Dhimbja e babait për të birin: Ti ke mbetur në zemrat tona, bir, për jetë e mot…

xhabir ahmeti - për luraninn
Luran Ahmeti

Përkujtim për djalin tim të mirë, Luranin

Nga Xhabir Ahmeti


LURANI I BABIT, ÇFARË MË MBETET MUA PËRVEÇ SE TA VENDOS EMRIN TËND TË BUKUR MIDIS KOPERTINAVE TË KULTURËS SË KUJTESËS SONË KOLEKTIVE, ÇFARË MË MBETET MUA PËRVEÇ SE TË TË KUJTOJ DHE TA RUAJ ME VENDOSMËRI KUJTESËN E ARBËS PËR BABIN E SAJ TË VEÇANTË?

Djali im i mirë, sot po ikën edhe muaji i katërt që s’të kemi pranë, katër muaj që mirësia dhe dashuria jote e pafund për ne u zëvendësua me pikëllim të hapësirave kozmike, me një dhembje biblike. Ikin ditët, muajt, do të ikin edhe vitet, por buzëqeshja jote do të mbetet ikonë në shtresat më të thella të shpirtit tonë, ku do të ruhen si imazhe vehemente të impresionizmit bashkë me gjithë ato ndjenja tuat fisnike, ndjenja që s’i ka pasur kush për familjen, ndjenja me një dashuri plot lirizëm të cilat merrnin dimensione të papara kur vije në shtëpi nga provat ose nga premierat dhe na përqafoje me ngrohtësinë tënde engjëllore. Pastaj o uleshe në këndin tënd të dhomës që të pëlqente, o diku tjetër, por sido që të uleshe dhe kudo që të rrije, në kolltukun përballë ekranit televiziv, në kauç a në ballkon, Ti shpërndaje një dritë mirësie. Ndjehej atëherë ajo butësia me përmasa perandorake dhe na i ngrohte shpirtrat. sepse Ti ishe shpresa jonë, Ti ishe kozmosi ynë. Dhe, ne e shijonim të pafund atëherë bukurinë e jetës. Kjo është e kuptueshme: të jetosh në një atmosferë ngazëllyese e plot hare dhe ta shikosh kozmosin e qëndisur me mrekullinë e miliona yjeve që xixëllojnë duke na dhuruar një mallëngjim të pashpjegueshëm dhe njëherësh edhe të ndjesh kënaqësi për këtë rrethim fantastik, me djalin pranë, a ka më mirë?
Hapësirat e blerta dikur që i shikonim bashkë nga ballkoni duke shijuar jetën nuk janë më fati ynë, biri im. Të gjitha tablotë dikur vigane që rrezatonin me mbresat që t’i falin, me notat e tyre të magjishme dhe plot ngjyra e dritë tash janë të përhitura. Dhe, nga ato kullon vetëm dhembje. Në degën vigane të manit të madh që e kemi përballë ballkonit e që e mbajmë për përmendore të poezisë nuk bën më muzikë zefiri, po aty rri i lëvarur një gjarpër i verdhë. E nuk është gjarpër i shtëpisë. Në këtë shtëpi nuk rri më gjarpri i shtëpisë. Gjarpri i shtëpisë e ka për detyrë hyjnore ta ruajë shtyllën kryesore të vatrës. Ajo shtyllë ishe Ti. E kanë vështirë pasardhësit e Kadmos dhe të Harmonisë të qëndrojnë aty ngase pa shtyllë shtëpia luhatet. E ai gjarpër varur në degë të manit them se do të jetë kanosje e përhershme me helm pas goditjes që kemi marrë me largimin Tënd, biri im.
Lumturia jonë u përmbys pa Ty.
Arti që i shtrinte degët nga kjo shtëpi prej dite në ditë po zbehet e po shndërrohet në një shelg të përvajshëm.
Dhe, gjithnjë e më shumë heshtja e rëndë dhe rrëketë e lotëve bëhen visorja jonë, bena jonë.
Këto ditë, këto javë e këta muaj u bënë një realitet i surmë i ngarkuar me kotësi, me nuanca dhe domethënie të rralla pikëllimi që babi Yt i gjen vetëm në strukturat poetike të Traklit dhe të Bodlerit, ku vazhdimisht gumëzhin heshtja e rëndë, ku flaka e oxhakut shkon duke u zvogëluar dhe ku hapet skena e dramës personale të secilit prej nesh, e ngjyer në lëngun e vetmisë. Natën dëgjohet troku me çizme të tmerrshme i përditshmërisë, hëna e zbehtë hedh nga pak dritë të ftohtë e cila i zbulon kurorat e drurëve me gjethe të vyshkura ku janë fshehur pëllumbat e egër që rrinë kryelëvarur dhe duken rrugët me asfalt të arnuar ku më së shpeshti ecin ngadalë me duar të lidhura pas shpine të përhëntit dhe ëndërrimtarët, ata që janë “banorë” të imagjinatës, iniciativës dhe të vërtetës, pra këto vlera të cilat kërraba ideologjike i zë ditën për fyti që dhe u vë vulën e ligjit për të cilin shkruan poeti rumun Adrian Paunesku:
“Do të dalë një ligj për ta shenjtëruar kamxhikun,
Do të dalë një ligj që të na tërheqë zvarrë…
Do të dalë një ligj për të na futur në grigjë…
E përshëndesim këtë ligj që vjen,
Me ngushëllime dhe me të mira…”
Ti Lurani i babit gjithmonë ke qenë jashtë këtyre sferave “që vazhdimisht dalin e vazhdimisht do të dalin në forma të ligjeve dhe ideologjive”. Ti ke qenë vetëm aleat i të vërtetës, prandaj krenohem me Ty! Ti ke qenë pjesë e të bukurës, Ti ke qenë mbështetës i fuqishëm i rritës së teatrit tonë, i këtij tempulli që është ndër shenjat njohëse të identitetit tonë, Ti e ke mbajtur anën mirësisë dhe i humanizmit. Prandaj dashuria ime ndaj teje shumëfishohet dhe njëherësh humbja jonë që s’të kemi pranë bëhet sa barra mbi supet e Atlasit.
Sot u bënë katër muaj të plota biri im që s’kemi pasur biseda, që s’jemi ulur njëri pranë tjetrit e të flasim, të dëgjoj prej teje se çfarë po ndodh tash në botën e filmit, t’i dëgjoj analizat tua të hollësishme të filmit bashkëkohor, të flasim për plane që i kemi për Arbën dhe për planet tjera. Tash ne sillemi nëpër hapësirat e vetmisë të rrethuar me mure të larta që i gjen vetëm në Ballkan. Ne tash e shtyjmë gurin e Sizifit. Kemi mbetur pa fjalën tënde që shëronte plagë që në fakt ishte një diçka që gjithmonë i nxirrte në plan të parë disponimin e mirë dhe gëzimin! Këto çaste ishin kënaqësi. Tash kemi mbetur pa to. Dhe, mundohemi llahtarin, të ecim përpara për Arbushin e vogël që orë e çast të përmend: Babi im, babi im! Kemi mbetur pa kënaqësinë që që na e falte prania jote e që s’kanë fuqi ta qartësojnë dot as fjalët e zgjedhura, as ngjyrat e as tingujt.
Unë, biri im, i them vetes: bëhu i fortë he burrë! Po në ndërdije diçka më pëshpërit: Xhabir, ke mbetur si shqiponjë e shpupluar! Prapë e mbledh veten dhe krahas vështirësive dhe ortekut të zi që ka rënë mbi oxhakun tonë, vij te kryet e varrit të të sjell lule, qëndroj aty me monologët e mi të shoqëruar me lot dhe me heshtjen shurdhuese të atij vendi të padenjë ku të ka lënë protokolli zyrtar i cili tri javë të plota nuk na lejoi të të vizitojmë në spital. Ky protokoll i mallkuar i një mjekësie të lodhur, të rrënuar e arriviste e vulosi absurdin duke treguar se njerëzit kur gjenden në maja të piramidës dinë të mos kenë fare respekt për thesaret që zakonisht janë diku në themele.
Të lanë Ty, biri im, aty ku duhej të shkoja unë e të vije ti te koka ime me monologët e një aktori të veçantë, ta përsërisje dhembjen e djalit të mirë, dhembjen e vëllait, dhembjen e shokut, sepse Ty të kisha edhe djalë, edhe vëlla, edhe shok. Po tash Ty të kam vetëm në zemër, Ti në imagjinatën time të mbushur me dashuri luan me Arbën e vogël. Vështirë e kam Lurani i babi. Vështirë e ka nana jote, vështirë e kanë Linda e Edlira. Vështirë e ka Arba. Shumë vështirë.
Biri im i mirë, ne tash jetojmë, jo, jo, nuk jetojmë, por marrim frymë a vegjetojmë si druri të cilin e ka ndarë përgjysmë rrufeja. Rrimë mbështetur për melankolinë e thellë nëpër të cilën na hedhin formula të shumta ku nuk mund ta gjejmë hapin tënd që vije në shtëpi i gëzuar dhe na përqafoje, por kërkesën e tyre që të të harrojmë.

Këtë nuk mund ta bëjmë, sepse kështu nuk do të mund ta kemi të gjallë buzëqeshjen Tënde e cila e mbushte me dritë shtëpinë, ku nuk i shohim krahët e Tu të zgjatur për Arbën e vogël e cila vraponte të të përqafojë, kurse Ti pastaj i nxirrje nga najloni ndonjë lodër, ndonjë çokollatë, bluzë a ndonjë libër që Arba kishte dëshirë ta dëgjonte kur ia lexonit ti dhe Edlira. Atëherë ajo thoshte: këtë ma ka blerë babi im. Kështu thotë edhe sot.

ObserverKult


nga xhabir ahmeti

Lexo edhe:

XHABIR AHMETI: KACAFYTEM ME PIKËLLIMIN…

Nga Xhabir Ahmeti

Shkojmë në mëngjes me gjyshin kah kurtnajat, arat krejt afër shtëpisë, që shumëkush tash i quan ograja.

Dielli ka dalë ka kohë. Ai duket i vogël, por rrezet e tij që vijnë kah ne pjerrtas kanë filluar të djegin.

Bimët edhe kafshët e mirëpresin pas shiut të djeshëm.

Bari tash thuajse harliset në rritën e tij, kurse kandrrat janë vënë në lëvizje. Larg në veri largohen rrëshqanas disa re, duke e lënë rehat kaltërinë e pafundësisë së qiellit.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult