Poezia: Dhe vjen ajo moshë
Shkruar nga: Artan Gjyzel Hasani
Interpretuar nga: Xhevdet Doda
Muzika: Gresa Broqi
DHE VJEN AJO MOSHË…
…kur një burrë plaket
e qan lehtësisht pa asnjë shkak
ose për shkaqe të pasqaruara kurrë…
lotë që dalin nga gërmadhë e shpirtit
flluska sqimatare të mbushura me bosh
avuj resh nga qiej të mbytur në ujë të ndënjur
nga vitrinë e syve u pozojnë pasqyrave
indiferentë
si acari kur nuk ka çfarë të ngrijë
absurdë
si çarti kur e zënë ethet
të kotë
si gjumi kur ëndrrën ia heq
të paqëllimtë
si puhija kur kanë ikur gjethet
të parëndësishëm
si një vjeshtë e veshur keq…
derisa dikur
vjen një tjetër moshë
kur plaket vërtet një burrë
dhe lotët bëhen gurë
që s’ka sizif t’i mbajë
dhe për herë të parë
e di vërtet pse qan
dhe kjo është hera e fundit…
ObserverKult
Lexo edhe:
ARTAN GJYZEL HASANI: DO TË HARROSH PËRSE U NDAVE…
Poezi nga Artan Gjyzel Hasani
do të vijë një kohë kur do të të duken njësoj
njerëzit që ndeshe andej nga kalove
do të harrosh përse u ndave nga ata
s’do të të kujtohet përse i dashurove
dhe do të kuptosh që asgjë s’është e shkëlqyer
askush siç niset, te tjetri nuk mbërrin
jeta është poezi e shkruar në varg të thyer, zemër,
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ARTAN GJYZEL HASANI: O GRUA E BUKUR!
një kopsë e zbërthyer në këmishën e qiellit
dhe diellit i merret fryma mes gjinjve të tu…
…sa herë që ti hap buzët
xhindet dalin nga shishja
bota harron dy dëshirat e tjera
dhe qiejt lëkunden…
sa herë që ti gëlltitesh
burrat e qytetit zvogëlohen
dhe hija jote mbars me hiret e tua
cigaret që nuk dinë ku t’i shkundin…
sa herë që kohën vret me ne
vend varri për të nuk ka…
ObserverKult