“Dhe vjen ajo moshë…” Xhevdet Doda lexon Artan Gj. Hasanin

Poezia: Dhe vjen ajo moshë
Shkruar nga: Artan Gjyzel Hasani
Interpretuar nga: Xhevdet Doda
Muzika: Gresa Broqi

DHE VJEN AJO MOSHË…

…kur një burrë plaket
e qan lehtësisht pa asnjë shkak
ose për shkaqe të pasqaruara kurrë…

lotë që dalin nga gërmadhë e shpirtit
flluska sqimatare të mbushura me bosh
avuj resh nga qiej të mbytur në ujë të ndënjur
nga vitrinë e syve u pozojnë pasqyrave

indiferentë
si acari kur nuk ka çfarë të ngrijë

absurdë
si çarti kur e zënë ethet

të kotë
si gjumi kur ëndrrën ia heq

të paqëllimtë
si puhija kur kanë ikur gjethet

të parëndësishëm
si një vjeshtë e veshur keq…

derisa dikur
vjen një tjetër moshë
kur plaket vërtet një burrë
dhe lotët bëhen gurë
që s’ka sizif t’i mbajë

dhe për herë të parë
e di vërtet pse qan
dhe kjo është hera e fundit…