Tronditëse: Kur dola nga burgu komunist nuk i njihja fëmijët

Foto ilustrim

Gjatë 15 viteve burg, kishte parë vetëm djalin e madh. Gjashtë fëmijët e tjerë nuk i kishte takuar kurrë. Më të voglin e kishte lënë dy muajsh dhe kur u kthye në shtëpi, nuk mund t’i njihte.

Kujto.al sjell dëshminë e Mehdi Cankos, që tregon për birucat e izolimit, punën në galeri, sjelljen çnjerëzore të oficerëve dhe vuajtjen shpirtërore të një babai të ri që u shkëput për 15 vite nga familja e tij.

Dëshmia e plotë:

Cila është origjina e familjes suaj?

Unë kam lindur në Agalli, katundi Taç Lart, në shkurt 1929. Familja ime ka qenë jo e pasur, por as e varfër.

Pleqtë tanë nuk morën pjesë as me Ballin, as me Partinë, qëndruan indiferente, por kur u rritëm ne, u fejuam, u martuam, rastisi që morëm gra në familje të prekura, të sekuestruara, të dënuara.

Që nga ’53-shi, filloi lufta. Si të tillë luftoheshim, kufizoheshim në punë, nuk thirreshim në mbledhje, nuk pyeteshim për gjë, kishim telashe nga më të ndryshmet: ndiqeshim, përgjoheshim.

Ne, në lagje, ishim 8 shtëpi, por 2 ishin kulakë dhe të tjerët ishin ushtarakë, me Zogun, me italianët.

Kisha një kushëri që është dënuar tri herë, kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Itali. Kur kapitulloi Italia, erdhi në shtëpi, atëherë u arrestua.

Përse ju arrestuan?

Për sa i përket demarshit që bëra unë, që u nisa për t’u arratisur, m’u bë një barrikadë e madhe. Kur u krijua kooperativa e re, ndaheshin prodhimet në natyrë, mirëpo unë nuk i përballoja dot.

Unë pata fatin, edhe të mirë, edhe të keq, që brenda një kohe të shkurtër bëra 7 fëmijë. Kur u nisa për t’u arratisur të madhin e kisha 10 vjeç, ndërsa të voglin e kisha të sapolindur.

U ndesha me këta kuadrot e kooperativës, sidomos Hakiun, arriti atje sa m’u mërzit jeta edhe më paditi në gjyq ky.

Tentova për t’u arratisur. Rashë në pritë. Më mbërthyen atje, më sollën në postën e Rehovës, një të lidhur aty, erdha këtu në Ersekë. Ka qenë 19 dhjetor 1964. Duhej të kaloje zonat malore, ishte ftohë, kisha veshur dy pallto, pantallona, u përgatita…por fati im që rashë në pritë.

Si ju trajtuan pas arrestimit?

Sa erdha në birucë, në orën 5.00 në mëngjes, më zhveshën, më futën në një dhomë 4 me 4 metra, një copë tabut atje 60 cm i gjerë dhe 2 metra i gjatë. Uji kalonte nën të, kishte një dritare nga ana e lindjes, 30 me 40 cm.

Atje ishte truproja. Ushqimi, të jepnin 400 gram bukë, ta ndanin më tresh, të jepnin dhe 10 gramë marmallatë. Unë kështu e kam jetuar për veten time.

U katandisa, 32 vjeç djalë isha, i merrja pantallonat si lëkurë i hidhja në sup. Nga 5 janari i 65-ës, zuri një furtunë. Më binte lëkura si e gjarprit…po ku e paska pasur tërë atë lëkurë njeriu! Edhe ata, hapnin sportelin dhe thoshin: je gjallë?

S’të linin të mbështeteshe as pas murit, por kisha mësuar një pozicion që rrija me kokën të mbështetur te krahët. Ishte një nga Mësiçka. Më tha: Po ti ç’më rri ashtu si dhia majë shkëmbit?

“Po ç’të bëra ty?-i thashë.-Çfarë ke ti”? Kur më 11-12 janar të ’65-ës, erdhi një komision, prokuroria nga Tirana,  të shoqëruar.

Hetues kisha Baudin Kazanin, mos ia dëgjofsha emrin, kryetar Dege ishte Nuri Çakëri atëherë. Edhe erdhi, hapi derën. Isha në birucën e parë, sa hyje në korridor, në të majtë. Sa erdhën, u ngrita në këmbë unë, respekte.

