Detaje nga dokumenti i kapiten Sabri Sevranit: Si e grabiti Sigurimi i Shtetit bibliotekën e Angjelin Saraçit

Nga: Dashnor Kaloçi

Publikohet historia e panjohur e familjes së vjetër intelektuale shkodrane, Saraçi, ku pinjollët e saj, si djemtë e Zef e Roza Loro Gurakuqit që ishin diplomuar në universitetet e Vjenës, pas vitit 1944 përfunduan në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës duke kaluar një kalvar të vërtetë deri në vitin 1990-të.

Rrëfimi i Fatbardha Mulleti Saraçit, bashkëshortes së Kolindo Saraçit, për vuajtjet dhe peripecitë e asaj familje…

Një nga ato familje të njohura intelektualre shkodrane e cila u godit rëndë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës që me ardhjen e tyre në pushtet në dhjetorin e vitit 1944, ka qenë edhe familja Saraçi, e cila ka banuar në rrugën me të njëjtin emër, karshi hotel “Sokrati”, ngjitur me Prefekturën, e cila që para viteve ’90-të është e njohur me emrin: Rruga “Jorgji Karamitri”.

Cila ishte origjina e familjes Saraçi, që kur kanë qenë të njohur të parët e saj në qytetin e Shkodrës dhe cilët ishin pinjollët që dolën prej trungut të saj dhe e mbëjtën gjallë traditën e familjes?

Ku u shkolluan djemtë e Zef Saraçit, me çfarë punësh u morën ata gjatë viteve të Monarkisë së Zogut e në periudhën e pushtimit fashist të vëndit dhe përse u godit ajo familje nga regjimi komunist i Enver Hoxhës menjëherë pas mbarimit të luftës?

Kush ishte Profesor Angjelin Saraçi, njëri nga personat më të njohur të asaj familje, përse u arrestua ai nga Sigurimi i Shtetit dhe si iu grabit atij e gjithë shtëpia së bashku me bibliotëkën e tij mjaft të pasur, të cilën ai vazhdoi ta kërkonte duke iu shkruar herë pas here autoriteteve komuniste që komandonin asokohe në qytetin e Shkodrës?

Lidhur me historinë e kësaj familje, na njeh dëshmia e zonjës Fatbardha Saraçi (Mulleti) bashkëshortja e Kolindo Saraçit, vëllait të Angjelinit, më të njohurit të asaj familje që tashmë nga ana mashkullore i kanë mbetur vetëm dy djem fare të rinj, të cilët për vetë moshën e tyre nuk e njohin mirë të kaluarën e asaj familje.

Vëllezërit Saraçi, diplomohen në Vjenë

Origjina e hershme e familjes Saraçi, është nga qyteti i Shkodrës dhe të parët e saj mendohet që janë vendosur aty në atë lagje ku ndodhen edhe sot shtëpitë e tyre, diku aty nga viti 1650. Ashtu si disa nga familjet e vjetra shkodrane me tradita të hershme edhe familja Saraçi e ka ruajtur të plotë pemën gjenealogjike të saj, e cila e ka zanafillën që në mesin e shekullit të XVI-të, ku i pari i tyre përmëndet Ndrek Saraçi, i lindur në vitin 1650. Pas Ndrekës, që konsiderohet si i pari i asaj familje, kanë qenë të njohur edhe Nok e Gjok Saraçi, të cilët u lindën përkatësisht në vitin 1680 dhe 1710.

Që prej asaj periudhë nga ajo familje e njohur shkodrane kanë dalë disa breza dhe një nga më të fundmit e tyre, ka qenë Zef Saraçi, i cili me bashkëshorten e tij, Roza Loro Gurakuqin, kanë pasur katër djem: Pjetërin e Gaspërin (binjakë) dhe Angjelinin e Loron. Lidhur me të kaluarën e kësaj familje, Fatbardha Saraçi (Mulleti) dëshmon:

“Familja Saraçi ka qenë një familje ku të parët e tyre prej shumë vjetësh kanë jetuar në një gjendje ekonomike mjaft të mirë, si rezultat i pasurisë që kishin trashëguar.

