Dëshmitë “e hidhura”: A ishte Sali Berisha në makinën e Sigurimit të Shtetit kur u rrëzua shtatorja e Enverit?

Nga: Adriatik Doci 

Ku ishte Sali Berisha ku u rrëzua shtatorja e Enver Hoxhës në 20 shkurt 1991 dhe pse nuk flet kurrë për të vërtetën! Është parë në një makinë të Sigurimit të Shtetit si i besuar i Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës?. Ishte kundër përmbysjes së shtatores së diktatorit.…?

Sali Berisha ka mjegulluar dhe fshehur prej 30 vitesh pozicionin e tij ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, lëvizje e cila shënoi edhe kthesën e madhe të ndryshimit dhe të lëkundjes së themeleve të regjimit komunist etj.

Për shkak të dëshmitarëve të shumtë të asaj dite historike, Berisha nuk e ka marrë as mundimin të sqaroj, për ta rreshtuar veten mes protagonistëve. Berisha rrallëherë është pyetur nga gazetarët se ku ndodhej me 20 shkurt të vitit 1991.

Në 20 shkurt të vitit 2016, Berisha u pyet se ku ishte ditën e rrëzimit të shtatores, ku dha këtë përgjigje “Unë kam kaluar para dhe kjo është e dokumentuar dhe bashkëpunëtorët e mi kanë qenë”. I gjithë shpjegimi i Berishës për ata ditë është “Unë kam kaluar para”, ndërsa pjesa tjetër e rrëfimit të tij përmban të njëjtën fabul, të ndërtuar prej tij, ku e paraqet veten si anti-komunist.

Por, ka disa dëshmi të protagonistëve që nxjerrin në pah rolin e Berishës si i besuar i Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës në ato ditë të vështira për regjimin komunist. Të gjitha rrëfimet përputhen në një pikë, sipas të cilës Sali Berisha nuk ishte as në shesh dhe as tek studentët. Ai nuk shihej askund.

Aleksandër Meksi, ish-kryeministri i Shqipërisë më 1992-1997 dhe njëri ndër themeluesit e PD-së, protagonist i ngjarjeve të 20 shkurtit, ka pohuar se Sali Berisha nuk ishte as në shesh dhe as tek studentët.

“Kanë qenë tek sheshi së pakut Ben Imami dhe Gon Çika, të cilët u integruan në krye të turmës e sigurisht dhe të tjerë. Këtë e them pasi ishim bashkë të tre, na thirrën turmat, ndërkohë që unë ika sipër te studentët dhe ata vijuan me turmën. (Po Berisha?) Jo. Tek studentët kam qenë vetëm unë atë ditë”, ka pohuar Meksi në një intervistë për Shqiptarja.com, të dhënë në 18 shkurt 2014.

Një nga protagonistët e ngjarjeve të 20 Shkurtit të vitit 1991, Edmond Budina, jo vetëm ka konfirmuar se Sali Berisha nuk ka qenë në shesh, por ka hedhur dyshimet se Berisha mund të ketë qenë në një makinë të Sigurimit famëkeq të Shtetit në momentet e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, në rolin e të besuarit të Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës.

Ndër të tjera Budina ka pohuar se “Në atë shesh, kur u rrëzua busti nuk kishte asnjë anëtar të PD. Edhe unë isha në mënyrë të pavetëdijshme, spontane, nuk është se kisha ndonjë synim të caktuar, apo të isha dërguar nga PD. Berisha ashtu sikundër mund të ketë qenë në makinën e shërbimit të shtetit, ashtu dhe mund të mos ketë qenë”.

Versioni i Berishës në makinën e Sigurimit konfirmohet tashmë jo si dyshim, por me bindje nga Robert Papa, dëshmitar i asaj dite. Papa, në atë kohë njeri i afërt me Sali Berishën, ka deklaruar se “Berisha nuk ka qenë në shesh për rrëzimin e bustit, madje është parë një FIAT i dyshimtë duke kaluar në kohën kur po shkulej statuja. Pse nuk doli nga FIATI?

Pse nuk iu bashkua popullit, por në fakt ka shkuar te zyra e Ramiz Alisë. Shkoi se kishte frikë? Shkoi se e thirri Alia? Apo e çuan të raportojë? Nuk e di! Ai ishte aktiv dhe futej kudo. Berisha ka qenë me Pashkon te Piramida përballë Insitutit 6, afër SHQUPI-t.

Aty ka kaluar një makinë e TVSH, dhe Berisha e ka ndalur makinën duke i thënë shoferit: Do më çosh te shoku Ramiz. Shoferi ka bërë një shkelje, ka hipur në makinë te ura e këmbësorëve dhe ka shkuar nga pas Presidencës”.

Shenasi Rama, pjesë e Lëvizjes së Dhjetorit, protagonist i ngjarjeve që sollën përmbysjen e regjimit, ka rrëfyer se Sali Berisha ishte i vendosur kundër rrëzimit të bustit.

“Jo, jo. Saliu ka qenë kundër deri në momentin e fundit, si kundër heqjes së emrit, ashtu edhe kundër heqjes së statujës së Enver Hoxhës, sepse ai kishte një detyrë për të kryer dhe deri aty e kishte lejen. Asnjëherë nuk ka folur kundër Enver Hoxhës, edhe pse kalonte përditë para statujës së tij. Ai e dinte se nga kjo mund t’i ikte koka. Dhe Saliu nuk ishte aq trim, sa të luante me kokën e vet”.