Mirëpo atje të jepnin çdo dy orë një cigare, ajo cigare më dukej sikur më nxirrte ndonjë duf, që edhe sot po të vesh në atë birucë po të jetë, ka lotët e mi, sepse i vetëm në shtëpi, gruaja me 7 fëmijë, fatkeqësi e pallogaritshme.

Tha: I jepni cigare? “I japim çdo dy orë”. “Jepjani, le të pijë cigare”. Kur shkoi në fund të korridorit atje, pa një dhomë të vogël, me ambalazh ajo, tavolina, soba, ku di unë, edhe me dysheme.

Sa vajti deri në një vend, u tha: Hiqeni atë që andej se do vdes ai atje. Edhe kafsha nuk jeton. Desh Perëndia, reaguan! I hoqën ato ambalazhet, i sollën aty ku isha unë, më futën atje, në atë birucë.

Atje, shpëtova nga të ftohtët, por m’u bë belaja, a e hodhën vetë, nuk e di, një mi.

Më shqetësonte aq shumë, sa më çmendi. Më jepnin një batanije në orën 21.00 dhe e hiqnin në orën 5.00 në mëngjes dhe detyrohesha, tërë natën vrisja minjtë. Vinte në mëngjes ai që merrte batanijen, thoshte: Paske bërë gjah. Ç’t’i thosha?

Sa kohë qëndruat në atë birucë?

Bëra katër muaj e gjysmë hetuesi, në atë birucë. E tmerrshme, thosha: pse më ke bërë moj nënë? Megjithatë, dola në gjyq, u dënova 15 vjet. Më erdhi gruaja, djali i madh, vajza e madhe.

Shef i policisë ishte një Selim, Selim. I tha: “Takohu me Mehdinë”. Më takoi, por s’i mbajta dot lotët, nga fëmijët është gjë e madhe, por gruaja më dha kurajo.

Më tha: “Pse qan? Ti je burrë, apo fëmijë?”. Ishte veshur me të zeza. I thashë: pse je veshur me të zeza, mos ka vdekur djali i vogël? “Jo, -tha,- unë fëmijët i kam si molla, por ti të mos e kishe bërë këtë.

Unë do rrëmoj dheun si urithi dhe fëmijët do t’i mbaj. Ti sillu mirë, shlyeja Partisë me punë”, e ku di unë. Mua lotët s’më mbaheshin, ajo interesante, çfarë kurajoje…

Ishte e premte atë ditë. Të dielën do shkoja në Korçë. I tha ai shefi i policisë: Edhe nesër do ta mbajmë, të dielën shkon në Korçë. Të dielën kishte mbledhur të 7 fëmijët, edhe vetë 8. Erdhi oficeri i rojës, hapi birucën, më lidhi duart prapa.

“Po ç’i ke marrë të tërë?” Kishte ardhur edhe motra nga Lushnja, edhe një kushëri nga Tirana, vinin edhe indirekt, nuk vinin dot direkt.

Shkova në Korçë, të dielën, 15 mars 1965. Atje qëndrova deri në korrik të ’65-ës.

Në cilin burg ju dërguan më pas?

Në korrik të ’65-ës shkuam në fabrikën e Elbasanit. Në fabrikë të Elbasanit mbaruam deri në fund të ’66-ës. Pastaj shkuam në Fushë-Krujë. Mbaruam dhe atë fabrikë aty, u kthyem për ca riparime aty. Ndenjëm nja 3-4 muaj. Që nga ’67-a ndenjëm ca muaj pa punë.

Në  25 prill të ’68-ës kemi shkuar në Spaç. Atje, kur shkuam, dilte dielli në orën 11.00 dhe perëndonte në 14.00-15.00. Një guvë, një vend i vështirë. Thamë: “Këtu i lamë kockat ne, mbaroi hesapi!”.

Një ditë, dy ditë, po bënim instruktazhin. Ishte një Pal Markadeda, drejtor i ndërmarrjes atje edhe propozoi që në minierë punohet kështu…minatorët marrin para dynjanë.

Po na gjeti si ai shqiptari që i thanë: Ku do vesh? “Atje ku ka para”. “Po është xhehenem atje”. “Edhe ne në xhehenem do vemë”. Edhe ne…Unë kisha lënë 7 fëmijë.

Bëja normën 250-300 për qind. Merrja 100 lekë, që u dërgoja nga 2000 lekë, 1800-1700, u dërgoja në shtëpi. Edhe unë atje.

I provuat dënimet për mosplotësimin e normës, gjatë punës në minierë? 

