Rrëfimi i poetit Frederik Rreshpja për Prishtinën

ishim frederik rreshpja poezi per nenen

Nga Petrit Palushi

“… E kishim lënë me Rexhep Ferrin e Ali Podrimen të takoheshim te hoteli ku rrija. Po unë, bash n’atë orë kur e dija se do vinin dola nëpër rrugët e Prishtinës. Nuk e di si u ngjaja njerëzve… Si lypsar a si shtegtar i largët që shkonte për herë të parë aty. Vërejta se kthenin kryet kah unë. Unë vetëm qeshja me mendje. Unë s’i njihja ata, por edhe ata s’më njihnin. U futa në një kafe dhe zura vend te një tavolinë e zbrazët. Klientat po më shihnin me vëmendje. Ndoshta mendonin se u bënë edhe lypësat me u futë nëpër kafe. Porosita një raki. Kamerieri e solli shpejt. Mbas do kohe erdhi prap dhe më tha:

– E ke të paguar, – dhe i drejtoi sytë tek një djalosh në tavolinën tjetër.

– Falemnderës, – i thashë djaloshit.

M’u dha ta thirrja te tavolina ime. Erdhi.

– Kush je ti? – më pyeti.

Unë s’fola.

– Fotografinë tënde e kam parë diku, – shtoi ai, – nuk e di por… më ngjason me dikënd…

– Me veten time, – i thashë, – jo me kënd tjetër.

Ai m’i nguli sytë. Kish dy sy të ndritshëm, me një dritë të thellë. Kurrë s’kisha pa sy të tillë.

– Jam mysafir i Prishtinës, – i thashë.

– Prishtina është e madhe, – tha ai.

– Pse nuk të ngjaj si mysafir i saj? – e pyeta.

Ai nisi me qeshë. Edhe të qeshurën e kish si me dritë.

– Jam mysafir i Rexhep Ferrit e Ali Podrimes, – i thashë. – Kam qenë poet.

– Poet?! – i hapi sytë në katërsh.

– Po, – i thashë.

Ai ende s’po më besonte.

– Jam Frederik Rreshpja, – thashë.

– Nuk ka mundësi, – tha. – Nuk ka mundësi. Frederik Rreshpja është tjetërkush. A e di çfarë poezish ka ai?

– E di, e di, – i thashë. – Ka shkruar dikur poezi.

– Poezia e tij “Ave, nëna ime” është poezia më e bukur e qiellit, – më tha ai.

Djaloshi po fliste për mua si të fliste për dikënd tjetër, kur më kishte para syve.

– Unë jam Fredi, – i thashë. – Fredi vetë.

U ngri në këmbë, më përqafoi dhe më tha:

– O Zot, Frederik Rreshpja në Prishtinë!

M’u mbushën sytë me lot.

– Jam student, – më tha ai. – Më prit këtu sa të marr leje se kam leksion orën e parë. Më prit, të lutem!

– Po, – i thashë.

Ngadalë-ngadalë dola prej aty dhe u nisa për te hoteli ku rrija.

Ec e ec, por dikur u lodha…

U mundova me ecë prap, por s’munda. U afrova te një pemë dhe u mbështeta në të. M’u afruan dy nxënës shkolle dhe njëri nxori një monedhë metalike.

– Xhaxhi, merre, – më tha.

– Jo, – i thashë. – Më ka dhënë Rexhep Ferri edhe për sot.

– Merre, merre të lutem, – më tha dhe ma lëshoi monedhën në dorë.

U ula dhe nisa të qaj. Si s’u kënaqa një herë në jetë! Si nuk munda të përkëdhel fëmijë një herë! Pse Zoti pati nge të merret vetëm me mua!

Një zonjushë m’u afrua dhe më pyeti:

– Si mund t’ju ndihmoj?

– Dua të shkoj në hotel, – i thashë.

Ia tregova emrin e hotelit, po tash e kam harruar. Qe një hotel pranë Pazarit.

Zonjusha më mori në makinën e vet.

– Nga je? – më pyeti.

– Nga Shkodra, – i thashë. – Kam ardhë të shoh Prishtinën, – dhe nisa të qaj.

Zonjusha e ndali makinën dhe më pyeti:

– Ç’pate?

– Asgjë, – i thashë. – M’u kujtua nëna ime. Ajo ka vdekur.

Zonjusha më pa si e shashtisur dhe më tha:

– E nënave qoftë!

E nisi makinën. Mendja më thoshte se nëna ime kishte vdekur. Si më tha zonjusha? E nënave qoftë! Nëna ime kishte vdekur, por edhe unë i vdekur isha, veçse po prisja kur të më futnin nën tokë. Pse vetëm nënat vdesin? Ne, bijtë e tyre nuk vdesim?

Zonjusha, më çoi te hoteli. Kish qenë zonjushë përnjimend. E ndaloi makinën. Zbriti dhe më hapi derën e makinës. M’u duk vetja si aristrokat, tash kur s’kisha më kohë të shijoja asnjë ditë më tepër. Nxori dhe më dha 20 Euro. S’i duket i ngjava me një lypës.

– Kam, – i thashë. – Kam plot miq këtu. Kam qenë poet.

Ajo u mpi krejt. Më pas, në një copë letër shkroi numrin e telefonit.

– Jam arkitekte, – tha. – Mbasdite kthehem nga puna dhe do vij te hoteli të pimë kafe bashkë.

Tek futesha në hotel, letrën e hodha në tokë.

Pse ta mbaja atë numër telefoni? S’do kisha më kohë të flisja me njerëz.

Kur u futa në kafen e hotelit, Ali Podrimja më tha:

– Humbe, Frederik…

– Jo, – i thashë, – në Prishtinë të gjithë më donin… ”

***

Tek fliste kësisoj, nuk e ndërpreva n’asnjë çast.

Doja të shprazej e të shprazej. Edhe ai sikur pati dëshirë të mos e ndërpritja. Donte ta çonte rrëfimin deri në fund.

– E tregova si përrallë, – më tha. – Ta tregova thjeshtë, si me qenë përrallë. Se e vërteta tregohet thjesht si përrallë. S’më hiqen prej mendjes studenti, nxënësit dhe arkitektja. As emrat s’ua mësova. Do ta shkruaj këtë që të tregova. Personazhet do i kem: Mirësia Një, Mirësia Dy, Mirësia Tre. Kurse Mirësia e madhe: Prishtina.

Mbas do kohe, më tha që kur të shkoja në Prishtinë, të kërkoja me patjetër studentin, nxënësit dhe arkitekten e t’i falenderoja.

– Fredi nuk kthehet më atje, – tha. – Ika pa u thënë as lamtumirë.

– S’ua di emrat, – i thashë.

– Kërkoji njerëzit e mirë, – më tha si urdhnueshëm.

Ai po më kërkonte diçka të pamundshme.

– Kërkoi ata njerëz, – shtoi. – Njerëzit e mirë kanë emra. Të këqinjtë zhyten në mjegull e s’dallohen…

Qe njëjtë si të rendja nëpër Prishtinë e të kërkoja imazhet e atyre që Rreshpja i kish fiksuar në mendjen dhe sytë e vet, njëjtë si imazhet në poezitë e veta.

* Shkëputur nga libri “Frederik Rreshpja që s’e kuptuam kurrë” i Petrit Palushit

ObserverKult

——————

Lexo edhe:

VIDEO E RRALLË: LASGUSH PORADECI PËRLOTET DUKE FOLUR PËR KOSOVËN