Poezi nga Diana Zhiti
Shkoi edhe një ditë pa ty,
shelgjet ulën kokën mbi liqen,
dy mjellma shiheshin ndër sy
krahë për krahë dolën në breg.
Mbrëmja u ul e qetë mbi bar,
asgjë përreth nuk pipëtin,
zogu i natës s’më tha një fjalë,
ç’mendojnë zogjtë për dashurinë.
Kaloi e bëri sikur s’më pa,
ndoshta dikush, diku e pret,
një yll i zbehtë mbi liqen ra,
ndriçoi për pak edhe u tret.
Reflekset thyhen përmbi ujë,
dhe Hëna, vetëm doli sërish,
thur e ç’thur, kaq netë, si unë,
k’të punë do bëj, der sa të vish.
Shkoi edhe një ditë pa ty,
s’di si të shkul nga k’ta dy sy.
ObserverKult
—————————————
Lexo edhe:
DIANA ZHITI: KUSH THOTË SE BURRAT NUK QAJNË
Kush thotë se burrat nuk qajnë,
se dhëmbjen shpirtërore nuk e njohin,
me diva të paepur vërtetë ngjajnë
ëndrra me yje e Hënë nuk shohin?
Kush tha se nuk ndjejnë drithërima
dhimbje dashurie s’përjetojnë,
ndonse në pamjen e parë duken trima,
përbrënda për një puthje s’përgjërojnë?
Kush thotë se nuk njohin ligështimin,
për lulet që këpusin s’mallëngjehen,
nën petk’rëndin e fshehin trishtimin,
netëve, të vetmuar, në vajë s’shkrehen?
Në do të dish për botën e një ipoti,
mundohu të hysh butë, pa bujë,
të bëhesh sirena e atij burim loti,
mungesën tënde të qajë me kujë.