Prej “Kujtimeve” të Injac Zamputit u vura të shfletoj botimin e hershëm “Buletin për shkencat shoqërore”, 1952/1.
Nga: Aurel Plasari
Janar 1952: mbahet ‘Konferenca I Kombëtare për Gjuhën’. Thelbi i diskutimeve: nëse në bazë të një “gjuhe letrare kombëtare” duhet të vihet gegënishtja apo toskërishtja.
Referatin kryesor e mban Dh. S. Shuteriqi. Vetë deri asohere ka shkruar e ka botuar në gegënisht, por në referat orvatet të vërtetojë “epërsinë” e toskërishtes ndaj gegënishtes, së fundi edhe me argumentin: “… kuadrot e Partisë shumica janë nga Jugu, aty ku ndodhet vatra e lëvizjes nacional-çlirimtare”.
Argumentet e tij i kundërshtojnë: Aleksandër Xhuvani i pari, mandej Çabej, Dodbiba, Myderrizi, Domi, Zamputi etj. Ja, më i moshuari, Xhuvani:
“Pavarësisht nga rregullat e asaj Komisije [Komisija Letrare Shqipe në Shkodër 1916-1918, – A.P.], këto dy dialekte, tue u shkrue mbas mënyrës së tyne qysh prej Rilindjes deri në kohë tona, kanë influencue njeni-tjetrin […] Si duket, pra, këto dy dialekte kanë influencue njeni-tjetrin tue ecë së bashku si dy qé në një përmendë […] Duhet të shtojmë se, sikundër ndodh puna me mësimin e gjuhës në shkolla, kështu ndodh kjo edhe me shkrimin e përdorimin e gjuhës prej brezit të sotëm: brezi i sotëm i Shqipnisë së Mesme dhe të Veriut, i vjetër e i ri, ka gegënishten për të folme amtare, asht mësue me këte dhe me këte të folme i ka ba studimet e tij në shkollat fillore e në të mesmet.
Me qenë se nuk e ka përvetësue toskënishten dhe e di fort pak, kur do të përdorë këtë në të folun, do të bajë gabime e do të flasë një gjuhë të trazueme për mysybet, sikurse asht vërejtë sa e sa herë kjo punë […] Prandaj jam i mendimit se brezi i sotëm intelektual duhet të shkruejë në dialektin e vet, që të mund të nxjerrë ndonji prodhim me vlerë, e të mos i vihet ndalesë përdorimit të gegënishtes në shtyp e në prodhime letrare”.
Për fatin e mirë të historisë, do të duheshin këto “Kujtime” të njërit prej pjesëmarrësve në atë Konferencë që të mësohet sesi, ndërsa Aleksandër Xhuvani parashtronte argumentet e veta, papritmas ndërhynte Mehmet Shehu duke ia prerë fjalën me një “E morëm vesh! Ç’e zgjat më!”.
“E kam parasysh atë plak të cilit pothuej iu muer goja (se edhe pak e kishte prej natyre) dhe detyrimisht i ra shkurt dhe e mbylli referatin”, ka shënuar Zamputi.
“Ja çfarë mund të bajë frika në shkencë!”. Dhe Zamputit të “Kujtimeve” i bëhet se e sheh Mësuesin, d.m.th. Xhuvanin, tok me Luigj Gurakuqin, tek u grahte kuajve në të ri për të hapur “Normalen” e Elbasanit. Etj.
* * *
Sot standardi i shqipes së shkruar është imponuar si normë. Vetë, që shkruaj këtë shënim, jam njëri nga zbatuesit korrektë të tij qysh kur kam filluar të botoj më 1973 (!).
Duke përfshirë mijëra faqe shkrime, libra, publicistikë, por sidomos përkthime nga letërsia botërore, jam i bindur se, për nga ana sasiore, e kam lavruar (nga: lavër, bëj lavër dhe jo lëvër) standardin më shumë se do gjuhëtarë të sotëm fanatikë, pra i bie që ai të jetë më fort imi se i tyri.
Sa për cilësinë, atë e gjykojnë lexuesit. Por, vlerësoj në të mirë të historisë që propagandës për “lirinë shkencore” nën diktaturë t’i jepet fund.
Në mos po e duan me atë të Mehmetit shkencëtar: E morëm vesh! Ç’e zgjatni më!
ObserverKult
Lexo edhe:
AUREL PLASARI: DËMET E KULTURËS SË RRENËS
Nga Aurel Plasari
U bënë tash sa vite që vijon të qarkullojë, duke u përhapur, një rrenë e thurur trashë për kinse zbulimin e një dokumenti i cili mund të hedhkësh dritë për “shkrimin më të hershëm të gjuhës shqipe të shek. XIV”, domethënë parabuzukian.
Rrena e parë: Profesorët Stefan Schumacher dhe Joachim Matzinger nga Akademia e Shkencave Austriake, që përmenden, nuk kanë zbuluar ndonjë dokument që të mendohet t’i përkasë shekullit të XIV dhe ku të shkruhet “një shqipe me germa latine”.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult