetë e thoshte: “Jo nuk i dua, s’e kam mbjellë unë, as ti nuk e ke tëndin”.

Nuk e merrte, nuk pranonte me vjedh e as me marrë gjë të huajën. Arriti puna. u detyruam me punuar me kështu me varfëri më, deri sa e morëm veten. Tërë vëllezërit i sistemuan në punë, një vëlla e kam pasur në park, lavazhier. 30 vjet e të tregova punën e Binokut, s’e linte Hamza Martini vetëm prej meje, brigadier. Brigadier. Ç’ish brigadier? Kurrgjë./kujto.al

*Nga arkiva e familjes Doko

——————————-

LEXO EDHE: 22-vjeçarja që vdiq nga torturat çnjerëzore të komunizmit vetëm që merrej me fe…

ObserverKult


Lexo edhe:

AVOKATI I BURGOSUR QË I SHPËTOI JETËN FËMIJËS SË XHELATIT NË KAMPIN E VLASHUKUT

Nga Shpendi Topollaj

Fisniku dhe horri

Kur e dëgjon për herë të parë emrin Kampi i Vlashukut, sepse pandeh se po flitet për ndonjë kamp pushimi.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult