Deti, si kryepersonazh

(Neviana Shehi: HESHTJA E PIANISTES, tregime, botoi Logos-A, Shkup, 2024)

Nga Fitim Nuhiu

Një titull mjaft intrigues. Përse të heshtë një piano, një pianiste? Ajo supozohet të bëj muzikë. Dhe vjen autorja që i jep zë asaj heshtjeje të pianistes plakë, të vdekur e të harruar në kohë. Ndryshe nga shumë shkrimtarë tjerë që personazh kanë njerëzit, Shehi ka zgjedhur t’i përjashton ata nga rrëfimi i saj dhe fut personazhe të tjerë: natën, hënën, shiun, kodrinat, bimët, qytetin (abstrakt) dhe në fund të gjithë këta sillen përqark kryepersonazhit që është DETI.

Është libër që të nxit të rimendosh dimensione të thella të qenieve dhe gjësendeve që na rrethojnë, madje jo vetëm kaq, por na jep krahë të fluturojmë me pulëbardhat, të prekim valët e detit dhe të ecim nëpër plazhe, duke lagur këmbët me ujin gjersa shtresëzon rërën në tërheqje e sipër, duke thënë: “…shihja se si tërhiqej uji me një llokoçitje të lehtë, duke e liruar centimetër pas centimetri rërën”. (fq. 16).

Libri sjell te lexuesi detajet e ndryshme të jetëve tona, që nuk i vërejmë aspak. Fijet e barit, që i shohim të parëndësishme krahas luleve të ndryshme që kemi pranë. Autorja parapëlqen që të jetë një fije bari (e poemës së Uitmanit), e blertë, këmbëngulëse e stoike që del pas çdo dimri të acartë, duke refuzuar që të jetë çfarëdo bime tjetër, qofshin me ngjyrat nga më të bukurat në botë. 

Në tregimin “Balonë fëmijërie” (fq 30) mes rreshtash thotë që kur njeriu udhëton, ai realisht edhe e kupton qytetërimin dhe kulturën që ka brenda vetes së tij: “çdokush nga ne ka nevojë të paktën të shkojë njëherë përballë piramidës së Keopsit për të njohur qytetërimin e vetvetes”.

Është për t’u admiruar ndjesia që (herë pas here edhe në librat e saj të mëparshëm) e sjellë dhe e risjell ndjenjën dhe dashurinë për nënën, kur thotë: “Malli për nënën i ngjan lumenjve në pranverë kur vërshojnë të pabindur”. (fq. 28) Autorja i këndon “burrit ideal” të saj, që dëshiron ta përkëdhel, e ta krijon siç ajo dëshiron të jetë, melankolik, ndonjëherë edhe të ketë atë egërsinë mashkullore, ndonjëherë që luhatej dhe ndryshon sikur valët e detit. Thënë ndryshe, dëshiron ta pikturojë me fjalë një burrë, që dëshiron vetëm ta sheh nga distanca, e jo ta prekë a ta prishë atë bukurie ideale që e portretizon.

Autorja ia mëson lexuesit të saj një “gjuhë komunikuese” që të flasë rrjedhshëm me gjësendet përreth, sikur i bën që edhe gjësendet që ne i prekim dhe i shohim çdo ditë të flasin me ne, sikur i jep trajtë njeriu që meritojnë respekt dhe duhen vlerësuar edhe cikërrimat e tyre (tregimi – gjuha e gjësendeve, filxhani). Në këtë tregim autorja thotë: “Të dish të flasësh gjuhën e pandjeshme të sendeve, nuk nënkupton se je send, përkundrazi…” (fq. 38).

Tregimet e autores në një mënyrë janë tregime poetike, sepse brenda tyre tregimeve ka poetikë të mrekullueshme: “Në ajër kishte ende fonema të mbetura nga zëri yt i bukur” (fq. 29) ose “Akrepat e orës rrotulloheshin sa për t’i bërë qejfin vetes” (fq. 81) etj.

Herë pas here shfaqet edhe shpirti i saj rebel, kur thotë: “I urrej kaq shumë moralistët dhe misionarët predikues. Se si duhet të jem, përveç meje, nuk i përket askujt ta vendosë”. (fq.113)

Libri hap shumë tema dhe prek shumë çështje, duke filluar nga tragjedia e Çamërisë, vrasjes së grave nga burrat shqiptarë, hipokrizia e politikanëve kinse nderojnë statujat (heronjtë) që i kanë vrarë vetë (fq. 57), insektet dhe karakteristikat që ato kanë, godet fenomenin e idiotëve që shesin gjërat antike e që nuk e kanë kulturën që të ruhen në muzetë publike, aroma e shkrimeve të vjetra dhe kujtimet që ato sjellin, i këndon amvisës, duke e përshkruar se duhet të jetë e lumtur ajo kur përgatit gjëra të mira për familjen e saj (fq. 96), i dhimbsen fëmijët e pastrehë (fq. 76), ledhaton Tiranën dhe bukurinë e saj (fq. 109) deri te dashuritë e mëdha, ndarjet që pasojnë, etj.

Autorja di të ndërlidh mjeshtërisht gjuhën e shenjave, numerologjinë, numrin 13, dijet e lashta njerëzore dhe krahasimin e bën mrekullisht. Me një fjalë tregon se i njeh mirë mileniumet që kaluam ndër njerëzimin, skutat, peripecitë që ata kaluan dhe tejkaluan.

ObserverKult

—————-

Lexo edhe:

MAHMUD DERVISH: NOSTALGJI PËR BUKËN E SIME MËJE