Më ra fati në zonë të dytë, zonë piriti ajo. Një nënkat lart, kishte shkuar nja 12 m, edhe do fillonte nënkati, por do shkonte edhe nja 2 m akoma lart.

Ngjiten lart këta, vënë një hekur në furrnelë dhe marteli 37-35 kile. Majë asaj do punonin. Mirëpo unë s’vajta fare lart. Bjer tubit ata të vija lart, u thashë: Nuk vij më lart. E morën sinjalin, u ulën poshtë.

“Pse s’u ngjite lart?”-më thanë mua. Thashë: “Po ku të vija atje? Të vdes me duart e mia? Nuk e bëj dot atë punë”.

Një të dalë jashtë, një të më lidhur ai oficeri. Që në orën 10.00 deri në 14.30-15.00 që dolën njerëzit nga puna, lidhur. E po u fut brigada brenda. Ishin dhe nja dy të tjerë që e kundërshtonin punën, ne mbetëm në fund.

Na nxorën në krah tjetër ne, këtej nga birucat.

Na futën në birucë. Biruca, në këmbë, të hidhte batanijen në kokë ai kishe dhe rubinetin e ujit atje. Po të bëje shumë pretendime, ta hapte dhe rubinetin e ujit.

Po është pak histori e gjatë. Unë punoja me një vlonjat. Ai, në kohën e fëmijërisë, kishte një shok që ishte larë në det dhe e kishte shpëtuar nga deti edhe në ’67-ën iku një komandant kampi, erdhi ky, Beqir Beqiraj, shoku i tij.

Kishte qenë komandant kufiri në Kakavijë. Edhe e dinte që ishte Fadili në burg, ishte dënuar 12 vjet për mosdenoncim, se ishte larë me një të deklasuar. Ne punonim në poligon të prodhimit, në fabrikë të çimentos, atje ishim nja 7 veta.

Kur e pa iu hodh në qafë këtij…”Të keqen vëllai”,- i tha mes të tërëvë. Ne u shtangëm. Ky, kapiten i parë, oficer. Aty ishte kryetari i Degës, komandanti dorëzues, operativi, tërë ata njerëz.

Këtij as që ia bëri tërr syri. “Po si je o Fadil? Si shkon?” E puthi, ore, si vëlla. E mbajti këtë miqësi. Unë kisha miqësi me Fadilin dhe kur shkuam në Spaç, ky më shpëtoi mua.

Kur hyri oficeri i rojës që bëri apelin, i tha Fadili: “Më kanë marrë atë shokun në birucë”. “Pse e kanë marrë?” “Po kështu, kështu…”

“Pa merre atë nënoficer”. Ishtë një Preng Rrapi, një maskara, më maskara nga Pjetër Koka. “Shko në birucë dhe pyete ku do të punojë”.

Deshi Perëndia! Erdhi ai, më pyeti mua: “Ku do të punosh?” Nga nëntoka s’më nxirrnin mua, por thashë në nivel të punoj. Më shpëtoi, dola nga biruca.

Në nivel punova me Ahmet Mullain. Katër vjet punova zonë e dytë, edhe kusurin e kalova në zonën e tretë. Edhe kaloi një vit, dy…

Ju keni qenë në Spaç edhe gjatë revoltës? Si e kujtoni?

Në maj të ’73-shit, ishin dy vëllezër një Pal Zefi ishte nga Veriu. Ai nuk punonte dot. Nuk e di përse. Nuk kishte fuqi a, i urrente këta a, nuk e di.

E futën një muaj në birucë. Mirëpo në atë kohë bëhej kati i tretë i pallatit këtej nga jugu, një pjesë e kishim bërë ne dhe ishin lopata atje, leva.

Kur një ditë ky doli, ka qenë 20 maj i ’73-shit. “Nuk futem në birucë unë”, tha. Kapterët iu mblodhën.

“Jo! Do futesh në birucë”. “Nuk futem në birucë”. Rrëmbeu një levë, atje. U bë alarm pastaj, erdhën gjithë oficerët. Ky zuri atë tabelën e emulacionit, këta iu futën…Mirëpo u revoltuan tërë të burgosurit.