Nisur nga ky fakt, Zef Saraçi u kujdes për shkollimin e të gjithë fëmijëve të tij, në shkollat më të njohura si brenda ashtu dhe jashtë vëndit. Kështu dy djemtë binjakë, Pjetrin me Gaspërin, Zef Saraçi i dërgoi në kolegjin e fretënve të qytetit të Shkodrës, të cilin ata e mbaruan me rezultate mjaft të mira. Pas mbarimit të atij kolegji, dy vëllezërit binjakë shkuan me studime në Vjenë të Austrisë, ku u regjistruan në fakultetin Ekonomik të cilin e mbaruan me rezultate shumë të larta.

Aty nga viti 1930-të, pasi Pjetri me Gaspërin pasi mbrojtën diplomat, u kthyen në Shqipëri dhe iu përkushtuan punës private, duke mos pranuar që të shërbenin në administratën shtetërore.

Kështu, Pjetër Saraçi, që ishte dhe më i madhi nga vëllezërit, filloi të punonte si komisjoner për të gjithë tregëtarët e Veriut të Shqipëris, duke i lidhur ata në marrëdhëniet e ndërsjellta tregtare me Gjermaninë, Austrinë, Francën etj.

Atë punë e cila i sillte fitime të mëdha, Pjetër Saraçi e ushtroi gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut e gjithashtu edhe gjatë viteve të pushtimit nazi-fashist të vëndit. Atë zanat së bashku me punën e përkthyesit, Pjetër Saraçi e vazhdoi deri në vitin 1944, kur komunistët erdhën në pushtet dhe gjatë gjithë asaj kohe ai nuk ishte përzierë asnjëhere në punët e politikës.

Ndërsa Pjetëri u mor me atë punë që ia rregulloi ndjeshëm gjëndjen ekonomike, vëllai tjetër binjak me të, Gaspëri, që pas kthimit nga Vjena në vitin 1930, u vendos në qytetin e Tiranës ku mor me riparim radiosh dhe po ashtu ai ka qenë mjaft i njohur në të gjithë qytetin e Shkodrës edhe si filatelist”, kujton Fatbardha Saraçi (Mulleti) për dy vëllezërit binjakë Saraçi, të cilët kanë qenë shumë të njohur edhe për humorin e tyre të hollë.

Dënimi i vëllezërve Saraçi në 1945
Ashtu si shumë familje të vjetra shkodrane me tradita intelektuale, edhe familja Saraçi, menjëherë pas mbarimit të Luftës dhe ardhjes në pushtet të komunistëve, u godit pa mëshirë prej tyre, duke u konsideruar familje borgjeze dhe reaksionare.

E gjitha ajo erdhi për të vetmin fakt se ishte familje e pasur dhe pinjollët e saj ishin shkolluar në universitetet e Perëndimit.

Lidhur me goditjen që pësoi familja Saraçi dhe kalvarin e burrave të saj në burgje e internime, Fatbardha Mulleti dëshmon: “Që me ardhjen e komunistëve në pushtet nga familja Saraçi u arrestuan dy vëllezërit, Pjetri me Angjelinin.

Pjetëri pasi u mbajt disa kohë në hetuesi, u nxuarr në gjyq dhe u dënua me katër vjet burg, të cilat ai i vuajti në kampet e tmerrëshme të Maliqit, Orman-Pojanit, Bedenit të Kavajës etj.

Pas vuajtjes së dënimit të plotë nëpër kampet e dënimit, Pjetër Saraçi u lirua nga burgu në vitin 1950 dhe deri në vitin 1973 që ai ndërroi jetë, vuajti nga lufta e egër e klasave, duke u konsideruar si një ish i dënuar politik.

Ndërsa vëllai tjetër binjak, Gaspëri, i cili që pas kthimit nga studimet u vendos në Tiranë duke punuar si radioteknik, ndërroi jetë në 12 dhjetorin e vitit 1971, duke qenë vazhdimisht i survejuar nga Sigurimi i Shtetit për shkak të biografisë së tij familjare. Ndryshe nga vëllezërit e tij, rrodhi jeta e Angjelinit, i cili kishte mbaruar kolegjin e fretënve në qytetin e Shkodrës, dhe ishte diplomuar për Histori-Gjeografi në Vjenë të Austrisë”.

