“Diaboliket”, libri më i ri i shkrimtarit Jules-Amédée Barbey d’Aurevilly

Jules-Amédée Barbey d’Aurevilly


Nga Shtëpia Botuese PEGI, përkthyer nga Diana Çuli, vjen në shqip libri më i ri i shkrimtarit Jules-Amédée Barbey d’Aurevilly. Shtatë mëkate vdekatare, të simbolizuara në figura femërore joshëse dhe diabolike, të cilat përmbysin moralin kallp të shoqërisë konsevatore e
patriarkale.


“Diaboliket” është pa dyshim vepra më përfaqësuese e shkrimtarit me një
personalitet të spikatur Jules-Amédée Barbey d’Aurevilly: krijesat e tij,
perverse dhe tërheqëse, të përbindshme dhe të adhuruara, përshkruhen me
kënaqësinë e atij që, teksa lë të shfaqet kudo dëshira dhe epshi, i jep rëndësi
erotike çdo detaji, dhe heronjtë e tij, dandy të lodhur e të zhgënjyer, verbohen
nga eleganca, sqima, luksi dhe nga të gjitha ëndjet e shqisave.
Libri, i përbërë nga gjashtë novela, rrëfen për një shoqëri viktoriane, borgjeze,
patriarkale, me fjalët të tjera, një shoqëri e përqendruar te burrat, konservative,
e dominuar nga arsyeja. Mirëpo, gjendet përballë faktit që jeta jonë ushqehet
nga pasionet dhe emocionet, veçanërisht nga ato seksuale: tërheqja, eksitimi
dhe natyrisht, dashuria erotike.

Barbey d’Aurevilly, i pakënaqur me botën ku jeton, është i shqetësuar nga
kontrasti i madh mes një morali të ngurtë katolik dhe një shijeje të
panënshtruar për situatat dhe ndjenjat e sëmura, ai mëton të shfaqë
aristokracinë nën dritat e një teatri me perversitete nga më të rafinuarat e
dredharake.

“Diaboliket”, botuar për herë të parë më 1874, shkaktoi një bujë të madhe në
Parisin e asokohshëm dhe të gjitha kopjet e librit u sekuestruan nga Ministria
e Drejtësisë franceze, sepse përbënte kërcënim për moralin publik. Skandali
i madh i siguroi librit një sukses të jashtëzakonshëm, por tani konsiderohet si
një klasik i rëndësishëm dhe studiohet në shkollat franceze.
“Diaboliket” ju flet gjithë lexuesve të letërsisë dekadente dhe gotike e sidomos
atyre që u pëlqejnë romanet me fammes fatales.

DIABOLIKËT, Jules-Amédée Barbey d’Aurevilly


Kritika


Personazhet femërore të Barbey-t kanë gjithnjë gisht në përcaktimin e fatit të
tyre, ndonëse mundësitë e zgjedhjeve i kanë më të kufizuara sesa burrat.”
Los Angeles Review of Books
“D’Aurevilly të fton të marrësh kungatën me të njësoj siç do të të kishte ftuar
dikush tjetër për darkë.”
Charles Baudelaire
“Ky është një kremtim i shtatë mëkateve vdekjeprurëse, pa iu vënë përballë
shtatë virtyte kardinale. Për më tepër, është një kremtim i krenarisë, i
krenarisë së aristokracisë së lashtë të së keqes..”
Robert Irwin
Sekretet e të fshehtat janë të shumta: ekstazat përshkruhen përgjysmë.
Lexuesit ndoshta kanë të njëjtin frustrim të njërit prej dëgjuesve të Barbey-t
që thërret: “Çfarë e shtyn njeriun të veprojë kështu?”

Autori


Jules-Amédée Barbey d’Aurevilly lindi në Saint-Sauveur-le-Vicomte të
Normandisë, më 1808. Në moshën 18-vjeçare shkoi në Paris, ku jetoi gjithë
jetën e vet, duke shfaqur, falë një rente të lënë në trashëgimi nga xhaxhai i vet,
shije aristokrate dhe sqimë të jashtëzakonshme, derisa, për shkak të varfërisë,
u detyrua të punonte si gazetar dhe kritik letrar.
Ishte i prirur drejt zhanrit të historive misterioze, që eksploronin shtytjen e
brendshme të njeriut drejt së keqes, duke cekur madje dhe të mbinatyrshmen.
Ai ishte liberal dhe ateist, por më vonë u konvertua në katolicizmin roman.
Ai dha një ndihmë të madhe në promovimin e shkrimtarëve, që më vonë u
bënë me famë botërore, si Stendhal, Flaubert dhe Baudelaire. I njohur si një
nga dandy-t më të famshëm të Parisit, ishte mik me Baudelaire-n dhe “Beau”
Brummel, ikonë e sqimës mashkullore në Anglinë dhe Francën e asaj kohe.


Fragmente nga libri


1) Për kohën që po flas, isha fare i ri, një nëntoger njomëzak, i kopsitur
në uniformë, por shumë i ngathët e shumë i druajtur me gratë, ndonëse
ato nuk kanë dashur kurrsesi ta besojnë, me siguri për shkak të kësaj
fytyrës sime të mallkuar… nuk kam përfituar kurrë prej tyre për shkak
të drojës që kisha.

2) Gjithçka që ndjeva ishte një ndjesi e pabesueshme për atë dorë
guximtare që po kërkonte timen nën mbulesë! Ishte sa e padëgjuar aq
dhe e papritur! Gjaku i përvëluar nga ajo prekje, më shpërtheu nga koka
te dora sikur ta drejtonte ajo dhe pastaj m’u rikthye te zemra! Para syve,
gjithçka m’u shndërrua në ngjyrë mavi… veshët më shungullonin.
Duhej të isha zverdhur i tëri. Më dukej sikur do të më binte të fikët…
se do të shkrihesha në atë ëndje të papërshkrueshme të asaj dore,

3) Burrat janë të gjithë njësoj. Atyre nuk u pëlqejnë gjërat e çuditshme të
kryera nga burrat, madje kjo i bezdis. Por kur kjo gjë e çuditshme është
e veshur me fustan, ata mrekullohen.

4) Ai kishte dhuntinë e ironisë. Por, nuk ishte e vetmja dhunti që i kishte
falur Zoti i plotfuqishëm. Karakteri ishte forca mbizotëruese tek ai,
sarkazma zinte vendin e dytë, gjithashtu një forcë që e përdorte ndaj të
tjerëve. Nuk vihej në dyshim se, sikur Kalorësi dë Mesnilgrand të kishte
qenë njeri me fat e i lumtur, nuk do të kishte qenë aq përqeshës; por si
i pafat që ishte ai bluante mendimet prej njeriu të dëshpëruar dhe, kur
ndihej i gëzuar, gjë fort e rrallë, ishte vetëm ngazëllim prej të
dëshpëruari; vetëm mendimi i ngulitur i fatkeqësisë e thyen
përnjëherësh kaleidoskopin e ironisë, ashtu si e pengon të rrotullohet
duke u shndritur.

5) Bukuria është një e vetme. Vetëm shëmtia është e shumëfishtë, po edhe
ky shumëfishim lodhet shpejt. Zoti paracaktoi vetëm shumëllojshmëri
shprehjesh, sepse shprehja është pasqyrim i shpirtit përmes tipareve të
fytyrës, të rregullta apo të çrregullta, të kthjellëta apo të turbulluara.

6) Ateizmi i tyre nuk ishte ateizmi i shekullit të tetëmbëdhjetë, ndonëse
në të e kishte origjinën. Ateizmi i shekullit të tetëmbëdhjetë hulumtonte
të vërtetën dhe mendimin. Ishte racional, i sofistikuar, me retorikë dhe,
mbi të gjitha i drejtpërdrejtë e fyes. Por, natyra e tij fyese nuk ishte asgjë
në krahasim me atë të këtyre veteranëve të Perandorisë, të këtyre
femohuesve e mbretër-vrasësve të 1793-shit. Ne, që kemi ardhur pas
tyre, kemi gjithashtu ateizmin tonë, absolut, të përqendruar, të ditur, të
ngurtë, urryes të paepur; që urren gjithçka të lidhur me fenë, siç urren
krimbi drurin që po bren.

7) Dashuria me të cilën më mbështillte, nuk kishte asnjë lidhje me shpirtin
apo me mendjen, as me vetëkënaqësinë; por ajo lumturi nuk ishte aspak
diçka e lehtë, diçka kalimthi. Kurrë nuk më kishte shkuar në mendje se
sensualiteti mund të ishte aq i thellë. Përpiquni të përfytyroni një kokërr
pjeshke të bukur, me tulin e kuqërremë ku ngulni dhëmbët ose… me
mirë mos u lodhni fare. Nuk ka metaforë apo imazh për të shprehur
kënaqësinë që ajo pjeshkë njerëzore dhuronte, që skuqej zjarr edhe nga
një vështrim shkarazi yti, si ta kishe kafshuar.

8) […] dashuria jonë më e madhe nuk është as e para e as ajo e fundit, siç
besohet së shumti: por e dyta. Mirëpo, kur është fjala për dashurinë,
gjithçka mund të jetë e vërtetë e gjithçka mund të jetë e rreme…

ObserverKult

Lexo edhe:

NE, FËMIJËT E KOPSHTIT ZOOLOGJIK TË BERLINIT – ROMAN AUTOBIOGRAFIK I CHRISTIANA F.