Iu futën oficerave të burgosurit. Ashtu ishte vendi…Iu ikën kapelat te banjat poshtë. Ikën pa kapela ata. Filloi revolta pastaj: “Nuk duam të punojmë në minierë…

Jemi futur në burg pa të drejtë… Kërkojmë që çështja jonë të zgjidhet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”… nga më të ndryshmet. Aty filloi rezistenca pastaj. Në grupin e rezistencës ndenjën 19 veta. Ishte dhe ky Pal Zefi, edhe një Hajri Pashaj, ishte nga Mallakastra, e kishte bashkëfshatar Feçor Shehu atë.

Feçor Shehu ishte zvministër, këta të burgosurit kërkonin kryeministrin Mehmet Shehun, ky dërgoi Feçor Shehun aty. Një ditë, dy ditë, deri më 23. Në darkë, në datën 22, u dha ultimatumi.

Mirëpo sa fije teli kishte dhe ata u çuditën: ç’e kanë këtë ndikim këta që e bëjnë këtë rezistencë? Mblodhën edhe sampistat, në Tiranë, Shkodër, Durrës ku ishin. Një makinë ZIS me hunj edhe me çelësa.

E mërkurë ka qenë atë ditë, 23 edhe dhanë urdhër që ai që do të kalojë tani. Edhe na lidhën dy e nga dy e na nxorën mbi kapanon, mbi mensë, fushë e druve i thoshim, aty na lidhën dy e nga dy. 19 veta ndenjën, rezistenca.

Hynë sampistët atje. Ne ishim prapa kapanonit. Dritaret dhe hyrjen e kishte përpara, nga Perëndimi vetëm dëgjonim zhurmën “bam, bam” dhe ulërimën “oo o”. Kur shikojmë, nxorën një.

Nxorën të birin e Qemal Burimit, Luanin, ishte me një nga Qyteza ai, Syrjanë, në barrelë. Një të marrë në barrelë edhe i hidhnin kështu. 19 veta i hodhën kapicë atje. Erdhi Aranit Çela, tha: Të pushkatohen të tërë! Ishim 1500 veta kamp. Të pushkatohen të tërë! Erdhi urdhër pastaj: të pushkatohen 4 veta.

U pushkatua Dervish Bejko, ishte një nga Pogradeci, u pushkatua një Skënder Daja, ai nja 18 vjeç ishte i shkreti!

Ky, Pal Zefi! Kush ishte tjetër nga këta? Edhe Hajri Pashaj. Këta të katër u pushkatuan. Filloi u bë një diktaturë aty, që edhe kokën të lëvizje të priste ai maloku që s’kishe nga të shkoje.

Shumë njerëz pastaj që vinin për aventura, që dënoheshin, ose për modë, ose për muzikë, të rinj shumë, edhe s’e kapnin dot ciklin. Edhe e merrte e lidhte ai, për orë të tëra. E merrte e fuste në birucë, por po të fuste ai në birucë, do kishe dy jetë që t’i rezistoje.

Si silleshin oficerët e burgut me ju?

Edhe nënoficerët nuk silleshin mirë. Ne vetëm një nënoficer në zonë të dytë…punoja me një shok nga Vërleni, se punonim dy veta, një vagon edhe punonim në një shembje edhe kishim nxjerrë gati 15-20 vagonë dhe nuk kishte më, kishte vetëm në hapësirë andej, po kush futej andej?

Jashtë aramturës nuk na lejonin ç’është e vërteta. Ai erdhi, mori kandilin e karbitit dhe kontrollonte tavanin. Edhe një t’i rënë.

Nja dy skoda i ranë. Po desh Perëndia që pushoi shembja se të kishte vazhduar më, e bllokuam atje. Një t’u futur me Ahmetin unë, e zumë atë, e hoqëm.

Mark  Marku ishte ai. I vetmi nënoficer që krijoi një përshtypje jo të keqe për të burgosurit, sillej shumë mirë. Po të tjerët pastaj, Preng Rrapi, Pjetër Koka e ç’ishin ata të çmendin! 

Edhe kur bëhej zgjimi në orën 5.00, merrnin nga një dru, nja 1 metër edhe ia futnin krevateve bam bam bam bam. “Çohu!”, si të çmendur.

Por pas revoltës, u ngrit tensioni. S’të bënte lëshim ai, edhe në punë, edhe në kapanon. E kaluam me një regjim shumë të ashpër, shumë të keq.

Çfarë ngjarjesh të tjera ju kanë mbetur në mendje nga Spaçi?

Në fillim kur vajtëm ne, ishte një Mustafa Bajraktari. Kur vajtëm në Spaç më kujtohet. Ai shfrytëzoi një minierë të gjeologjisë, edhe na doli nga burgu ai. Iku, kaloi! Atëherë, i madh e i vogël dilte në gatishmëri.