Letra e Saraçit, dërguar Komandës së Qarkut në Shkodër
Komandës së Qarkut të Shkodrës.

Unë ish profesor Angjelin Saraçi, në landë mësimi histori e gjeografi në licen e këtushëm shtetnuer e banues përpara në rrugën 28 Nanduer (përballë hotelit të Sokratos), mbasi u mbajta në burg (Burgu i Ri) për ma se gjysë vjetë e u lirova pa gjygj, kërkoj prej komandës së naltpërmendun që të më lirohet shpija e se edhe tash e pushtueme gjithnjë prej njerzve të forcës partizane, të më shpërblehet ndeja me ta, të më paguhet dami i saj qi asht ba në të – krahasoni edhe kërkesat e mia Nr.1 faqe 4 e i shpies së vjetër qi asht njitë me të, i ushqimit, i sakamit e i bibliotekës s’eme qi janë marrë prej shpies s’eme.

Në rast se këto të fundit nuk gjinden, të më shpërblehen kryekëput, në rast të kundërt, të më kthehen për sesi tue u marrë por gjithnjë në shikim shpërblimi dëmet që mund të jenë shkaktue atyre prej marrësave. Ndërkaq lajmoj se pjesa më e madhe e bibliotekës s’eme gjendet në shpinë e Rinis, e më asht vue në dorëzim tem të plotë prej s’asaj shpie, jam tue rregullue vetë ka disa dit për me e hjekë.

Shënjoj se flota e regishimit të materjalit tem prej anës së zyrtare qi po e qes bashkanitun këtu me dy fletë të kërkimeve të mija jo vetëm qi nuk flet as për ushqim as për bibliotekë, as për pjesën më të madhe të Sakamit- Sakam i shënjiem prej saj asht krejt i pakët e i papërduruem, e qi në këto mungesa ishte dashtë unë me pasë ndej në shpi qyqe vetëm pa hangër e pa shtroje e mbloje fjetje, ku kam ndjejë e fjetë me vjet e kam hangër për ditë, por edhe për çka ka diftue i ka kallzue të mangësa, a për negligjencë a për ndonjë send tjetër të Malo (Ismajl) Tafilit, registruesit të pasuris s’ime të tundëshme e të patundëshme si e difton edhe regjistrimi i shpies së re, se nalt ka 1 (një) odë e 1 (një) çardak ma trepër e poshtë 2 (dy) oda kah oborri, njëra ndër këto asht kuzhinë, kuzhina poshtë, qi janë lanë pa shënjue. Këtu shihet pra se si asht sa regjistrimi e kur asht shkrue kjo shpi mangut, ku janë dashtë e s’ka pasë tjetër veç odat me si njehë, vjen prej vedit se mund të lëshohet edhe për ushqim, shumë e Sakamit e për bibliotekën teme- e cila e fundit i asht lypë prej shpies së Rinisë, seksionit të III e prej këtu të registrue si e difton me gojë Malo Tafili në fjalë qi mund të jenë lanë e madje janë lënë krejt mbas dore, janë lanë krejt pa regjistrue.

Po së kenunit e së këtyne gjanave në kohën e seguestrimit e të bartjes prej shtëpie asht dishmi pasë dëshmisë zyrtare në sektorin e VII të kërkesës së pjesëshme të pasunis seme, se librano të mi prej këti sektori prej anës së Shpis së Rinisë e pasë pohimit me gojë të kërkesës e të registrimit kësaj kërkese në librin registries, prej anës së Malo Tafilit vetë edhe një pjesë e madhe e Shkodrës o tue pa filmin me sy të vet, or gojë pas goje për këtë, si gazetë e pashkrueme u përgojnë. Këtë mungese regjistrimi edhe vetë Malo Tafili, si dhe si u diftue qi aksh zyrtar ka të metuna, mue vetë me gojë me këto fjalë regjistrimi i pasurisë s ‘uej asht negligjue, ma ka diftue.