Guro Zeneli ka qenë sekretari personal i Ramiz Alisë. Zeneli ishte njeri i besuar i Ramiz Alisë. Ai ishe dëshmitar se kush hynte dhe kush dilte nga zyra e Ramizit, por edhe për planet e regjimi. Sa i takon bustit, Guro Zeneli ka rrëfyer se “Rënia e bustit ishte pjesë e planit për ndryshim.

Kështu, Rënia e busteve filloj me heqjen e bustit të Stalinit. Busti u hoq natën, me urdhërin tonë. Kush mund ta hiqte bustin e Stalinit dhe të Enverit po mos të donim ne? A imagjinohet dot? Kështu, busti i Stalinit u hoq natën pa bërë zhurmë dhe pa asgjë, nga një grup ndërtuesish, me urdhër të udhëheqjes.

Ata ishin urdhëruar nga udhëheqja. Pastaj u hoq pa zhurmë edhe Lenini. Ramizi e kishte problem, kërkonte që do t’i hiqeshin bustet që u kishte ikur koha. Madje, një herë, Ramizi më tha mua në afrimitet: Po na ikën koha ne, jo më busteve.

U hoq edhe në Kombinatin e Tekstileve “Stalin” busti i Stalinit. Ramizi i hiqte me taktikë dhe gradualisht. Ramizi jepte urdhra natën për të shembur bustet dhe ditë thoshte; Ou, pakan hequr edhe këtë bust. Paskan hequr edhe atë bust?! Ç’bëhet kështu! Tani dalin heronj.

Ramizi e kuptoi situatën, luajti në mënyrë paqësore, në të kundërt edhe ai vetë mund të përfundonte keq. Nexhmija priste që Ramizi ta ndalonte rënien e monumentit. Nexhmija shkoi te Ramizi kur u rrëzua monumenti dhe i tha: Si nuk u vra një njeri, o Ramiz Alia, për Enver Hoxhën? Dhe Ramizi i tha: Nexhmije, mos u shqetëso, nuk u rrëzua Enver Hoxha. Enveri është figurë e madhe dhe e tillë do të mbetet në Shqipëri.

Enverin e do populli. U rrëzua vetëm bronxi moj Nexhmije. Më mirë që nuk u vra asnjë, sepse po të vritej një do bëheshin 10, do bëheshin 20, do bëheshin 101 mijë. Mblidh veten moj Nexhmije. Qetësohu, të lutem shumë. Dhe ky ishte takimi. Dhe Ramizi mirë e kishte, nuk ra Enveri, ra bronxi”.

Zeneli ka rrëfyer edhe se si Ramizi u njoh me Berishën dhe nisi t’i besonte misione të ndryshme. “Kjo është bërë gjatë natës kur erdhi Xhelili me Robert Kolin (sekretar partie në Tiranë) të takonin Ramizin. Në ministrinë e Ushtrisë dhe në Ministrinë e Brendshme, të gjithë i kërkuan llogari Ramiz Alisë.

Ramizi bëri takime me të gjitha ministritë kyçe të vendit. Ai kërkonte që ta zbuste situatën. Por, Xhelili dhe Hekurani kërkonin të vendosej dhuna, forca. Ramizi e kundërshtonte këtë mënyrë të Xhelilit dhe Hekuranit, pasi thoshte se nëse veprohej ashtu sikurse thoshin ata të dy, do të vriteshin djemtë dhe vajzat tona.

Berisha u dërgua nga Xhelili për të parë se kush ishin studentët dhe çfarë do bënin. Dhe Saliu u kthye dhe i tha Ramizit: Nuk më dëgjuan as mua. Pasi Xhelili, në takimin me Ramizin, kishte dhe Saliun me vete. Ky ishte takimi i parë fizik. Takimi i dytë ishte në mitingun ku foli Ramizi. Foli dhe Saliu dhe bëri një lavdërim të jashtëzakonshëm për Ramiz Alinë, pavarësisht se e futi në burg më pas”.

Rrëfimi i sekretarit të Ramiz Alisë përputhet me veprimet e Sali Berishës. Në një fjalim të tij në fund të vitit 1990, Sali Berisha i thur lavde Ramiz Alisë para mijëra qytetarëve që kundërshtonin regjimin.

“Në këtë mes, mirënjohja jonë e madhe shkon, së pari, tek presidenti shoku Ramiz Alia, i cili me një mençuri dhe guxim që udhëhoqi njësitë e mëdha të ushtrisë sonë në betejat çlirimtare, udhëhoqi vendin tonë në betejat e reja për demokratizimin e Shqipërisë”, shprehet Berisha. Fjalët e Berishës nuk lënë shumë vend për dyshime për raportin e tij me Ramiz Alinë./Shqiptarja.com

Dëshmitë e hidhura/ A ishte Berisha në makinën e Sigurimit të Shtetit kur u rrëzua busti i Enverit?!

Lexo edhe:

RRËFIM INTERESANT: SI E BINDI SALI BERISHA ROBERT NDRENIKËN PËR T’U BËRË DEPUTET…

ObserverKult