E mbërthyen afër Kukësit atë. Djalë 22-23 vjeç ishte i shkreti. Edhe na e sollën ne për tmerr, për figurë, aty.

Edhe e kishin zënë: një ushtar në këmbë, një në dorë, katër veta edhe i binin ku ta merrte. Ishte bërë lulëkuq  në gjak, nuk e njihnim që ishte ai…Mustafa. Aty e sollën për tmerr ata më shumë, për ta parë.

Ishte një vlonjat tjetër pastaj. Ai nuk punonte dot. I ri, 18-19 vjeç ishte. Nuk punonte dot në front ai. U kishin thënë: nxirrmëni në sipërfaqe. Djalë i ri, kush e nxirrte në sipërfaqe atë! I rezistoi kësaj pune.

E futën në birucë një muaj. Doli, që vetëm gurmazi i dukej! E futën prapë në punë. E sollën të lidhur që andej. Kur e sollën nga andej që e futën në kamp, iu fut rrethimit.

Kampi ishte me dy rrethime, ishte rrethimi i parë, pastaj i dytë. Iu fut rrethimit të parë. “Ndal! -i tha roja.-Kthehu pas!” Ishte ndonjë rojë e mirë, ku e di unë. I the: “Ore aman, kthehu prapa”. “Qëllo, i tha, qëllo përpara”.

Iu hodh rrethimit të dytë. Kur iu hodh rrethimit të dytë, ishte i detyruar ai, qëlloi, e vrau! Nuk dihej as kockat ku i shpinin. Edhe këta të katërt që u vranë për revoltën, nuk u dihej këtyre…

 Si ishte gjendja e familjes suaj gjatë kësaj kohe?

Ishin aq në krizë, aq në të keq, aq vuajtën, sa nuk tregohet! Se sa rrashë unë në burg, filloi urrejtja: “fëmijë armiku”, “fëmijë reaksionari”, nga më të ndryshmet. I dërgonin nëpër punët më të rënda.

Shkollë fëmijëve nuk u dhanë. Djali i madh mësonte, i shkëlqyer ishte. Edhe një vajzë tjetër që e kam në Pojan, kishte pasion për këngë, nuk i dhanë asnjë të drejtë studimi.

Ju vizitonin familjarët në burg?

Unë kisha një motër në Lushnjë. Kisha dhe ca kushërinj në Tiranë. Edhe u dërgonte haber gruaja që andej, edhe u thoshte: Hajde se do vemi.

Megjithëse unë kur vajta në Spaç, sa vajta, bëra një letër, u thashë: Mos merrni guximin të vini, se këtu është një vend që t’ju nxjerrin me helikopter, as ai nuk del nga këtu. Mos hajdeni.

Ata erdhën. Kur e panë atje, s’u mbaheshin lotët.

“Po ju thashë o të uruar! Pse bëtë demarsh?  Unë tani, ç’fat të kem, u mor vesh ajo punë”. Po, çdo vit më erdhi gruaja.

Po ndonjë nga fëmijët erdhi?

Erdhi, djali i madh erdhi.

Sa vjet zgjati dënimi?

15 vjet.

Në cilin vit u liruat?

Dola më 15 qershor të ’78-ës.

Si ka qenë çasti i lirimit?

Kur shkonim lart në minierë, kur fillonim punën, e shikonim atë interval dhe ëndërronim: kur do vijë ajo ditë që të kalojmë asaj rruge!

Dhe kur më erdhi koha, nuk e di…vetëm që na i thanë me paralajmërim se po të na e kishin thënë spontanisht, zemra të pushonte në vend, se nuk besonte njeri të dilte nga ai vend atje, ishte e pabesueshme.

Si erdhët në shtëpi?

Kur erdha në shtëpi, çdo gjë m’u duk e ndryshme: sikur ishte fshat tjetër, sikur ishte shtëpi tjetër, sikur ishte fëmijë tjetër. Ndryshe! Sikur kishte ndryshuar gjithçka. Unë në fillim vajta te motra, në Lushnjë, në 15.

Në 16, kam ardhur në shtëpi, por kur vajta te motra sikur ra zija e dynjasë atje. U maskova dhe ika që me natë.

Më përcolli dhëndri i motrës, drejtor shkolle ishte ai. “Medi mos çaj kokë”, më tha. Ai më dha kurajo shumë.