Prandaj dishmie zyrtare e lishueme mbi pasunin teme, qi edhe kjo ka të metuna, nuk duhet të merret si gurë zyrtare e vetme, por do ti shtohen edhe kërkesat e mija si kësaj, mbi të cillat pjesërisht të ligjueme (legalizueme) e këtu asht biblioteka për tu shënjue, se kërkue marrë zyrtarisht e shënjue në protokoll zyrtar, edhe vetë M. Tafili, ngishnuesi i pasunis e Sadik Reçi, ekonom në Këshillin e II të lagjes “8 Nanduer”, krahasoni poshtë këshillit pjesërisht së kenunit e tyne, gojarisht e kanë tregue.

Mbi të kënunit e plotë e të kërkuemit e drejtë të pasunisë së shkrueme lënë prej meje, sa lamë në njënën anë drejtsinë e ndërgjegjes seme ndë të cillën mund të përulet e le të përulet ose të përulen komanda partizane ose tjetër kush kush ka bie mbrenda ma parë në shpi kur kjo asht zhberthye në mungese teme, ku ka kenë gjithçka e paprekun, ashtu kush ka dhanë urdhëna me u çilë me forcë shpija, asht edhe kush asht kanë pranë nder zyrtarë shteti civila, kryeplak a tjetërkush qi kanë pasë urdhnue me e pri, me kene pranë në zhbërdhim e në kontrollim të shpies e ndoshta në të manunit e sakamit përnjiherë a pjesë mbas pjese, e ata kanë me diftue e vërtetue.

Kryeplaku i sundimit së përpanshëm, Halil Teli, i cili asht marrë për shërbime krye plagosije prej këshillit të parë të lagjes 1 asaj kohe të qeveris së sodshme, si aj vetë më ka diftue, më ka thanë edhe vetë se e din vetë se katër herë kanë shkue me marrë ma senjal në shpi teme e se aj veç nuk ka kenë pranë në këtë veprim. Prandaj asht e nevojshme qi të merren në pyetje pa gjyrmim kryeplaku në fjalë e njerz të këshillit të parë të lagjes e në rasë nevoje edhe asish të këshillit të dytë, të cillët po i shkruej këtu poshtë, asht të pëvetun ata që kanë bamë në shpinë teme, partizana e civila, qysh prej fillimit deri sa asht zhduk krejt materjali. Marko Dede, nieri i Korp.

Armat. së III, si e difton letra zyrtare e naltpërmendun në fjalë mbi regjistrimin e pasunis seme edhe sado njoftime të pjesëshme, ka me ditë jo ma pk me diftue. Sa për përvetësim materiali tem, gja që mund të ketë nollë-nga ana civile e për gjetjen e tij komanda e naltpërmendun ka me ditë sesi fajtorët me i gjetë, materiale e në kjoftë damshpërblimin me ia marrë e si vepruesa të paligjëshëm me i dënue e ka me ditë jo pak me veprue, mbasi në dorë të saj si mall i saj, së pafont përkohësisht, kjo punë në rast se asht ba, asht shkaktue.

Këshilli i Dhimitër Bojaxhiu Kryetar tash kryetar bashkie, Taip Hilmija Nënkryetar, Shuajb Bilali (sekretar, ndoshta edhe Ndoc Prendushi e Maksut Bilali. Këshill i II: Taif Hilmija Kryetar, Rustem Sykja sekretar, Sadik Reçi ekonomist, Ndoc Prendushi, Maksut Bilali.

Kujtoj se shpija e jeme asht zhbërthye si ma para shpie në Shkodër e prandaj shërbimi kundra materialit si i aratisun e kështu reakcionar qi më kanë pagëzue, asht kenë ma i madh, të hupunit ma i plotë e regjistrimi i si i lamun (neglizhuem) edhe për arsye se ma në fillim regullimi zyrtar ka pas çalue. Tue shpresue se kërkesat e të drejtat e mija kanë me u marrë parasysh, për të cilat edhe Zotni kryetar i komandës së naltdëftueme çfaqini besim përkrahje, e kanë me u ndjekë pa masë, po nën shkruejme.

Shkodër më 9.X.1945.

Angjelin Saraçi

Memorie.al