Si e pritën fëmijët ardhjen tuaj në shtëpi pas 15 vitesh?

Kur erdha këtu pastaj, nuk më njihnin fëmijët.

Ne… lagje qyteti jemi këtu, morëm një rrugë të shkurtër aty…Dy vajzat kishin marrë një shportë me vezë dhe do vinin në Ersekë. Unë kalova me valixhe atje.

Kur një fshatar më njohu: “Si je Medi? I takove çupat”? “Ku i njoh çupat, i thashë unë, cilat ishin? S’i njoh unë, ku i njoh çupat”!

“Çupat e tua ishin, Merita me gjithë Zhanetën”.

Kur vajta në shtëpi pastaj, se dhe shtëpia e dinte që do lirohesha në 15, i kisha lajmëruar, jo ndonjë gëzim kush e di se nuk të vinte njëri, nuk të uronte njëri se kur të vijnë njerëzit është një kënaqësi, po ne nuk na vinte njeri.

Sa vajta unë në shtëpi, gjeta fëmijët.

Ata fëmijët u spostuan. Me gruan u takova. Pastaj, me kalimin e kohës, filluan fëmijët që afroheshin se s’më njihnin. Atë të voglin dy muajsh e lashë, kë 3 vjeç, kë 2 vjeç, kë 1 vjeç. Lenin 10 vjeç e lashë, po Leni kishte ardhur.

Ju survejonin pasi dolët nga burgu?

Kur erdha këtu, më survejonin. Ne ishim brigadë foragjere edhe korrnim, kishim një sektor lart. Edhe vinin, provokonin.

Erdhi një herë ai i plotfuqishmi, e la automatikun atje, më tha mua: ma jep kosën, të kosit unë. Sikur s’e dija unë që automatiku ishte bosh atje, po donin të shikonin çfarë do bëja unë. “Lëre mo se nuk jam lodhur unë”, i thashë.

“Lëre, se më ka marrë malli”. Edhe ia dhashë unë kosën. Vinte operativi, thoshte: Ti, dje dole nga burgu. Ki parasysh se ty të besojnë, të llafosin, e shfaqin atë që mendojnë…” “Po të kem ndonjë rast”, i thashë unë. Po një ditë, dy ditë, tri ditë…

Më erdhi në majë të hundës.

I them gruas: “A marrim fëmijët dhe ikim? Të nëpërkëmbur i kemi këta. Bëjmë yxhym, ja të vritemi, ja…se mua brenda do më fusin prapë”. Ishte një ndjekje e tmerrshme. Më thoshte ai mua: Po s’kërthite, nuk e gjen krimbin, duhet ta shposh. “Nuk kam pasur ndonjë rast”, i thosha unë.

Kur pas ca, u bë mbledhja e brigadës: Kujtimi, ky Dervishi, i biri i Orhanit nga Selenica, filluan politika e jashtme, e brendshme, jo kjo kështu, po kjo kështu…

Ishte tërë brigada atje. “Ne kemi, tha, armiq që luftojnë akoma dhe duan të ikin familjarisht”.

Mirëpo mua më dogji miza nën shapkë sepse unë e kisha shprehur me gruan këtë. Thashë unë: me kë është llafosur kjo?

Atëherë më hipi data mua, mirëpo ka qenë pasi ngrodhi ky, pas ’85-ës. Atëherë u ul një çikë tensioni. U këput edhe ai sistem atje, shkoi, shpëtuam, jemi ne që jemi.

Fëmijët ku punuan?

Punuan në punët më të vështira. Edhe një gropë sillazi se ishim brigadë foragjere, nuk na fusnin atje se thoshin “do na hedhin ndonjë helm”.
Në punët më të vështira, punuan.

Si e pritët rrëzimin e regjimit komunist?

Atë moment e kemi përjetuar tamam si njeriu që lind nga barku i nënës, edhe iu turrëm Ersekës. Ka qenë i pari Gramoz Pashko që e denoncoi komunizmin.

Edhe akoma nuk besonin komunistët. Më fal për shprehjen si puna e atij gomarit, që e hante ujku dhe thoshte “jam në ëndërr akoman”.

Nuk besonin. Ai e denoncoi: mbusheni trurin se komunizmi u varros. Nuk ngjallet më. Të gëzuar, sa s’kishim ku të vinim ne./kujto.al

—————–

Lexo edhe:

Historia tragjike e oficerit të Zogut: Gjyshi im, shpëtoi Enver Hoxhën nga ballistët, por…

ObserverKult